Bashkëpunimi
Është një marrëveshje e re globale me premtimin solemn që askush nuk duhet lënë mbrapa. Axhenda e re është universalisht e zbatueshme dhe ka të bëjë me të gjithë ne, me të gjitha dallimet tona dhe realitetet e ndryshme kombëtare e sigurisht ka të bëjë me vendin tim, Shqipërinë.
Drejtësia
Jemi duke ndërmarrë një reformë transformuese në drejtësi, një proces jetësor që do ta bashkojë më shumë shtetin me qytetarët, do t’i japë drejtësisë kuptimin e saj të vërtetë dhe do të ketë një ndikim më të thellë dhe pozitiv në mënyrën sesi vendi do të shkojë përpara
Mesazhi
Kohezion social, bashkëjetesë dhe bashkëpunim fetar janë ndër pasuritë kryesore të shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet një shembull bashkëjetese, sepse kjo bazohet në një pjesë të vërtetë dhe të prekshme të historisë
Nju Jork
“Unë jam katolik, gruaja, myslimane, djalit një vjeç nuk i bëj presion për besimin që do të vendosë”
ARTEMISA HOXHA
Në vijim të vizitës së tij në Nju Jork, Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në kuadër të një seance të posaçme për zbatimin e Axhendës së zhvillimit post 2015, në selinë e Kombeve të Bashkuara. Objektivat dhe synimet e kësaj axhende synojnë zhdukjen e varfërisë ekstreme, duke luftuar pabarazinë, fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave, mbrojtjen e burimeve natyrore, përmirësimin e qeverisjes, inkurajimin e një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, dhe përqendrimin e përpjekjeve kolektive për shanse të barabarta për të gjithë. Në kuadër të kësaj axhende, e cila do të ketë një shtrirje për 15 vitet e ardhshme në të gjitha vendet e botës, Kryeministri Rama e konsideroi pikërisht këtë si një rrugë për të lëvizur nga një bashkëpunim i thjeshtë në një partneritet global. Kryeministri theksoi se për Shqipërinë qëndrueshmëri do të thotë përforcimi i shtetit të së drejtës dhe vlerave demokratike shoqërore. “Kjo axhendë e re, kurajoze, ambicioze e një transformimi global është angazhimi ynë që t’i çojmë njerëzit nga përjashtimi tek gjithëpërfshirja. Është një marrëveshje e re globale me premtimin solemn që askush nuk duhet lënë mbrapa. Axhenda e re është universalisht e zbatueshme dhe ka të bëjë me të gjithë ne, të gjitha vendet, me të gjitha dallimet tona dhe realitetet e ndryshme kombëtare, dhe sigurisht ka të bëjë me vendin tim, Shqipërinë. Duke iu referuar një prej elementeve që dallon vendin tonë, atë të bashkëjetesës fetare, Kryeministri Rama foli edhe për mesazhin e dhënë nga Ati i Shenjtë gjatë vizitës së tij në Tiranë. “Kohezion social, bashkëjetesë dhe bashkëpunim fetar janë ndër pasuritë kryesore të shqiptarëve kudo që ata jetojnë, jo vetëm në Shqipëri. Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet një shembull bashkëjetese, sepse kjo bazohet në një pjesë të vërtetë dhe të prekshme të historisë. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, e cila ishte dhe vizita e tij e parë në Europë, Papa Françesku deklaroi se harmonia ndërfetare e shqiptarëve është një model frymëzues për botën, e cila tregon se bashkëjetesa mes të krishterëve dhe myslimanëve, jo vetëm është e mundur, por është e dobishme për zhvillimin e një vendi, dhe se ky është një vend unik ku bashkëjetesa në paqe dhe bashkëpunim ekziston midis myslimanëve, katolikëve, ortodoksëve, të krishterë dhe njerëzve pa asnjë farë feje”, tha Rama. Ndërkohë që Kryeministri do të mbajë fjalën e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme Kombeve të Bashkuara në datën 2 tetor.
