Kryeministri, takime përmbyllëse me elektoratin në tri bashkitë e Qarkut të Elbasanit
Koalicioni i majtë nuk ka asnjë kandidat të inkriminuar në garën për 61 bashkitë në zgjedhjet 21 qershorit, deklaroi Kryeministri Edi Rama, në një intervistë dhënë mbrëmë vonë në emisionin “Opinion” në TV Klan. “Ne kemi ngritur një komision të posaçëm në PS për verifikimin e kandidatëve. Nga të tanët nuk ka rezultuar asnjë”, tha Edi Rama. Duke shpjeguar procesin e dekriminalizimit, Kryeministri u shpreh se ne jemi të gatshëm për të miratuar ligjin që ndalon zgjedhjen e njerëzve të inkriminuar. “Nuk do të presim as PD-në e as opozitën parlamentare, por ne do të kalojmë ligjin brenda paketës së reformës në drejtësi, duke vendosur një vijë të kuqe, ku do të përcaktojnë një hapësirë kohore që e ndalon këtë person të kandidojë, duke e përcaktuar dhe veprën penale”, theksoi Rama. Gjithashtu, ai bëri të ditur se kjo ndalesë do të ndërmerret jo vetëm për ato që zgjidhen, por edhe ata që do të emërohen në administratën publike. Kryeministri hodhi poshtë akuzat e opozitës se po tenton t’u bëjë presion gjyqtarëve.
Fushata përmbyllëse
E majta mbylli fushatën elektorale në qytetin e Elbasanit, ku Kryeministri Edi Rama deklaroi se fitorja në këtë bashki do të jetë e thellë. “E dyta herë që vij në Elbasan me shi, jam i bindur që Qazim Sejdinin e pret një bereqet i madh. Në Elbasan do të jetë fitorja më e thellë e një kandidati për ASHE-në”, deklaroi Rama. Kryesocialisti Rama, nga qyteti i Librazhdit, ku mbylli dhe fushatën elektorale, kërkoi mbështetjen për kandidatin e ASHE-së, Kastriot Gurra, për të cilin tha se është i qartë ndryshimi me kandidatët e djathtë. “Si asnjë herë më parë, familjet që jetojnë në fshat do të kenë më në fund derën ku të trokasin. Aleanca e Shqipërisë Europiane është më e vendosur se kurrë për të bërë realitet shtetin se shqiptarët kanë nevojë. PD-ja, pasi e rinoi shtetin dhe pasi mori atë që meritonte në zgjedhjet e kaluara, ka dy vjet që nuk merr dot veten dhe bën avokatin mbrojtës të atij pushteti që ishte. Ky dallim është i qartë këtu, midis Kastriotit, një djali shumë energjik dhe administratori shumë të aftë. E kam njohur kohë më parë dhe kam pasur mundësi ta vlerësoj dhe në opozitë dhe në qeverisje. Kandidati tjetër të vazhdojë në Elbasan si pediatër, pasi s’kemi luksin të humbasim një mjek, se nuk duam një të paaftë në krye të bashkisë. Me Kastriotin dhe deputetët, me Taulantin, deputetin model për shërbimin ndaj komunitetit të tij, pas 21 qershorit, do të bëjmë për Librazhdin çfarë nuk është bërë për 25 vjet”, tha Rama. Nga Devolli, kreu i qeverisë, nëpërmjet batutave për CV e kandidatit të djathtë, kërkoi votimin në drejtimin e duhur, me projekte konkrete për këtë zonë. “Thonë jepini votën Partisë Demokratike, se më 22 qershor pensionet do t’i keni si në Europë, taksat më të ulëtat në botë, dritat do t’i merrni pothuajse qyl, naftën më të lirë se dhallën. Një histori talljeje e turpshme! Jo vetëm kaq, po se ku i gjejnë ca kandidatë si ky këtu, një kalama që thotë unë punoj Internet Explorer. Ta zëmë se u çmendën devollinjtë dhe votuan për Internet Explorer-in, me se do t’i uli taksat ky, në nivelin më të ulët në botë, me Internet Explorer! Po pensionet, si do t’i ngrejë si në Europë, me Internet Explorer! Apo do jua sjelli nga Internet Explorer, naftën më të lirë se dhallën në pikat e karburantit”, tha Rama. Më herët, në një takim me banorët e Përrenjasit, kreu i mazhorancës identifikoi si një shembull të mirë që vlen për t’u votuar atë të ish-deputetes Miranda Rira, e cila kandidon nën logon e koalicionit të majtë për këtë bashki. “Ne jemi më shumë sesa të bindur që Miranda ka qenë zgjedhja e duhur për Përrenjasin. E ka thënë edhe Margaret Theçer, “nëse do të dish sesi ta thuash më bukur diçka, pyet një burrë, nëse do të dish sesi ta bësh diçka si duhet, pyet një grua”. Nuk po flas për këtë burrin që ka Miranda përballë, se me atë do të merreni ju më 21 qershor, por është e sigurt që Përrenjasit i duhet me patjetër Miranda, i duhet “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, i duhet çdo familje që jeton në Përrenjas dhe çdo familje që jeton në zonën e fshatit”, tha kreu i mazhorancës.
Ky shkrim Rama: Ligjin për të inkriminuarit do ta votojmë, nuk e presim PD-në u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.