Historia e përplasjeve të deputetit me demokratët Paloka dhe Strazimiri
Herion Mesi
Vendimi i parë që mund të marrë Kuvendi i Shqipërisë në seancën inauguruese të pasdites së nesërme do të jetë miratimi i kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e mandatit të deputetit të socialistit, Armando Prenga. Një vendim i tillë do t’i hapë rrugë hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Laç një ditë më parë, ngjarje në të cilën u plagosën 7 persona, si dhe rezultoi se një ndër autorët e “dyshuar”, tashmë i arrestuar dhe që akuzohet për 3 vepra penale është pikërisht deputeti i PS-së në Qarkun e Lezhës.
Prokuroria
Me mbylljen e veprimeve të para hetimore, në orët e vona të mbrëmjes, Prokuroria e Përgjithshme iu drejtua zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë të autorizojë arrestimin e deputetit të PS-së, Armando Prenga dhe vijimin e hetimeve ndaj tij lidhur me ngjarjen e Laçit dhe arrestimit të tij në kushtet e flagrancës. “Kemi prova që deputeti i PS-së, Prenga, është i implikuar. Po veprojmë me hetimet e mëtejshme për ngjarjen”, pohojnë nga organi i prokurorisë. Kërkesa zyrtare mban firmën e kryeprokurorit Adriatik Llalla, ndërsa hetimet janë marrë përsipër nga Kosta Beluri, drejtori i Hetimit të Krimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Kushtetuta në nenin 73 pika 3 të saj, si dhe Rregullorja e Kuvendit në nenin 119 përcaktojnë qartë të gjithë procedurën që ndiqet në rastin kur deputeti është ndaluar ose arrestuar pa autorizim, kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi, siç është rasti i deputetit të Qarkut të Lezhës. Për rastet e arrestimit në kushtet e flagrancës, Ligji Themeltar i Shtetit parashikon që Prokurori i Përgjithshëm duhet të njoftojë menjëherë Kuvendin, i cili vendos në lidhje me masën e arrestit. Sipas Rregullores së Kuvendit, çështja e Armando Prengës pritet të kalojë nëpër të njëjtat procedura si në rastet e deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku kur prokuroria kërkoi autorizim për arrestim. Por i vetmi ndryshim, është se deputeti i arrestuar në flagrancë nuk ka të drejtën e mbrojtjes para anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, i cili shqyrton kërkesën e organit të akuzës e cila do të depozitohet ditën e sotme në Kuvend. “Në rastin kur një deputet është ndaluar ose arrestuar pa autorizim në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Kryetarin e Kuvendit. Kryetari i Kuvendit thërret menjëherë Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, i paraqet dokumentet e përcjella nga Prokurori i Përgjithshëm dhe i kërkon të shqyrtojë çështjen”, thuhet në pikat 1 e 2 të nenit 119 të Rregullores së Kuvendit. Po sipas këtij neni, në pikat 3 dhe 4 të tij, përcaktohet që këshilli përgatit raportin, i cili i dërgohet seancës plenare brenda dy ditëve, ku deputetët vendosin me votim të fshehtë, pro ose kundër masës së ndalimit ndaj deputetit Armando Prenga. Dhe me shumë gjasë, një votim i tillë do të ndodhë pikërisht pasditen e nesërme, në seancën inauguruese të punimeve parlamentare ku do të bëhet dhe çelja e sesionit të ri parlamentar. “Këshilli, brenda 2 ditëve nga njoftimi i Kryetarit të Kuvendit, shqyrton nëse ka vend për procedim ndaj deputetit të arrestuar ose të ndaluar, duke dëgjuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe deputetin e ndaluar ose të arrestuar. Këshilli paraqet raportin për seancën plenare të Kuvendit, e cila thirret nga Kryetari i Kuvendit brenda 2 ditëve nga paraqitja e raportit. Kuvendi, me votim të fshehtë, duhet të vendosë për heqjen ose mosheqjen e masës së ndalimit ose të arrestimit të deputetit”, thuhet në nenin 119 të Rregullores. Duke u nisur nga deklaratat publike të shumicës dhe pakicës se çdo kërkesë e prokurorisë do të miratohet, nuk ka asnjë dyshim për vendimmarrjen e Kuvendit.
Grushtet në Kuvend
Prej dy legjislaturash, Armando Prenga është deputet i Partisë Socialiste për Qarkun e Lezhës. I lindur më 26 qershor të vitit 1974 në Laç, 41-vjeçari Prenga ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik dhe sipas të dhënave nga Kuvendi i Shqipërisë ka kryer punën e juristit në aktivitete private. Prenga është anëtar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Por pavarësisht CV-së së tij, aktivitetin politik në Kuvendin e Shqipërisë, Armando Prenga nuk e filloi me ndonjë fjalim mbi zhvillimin e Kurbinit apo mbi sistemin gjyqësor, që nisur nga diploma e juristit që mban në xhep mund të flasë lirisht. Pasi përveç rastit që politikanët shqiptarë shquhen në mosgjetjen e konsensusit mes tyre, ata dallohen edhe për një fakt tjetër që ka të bëjë me përdorimin e forcës fizike në ambientet e Kuvendit, duke u dhënë në këtë mënyrë qytetarëve që i kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar ndeshje spektakolare boksi. Dhe një ndër këta “boksierë” parlamentarë ndër vite mund të renditet edhe deputeti Armando Prenga. Pak kohë pasi socialistët u rikthyen në Parlamentin e zgjedhur në 2009, ndërsa deputeti demokrat Edi Paloka, po përplasej si zakonisht verbalisht me kolegët e opozitës së asaj kohe, konkretisht me socialistin Paulin Stërkaj në seancën e 10 shkurtit 2011, Armando Prenga, do ngrihej nga vendi duke iu afruar kolegut demokrat të Qarkut të Lezhës, të cilin e qëlloi me një grusht të thatë poshtë mjekrës. Shkak i tensioneve në sallën e Kuvendit në atë kohë ishin zhvillimet politike që shkaktoi demonstrata e dhunshme e 21 janarit të atij viti, ku u vranë të paktën 4 protestues në sheshin para godinës së Kryeministrisë. Një tjetër rast i bujshëm i përfshirjes së Prengës në konfrontim fizik me kolegët e tij demokratë, siç ishte edhe ai i 27 majit me deputetin e PD-së, Gent Strazimiri, i cili do të goditej me rripin e pantallonave nga Prenga. Përveç problemeve të shkaktuara në Kuvend, Armando Prenga ka qenë një ndër deputetët e akuzuar më shumë nga opozita aktuale për lidhjet e tij në aktivitete kriminale.
Ky shkrim Imuniteti i Prengës, Prokuroria i paraqet sot kërkesën Kuvendit u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.