Aktualiteti
Duke e bazuar fjalimin e tij pikërisht edhe në aktualitetin në Shqipëri, Kryeministri shtoi ndër të tjera se reforma në drejtësi që po ndërmerret do të bashkojë më shumë shtetin me qytetarët. “Ne jemi duke ndërmarrë një reformë transformuese në drejtësi, një proces jetësor që do ta bashkojë më shumë shtetin me qytetarët, do t’i japë drejtësisë kuptimin e saj të vërtetë dhe do të ketë një ndikim më të thellë dhe pozitiv në mënyrën sesi vendi do të shkojë përpara në vitet në vijim”, tha ai. Ndërsa vlerësoi bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si domosdoshmëri për jetesën në paqe dhe harmoni, Kryeministri u shpreh se kjo gjë është thelbësore për qëndrueshmërinë. “Shqipëria zhvillohet brenda një rajoni, Ballkanit, i cili po përpiqet të gjejë vendin e tij të begatë në Europën e Bashkuar. Megjithatë, ende në pritje për t’u kualifikuar si anëtarë të BE-së, ne jemi duke bërë gjithçka që mundemi, ndërmjet nismave konkrete, për të sjellë më afër gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të rrisim bashkëpunimin në çdo fushë të jetës. Dihet botërisht se sa më shumë bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, sa më shumë bashkëndajmë, sa më shumë jemi të ndërlidhur, sa më shumë e njohim dhe e pranojmë njëri-tjetrin, kemi më shumë shanse që të jetojmë dhe të punojmë së bashku në paqe dhe harmoni. Sigurisht, kjo gjë është thelbësore për qëndrueshmërinë”, tha ai. Ndërkohë që axhenda e zhvillimit post 2015, një axhendë ambicioze dhe transformuese për zhvillim të qëndrueshëm të arritshëm në kufijtë e vitit 2030, për të cilën diskutuan liderët botërorë për të ardhmen në botë, është arritur që të miratohet pas më shumë se tre vjet negociatash intensive. Axhenda e re, e cila përmbledh 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe 169 synime, është pasuese e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit, por synon të ngrihet mbi to, pasi për herë të parë ajo i trajton dimensionet ekonomike, sociale, mjedisore dhe të zhvillimit të qëndrueshëm në një mënyrë të integruar. Axhenda e re udhëhiqet nga qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare. Ajo është e bazuar edhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Deklaratës së Mijëvjeçarit, dokumenti botëror i samitit të vitit 2005, traktatet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe instrumente të tjera të tilla si Deklarata mbi të Drejtën për Zhvillim.
Paneli
Një tjetër panel ku ka marrë pjesë kreu i qeverisë ka qenë dhe ai mbi diskutimin me temë “Harmonia sociale për një zhvillim të qëndrueshëm: promovimi i respektit dhe mirëkuptimit në një kohë intolerance” të bashkorganizuar nga Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, nën drejtimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Gjatë fjalës së tij ai dha mesazhin se harmonia fetare si ajo e Shqipërisë mund të kontribuojnë në luftën kundër ekstremizmit, një prej sfidave më të mëdha me të cilat po përballet bota sot. Sipas Ramës urrejtja që mbartin sulmet ekstremiste ka shumë shkaktarë. “Përtej çdo dyshimi, urrejtja që këto sulme mbartin dhe verbëria që ato tregojnë nuk vjen vetëm për shkak të besimit të korruptuar. Ka kaq shumë forca përçarëse në botën tonë dhe origjina e radikalizimit të atyre që kryejnë masakra në emër të Zotit duhet kërkuar edhe në sistemet dhe mënyrat e qeverisjes që prodhojnë pabarazi tensione sociale dhe diskriminim”, tha Rama. Kryeministri u ndal edhe te një prej vlerave më të mëdha të Shqipërisë, harmoninë fetare, duke sjellë shembullin e familjes dhe veçanërisht të djalit të tij më të vogël. “Unë jam katolik, gruaja ime është myslimane dhe ne kemi një vajzë dhe një djalë të besimit ortodoks, ndërsa foshnja jonë është katolike. Kështu djali ynë, vetëm 1 vjeç, duhet ende të vendosë se cilit besim t’i përkasë. Dhe ai është me fat, sepse jeton në një vend ku askush, përfshirë familjen e tij, nuk do t’i bëjë kurrë presion që të zgjedhë një besim të caktuar. Sepse ai ka lindur në një vend të pagëzuar nga vetë Papa Françesku si vendi i vëllazërisë fetare, çka përfaqëson një garanci thelbësore për brezat e ardhshëm që ta gëzojnë këtë botë në paqe dhe prosperitet”, tha ai.
Familja e Ramës
“Unë jam katolik, gruaja ime është myslimane dhe ne kemi një vajzë dhe një djalë të besimit ortodoks, ndërsa foshnja jonë është katolike. Kështu djali ynë, vetëm 1 vjeç, duhet ende të vendosë se cilit besim t’i përkasë. Dhe ai është me fat, sepse jeton në një vend ku askush përfshirë familjen e tij, nuk do t’i bëjë kurrë presion atij që të zgjedhë një besim të caktuar”
Ky shkrim Fjalimi në OKB, Rama: Shqipëria do të kryejë reformë transformuese në drejtësi u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.