Partia Demokratike vijon akuzat ndaj kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta, në lidhje me skandalin e CEZ Shpërndarjes. Deputeti, Eduart Halimi tha se duke nisur nga java e ardhshme opozita do të ndërmarrë dy nisma paralele për skandalin e CEZ-it. Së pari, demokratët do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të vendit për të rrëzuar marrëveshjen e shndërruar në ligj nga mazhoranca aktuale, për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke, zgjidhje që sipas demokratëve, i kushtoi 600 milionë dollarë taksapaguesve shqiptarë dhe së dyti, të hënën do të depozitojnë në Kuvendin e Shqipërisë projekt-ligjin që bën të mundur hetimin e plotë ndërkombëtar të kësaj afere korruptive.
“Është konfirmuar publikisht tashmë se falja e 600 milionë eurove kompanisë CEZ, kjo afere kriminale, dhe dëmi i tmerrshëm financiar që i është bërë vendit, ka për autorë dhe përfitues, hartuesit dhe votuesit e marrëveshjes anti-kushtetuese në parlament, Edi Rama dhe Ilir Meta. Tani që dëshmitë e njëpasnjëshme po nxjerrin në dritë përmasat e kësaj afere korruptive, Edi Rama dhe Ilir Meta janë ri-bashkuar në pakt kriminal.
Edi Rama ka nevojë për mbrojtje në aferën e 600 milionë euro fatura të njohura nga CEZ, që ai ja ka falur apo ka ndarë me CEZ. Ilir Meta ka dëshpërimisht nevojë për ndihmë teksa akuzohet për aferën 135 milionë euro DIA-CEZ. Me ardhjen e tyre në pushtet Rama dhe Meta nxituan të mbyllnin marrëveshjen me CEZ dhe të ndalonin me ligj, e përsëris me ligj, ndjekjen penale të të dyshuarve kryesorë, akt ky i paprecedent në historinë e vendit.
Sot kur kjo dyshe duket se po përgatitet të ndalë hetimin e Jozef Hejsek, drejtorit të CEZ-it, për llogari të Edi Ramës dhe aferës së tij 600 milion euro dhe për llogari të Ilir Metës dhe aferës 135 milion euro me Kastriot Ismailajn, dua t’iu informoj se në fillim të javës së ardhshme, PD, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për ta deklaruar si antikushtetues e për ta hedhur poshtë ligjin, pra marrëveshjen për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. S”.
Po ashtu, dua t’iu informoj sot se Partia Demokratike ditën e hënë do të depozitojë në Kuvendin e Shqipërisë projekt-ligjin që bën të mundur hetimin e plotë ndërkombëtar të kësaj afere korruptive. Edi Rama dhe Ilir Meta kanë djegur çdo mundësi për hetim të kësaj afere. Ndaj hetimi ndërkombëtar është e vetmja rrugëzgjidhje, në shërbim të vendit dhe interesave të qytetarëve”, tha Halimi.
24 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Skandali për CEZ-in, PD: I drejtohemi Kushtetueses, duhet dhe hetim ndërkombëtar u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.