Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për arrestimin deputetit Armando Prenga. Më një kërkesë zyrtare, ajo i është drejtuar Kuvendit, ku thotë se kërkon autorizimin për arrestimin e Armando Prengës, me funksionin “Deputet”, i dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Kanosje”.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, është shprehur se, nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, rezulton se deputeti Prenga dyshohet se ka konsumuar elementët e veprave penale të sipërcituara gjatë një konflikti me disa shtetas të tjerë, ngjarje e ndodhur në mesnatën ndërmjet data 4 shtator 2015- 5 shtator 2015, në qytetin e Laçit.
Gjithashtu, në kërkesën për autorizimin e arrestimit, theksohet gjithashtu se deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Armando Prenga dyshohet se ka kryer vepra penale me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe që parashikohen si krim nga Kodi Penal.
Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore, Prokuroria e Përgjithshme ka krijuar dyshimet e arsyeshme për kryerjen e veprave penale nga ana e deputetit Prenga, në bazë të argumenteve si më poshtë:
– Me veprimin e tij të mbajtjes dhe përdorimit të armës së zjarri tip pistoletë, armë kjo tjetër nga ajo për të cilin është pajisur me leje nga organet kompetente, gjatë konfliktit të ndodhur në mjedisin publik para Komisariatit të Policisë Laç, deputeti Armando Prenga ka konsumuar elementët e veprës penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.
– Me veprimin e tij të dëmtimit me armë të shëndetit të shtetasit Tom Cali, duke qëlluar mbi të, deputeti Armando Prenga ka konsumuar elementët e veprës penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
– Me veprimin e tij të nxjerrjes dhe drejtimit të armës ndaj shtetasve që shoqëronin shtetasin Gjergj Cali, para Komisariatit të Policisë Kurbin, me bashkëpunimin e disa shtetasve të tjerë, deputeti Armando Prenga ka konsumuar elementët e veprës penale “Kanosje”, në bashkëpunim.
Për këtë arsye, me qëllim për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm nga Prokuroria, kërkohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhënia e autorizimit për arrestimin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Armando Prenga.
6 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Prokuroria kërkon autorizimin nga Kuvendi për arrestimin e Prengës. Ja akuzat e ngritura ndaj tij u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.