
Hakmarrja mendohet se është motivi i një atentati të kryer sonte në mes të kryeqytetit, ku dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:00, përballë ish-Ekspozitës, në rrugën ‘Ramiz Kovaçi’, pranë lulishtja ‘1 Maji’, kur një makinë në ecje është qëlluar nga persona të paidentifikuar, duke vrarë një vajzë dhe një djalë, ndërkohë që i plagosur ka mbetur drejtuesi i mjetit, i cili mendohet se është edhe objekti i atentatit.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se i plagosuri dhe dy viktimat po udhëtonin me një makinë, bashkë me një person tjetër, që u ka shpëtuar të shtënave. Sipas të dhënave, ata po udhëtonin me mjetin “BMW”, me targa AA 675 JS, kur një person i ka qëlluar me armë zjarri. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes thanë se kanë dëgjuar mbi dhjetë krisma dhe janë tmerruar prej tyre, duke kërkuar menjëherë ndihmën e policisë. Sapo policia ka mbërritur është verifikuar se nga ky atentat në mes të rrugës, jo shumë larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës ishin vrarë dy persona dhe plagosur një i tretë, i cili është dërguar për ndihmë në spital.
Policia e kryeqytetit shpjegoi se viktimat janë Kevin Rugova, 22 vjeç dhe Aurora Oskian, 30 vjeçe. Emri i të plagosurit, sipas policisë, është Elvis Gaçaj, 40 vjeç, person me precedentë të mëparshëm penalë. Nisur nga këto informacione, por edhe dëshmitë në vendin e ngjarjes, policia ka ngritur dyshimet paraprake se atentati ka ndodhur për hakmarrje. Sipas grupit hetimor, Elvis Gaçaj ka qenë i arrestuar disa vite më parë, pikërisht në vitin 2008, për plagosjen e një personi, kështu që atentati mund të ketë qenë i organizuar ndaj tij, por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë konflikti të fundit të Rugovës dhe Gaçajt me persona të tjerë.
Për të zbardhur më shumë detaje rreth kësaj ngjarje, është marrë në pyetje edhe personin e katërt që ndodhej në makinë, identiteti i të cilit nuk është bërë publik nga policia. Lidhur me zbardhjen e këtij krimi të rëndë, policia tha se ka shoqëruar disa të dyshuar dhe ka ngritur postblloqe të shumta në pikat hyrëse dhe dalëse të kryeqytetit me qëllim kapjen e autorit apo autorëve të vrasjes së dyfishtë. Policia tha se hetimet vijojnë.
1 tetor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Vriten në atentat dy të rinj dhe plagoset 40-vjeçari, policia: Dyshohet për hakmarrje u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.