PAKTI me CEZ
Manjani thotë se kërkesa e kryedemokratit, manovër për katarsis në PD. Ambasada e SHBA: Jo hetim nga ne
Basha – “Prokurorë ndërkombëtarë, euroatlantikë, të certifikuar dhe me përvojë, në ndihmë të hetimit të aferës më të madhe korruptive dhe kriminale në Shqipëri, sipas vetë avokatëve të qeverisë shqiptare”
Manjani – Shpifja ndaj Ilir Metës, që z. “200 milionësh”, shtetasi holandez, Lulzim Basha, konsumoi ndaj Ilir Metës, sigurisht është një vepër penale e serisë së veprave penale që e shoqërojnë Partinë Demokratike
SHBA – “Policia dhe prokurorët shqiptarë janë të vetmit përgjegjës për të drejtuar hetime në lidhje me çështje që ndikojnë popullin shqiptar dhe institucionet e tij”, shprehet zëdhënësi i ambasadës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehet i vendosur për nisjen e një beteje ligjore kundër dy drejtuesve kryesorë të shtetit shqiptar, Kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentarit Ilir Meta, për zgjidhjen e kontratës mes qeverisë dhe kompanisë çeke CEZ. “Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje. Shqiptarët meritojnë kthimin e parave, shqiptarët meritojnë nxjerrjen para drejtësisë të kumbarëve të krimit”, tha Basha. Kryedemokrati mbështeti idenë e hetimit nga prokurorë ndërkombëtarë, duke theksuar se do të gjenden modalitetet për të realizuar një gjë të tillë. “Prokurorë ndërkombëtarë, euroatlantikë, të certifikuar dhe me përvojë, në ndihmë të hetimit të aferës më të madhe korruptive dhe kriminale në Shqipëri, sipas vetë avokatëve të qeverisë shqiptare. Ky është qëndrimi ynë”, theksoi Basha. Ndërsa dërgimin e marrëveshjes së miratuar më 30 korrik të vitit 2014 nga Kuvendi në Gjykatën Kushtetuese, lideri i PD-së e sheh si mundësi që, sipas tij, Rama dhe Meta të mos ndërhyjnë mbi organin e akuzës. “Paralelisht iniciativa jonë në Parlament do të ketë të njëjtin qëllim: të heqë çdo alibi për t’i bërë presion prokurorisë, alibi ligjore dhe alibi të tjera duke mundësuar ardhjen e prokurorëve ndërkombëtarë”, tha ai. Ndërsa nuk ka ngurruar që të akuzojë Ramën dhe Metën për aferën me CEZ-in. “DIA është pra adresa e Ilir Metës ose njërit prej kumbarëve siç e ka cilësuar Ismailaj, ku do të kalonin miliona euro. DIA u krijua me shtytjen e Ilir Metës dhe u fut në pazar me CEZ-in, prej tij, me rekomandimin e tij, me lobimin e tij në kohën kur ishte ministër i Jashtëm. Dje pamë sesi dëshmitari kyç, i cili ka në dorë të shpëtojë 135 milionë eurot që DIA kërkon në Arbitrazhin e Vjenës, ndonëse i mbrojtur nga policia, u kërcënua me jetë. Kjo, sepse fundosja e DIA-s merr me vete edhe Ilir Metën, ndaj dhe dëshmitari Elvis Mataj është kërcënuar me jetë, ai dhe familja e tij. Po si u shkua te ky dëshmitar i mbrojtur nga policia?! Kush e mban këtë fije?! Këtë fije e ka në dorë kumbari i parë, Edi Rama, i cili sigurisht që po mban nën presion ortakun e tij me këtë dosje kriminale. Nga ana tjetër, kumbari i dytë, Ilir Meta, ka në dorë të nxjerrë aferën e 600 milionë eurove që iu falën apo u ndanë me CEZ-in nga Edi Rama, aferë që u mbyll me marrëveshjen e votuar në Parlament, ku u sanksionua që hartuesit e këtij pakti nuk do të ndiqeshin penalisht”, theksoi Basha. Ndërsa për shmangur ndikimin në hetim, kryedemokrati u shpreh se “kushtet tona për një hetim të pavarur të plotë, të gjithanshëm e të besueshëm, përfshijnë dhe do të përfshijnë në çdo rast dorëheqjen e Ilir Metës nga funksioni numër dy në vend”.
Reagimi i LSI-së
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar ndaj deklaratës së Bashës, duke theksuar se kjo parti politike kërkon një hetim ndërkombëtar ku të përfshijë dhe procesin e privatizimit të CEZ-it nga ana e qeverisë Berisha. Një gjë e tillë u bë prezent nga ana e nënkryetarit të LSI-së, Ylli Manjani. “Shpifja ndaj Ilir Metës, që z. ‘200 milionësh’, shtetasi holandez, Lulzim Basha, konsumoi ndaj Ilir Metës, sigurisht është një vepër penale e serisë së veprave penale që e shoqërojnë Partinë Demokratike. Tashmë është në sytë e gjithë publikut, në rreze të diellit e dukshme, e qartë dhe krejtësisht e verifikueshme, se çfarë kanë bërë zotërinjtë e tyre në krye të shtetit shqiptar, në sektorin e energjisë, në sektorin e transporteve dhe në shumë sektorë të tjerë. Kështu, në këtë pikëpamje, shpifjet që ai hodhi sot në emër të Ilir Metës bën mirë t’i marrë mbrapsht”, tha Manjani. Ndërsa mbështesin hetimin ndërkombëtar, për numrin dy të LSI-së, propozimi i Bashës ka sy synim kryerjen e katarsis brenda PD-së, duke eliminuar paraardhësit. “Historitë e tjera me vjersha të tipit se si ndëshkohet babai politik, do të vazhdoni të dëgjoni se është shumë interesante. Sinqerisht ju ftojmë që ta dëgjoni vjershën e Lulzim Bashës në përpjekje për të larguar nga Partia Demokratike ish-ministrat e korruptuar, me në krye ish-kryeministrin e tyre. Patjetër që po. Duhet të shkojmë deri në fund. Duhet të marrë fund saga e pandëshkueshmërisë”, tha Manjani. Por hovin e dy partive për një hetim ndërkombëtar nga përtej Atlantikut, ia ka ndalur vetë ambasada e SHBA-së, e cila nëpërmjet zëdhënësit të saj, Ryan J. Roberts, për “Top Channel”, thotë se “policia dhe prokurorët shqiptarë janë të vetmit përgjegjës për të drejtuar hetime në lidhje me çështje që ndikojnë popullin shqiptar dhe institucionet e tij”.
Ky shkrim Basha: Pas DIA-s është Meta, duam hetim ndërkombëtar LSI: Ta nisim nga privatizimi u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.