Vuçiç: Rama më ka ftuar në atë ndeshje dhe nëse nuk do të kem ndonjë punë shumë të rëndësishme, do të shkoj në Tiranë, respektivisht në Elbasan dhe të shkojmë bashkë në ndeshje. Pas kësaj të merremi vesh sesi serbët do të ndërtojnë hotele në Durrës, të merremi vesh sesi do të eksportojmë edhe ca gjëra në Shqipëri
Rama: Sigurisht që as Shqipëria, as Serbia dhe as Ballkani nuk mundet të bëhen nesër Gjermani, Francë apo kë të doni. Ajo që është e rëndësishme është se jemi në një situatë krejtësisht të re, krahasuar me një vit më parë. Po ju jap një shembull.
Vetëm të bashkuar mund të shkojmë drejt Bashkimit Europian. Ishte ky mesazhi i përbashkët i Kryeministrit Edi Rama dhe atij serb, Aleksandar Vuçiç, në emisionin “Fqinjësia” (Okruzenje), ku folën për sfidat ekonomike dhe politike në marrëdhëniet mes dy popujve. Ndërsa ndajnë qëndrime të ndryshme për çështje të caktuara, dy kryeministrat folën për një faqe të re bashkëpunimi, çka konsiderohet si një histori suksesi. “Ne nuk e kemi shpikur këtë nismë. Ne themi gjënë e duhur kur themi që Shqipëria dhe Serbia, por edhe shqiptarët dhe serbët në tërësi, mund të bëjnë për Ballkanin atë që bënë francezët me gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Bashkëpunimi rinor ishte një nga instrumentet e atij procesi historik që solli formësimin e BE-së dhe ne e kemi vendosur këtë”, tha Rama. Ndërkohë që Aleksandër Vuçiç, u shpreh se do të ishte mirë që bisedimet për bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Serbisë të kishin nisur kohë më parë, duke theksuar se është i gatshëm të marrë përsipër dhe një pjesë të fajit për këtë. “Do të ishte shumë më mirë që të kishim biseduar shumë më përpara, por nuk e kam shumë problem që një pjesë të fajit ta mbaj edhe personalisht dhe çdo gjë tjetër ta pranoj. Në Serbi ka shumë të atillë që do të thonë se si jam ulur dhe po flas, se kam nënçmuar Serbinë apo diçka tjetër dhe do të ketë të atillë edhe në të ardhmen pasi të gjitha i kemi provuar. Tani do të përpiqemi në një mënyrë tjetër duke i respektuar edhe ata, por në radhë të parë, të respektojmë veten dhe popullin tonë. Unë kam qenë dhe mbetem serb dhe jam krenar për këtë, ashtu siç edhe Rama do të jetë gjithmonë krenar se është shqiptar”, tha Vuçiç. Intervista, e cila kishte edhe nota humori nga të dy kryeministrat, nuk mbeti pa kritikat ndaj Bashkimit Europian. “Sa herë unë kritikoj BE-në, kur mbaroj, ai thotë: Bravo! Shumë mirë bëre! I kemi ndarë rolet, nuk ka problem. Ajo që është e rëndësishme, është ajo që ne tanimë kemi filluar të ndërtojmë një partneritet edhe në raport me institucionet financiare. Është një çështje jo vetëm e jona, është një çështje e përbashkët që ne të bëhemi pjesë e BE”, tha Rama duke folur edhe për projektet ekonomike dhe ato për të rinjtë serbë dhe shqiptarë. Lidhur me pyetjen se çfarë do të doni të shihni ndryshe në politikën shqiptare, Vuçiç u shpreh me nota të larta vlerësuese për homologun e tij shqiptar, të cilin e cilësoi një lider botëror, ndërsa veten një lider lokal. “Nuk hyjmë në ato gjëra, ne bashkëpunojmë. Edi Rama është politikan botëror, ndërsa unë lokal. Unë nuk mund t’i ndryshoj qëndrimin Ramës për Metohinë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të bashkëpunojmë në vazhdimësi për paqe në Ballkan”, tha Vuçiç.
Kosova dhe “Shqipëria e Madhe”
Kosova është ndasia e madhe mes Tiranës dhe Beogradit, por që dy kryeministrat thanë se nuk e shohin si një pengesë për të mos biseduar. “Ka një mosdakordësi për Kosovën, por ajo që ka rëndësi është që kjo nuk është një arsye për të qenë barrikadë kundër njëri-tjetrit. Është një aspekt që na ndan pa na penguar që të bashkëpunojmë dhe vazhdojnë të hidhen hapa konkretë në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, hapa që shkojnë në të mirë të një procesi që kërkon kohën e vet”, deklaroi Kryeministri Rama. Ai e cilësoi si turp për Bashkimin Europian që Kosova është i vetmi vend ku njerëzit udhëtojnë me viza brenda Europës. “Pse Kosova sot është i vetmi vend dhe i vetmi popull pa të drejtë për të lëvizur lirisht në BE. Është një turp dhe një padrejtësi që BE e mban mbyllur atje brenda, një popull që është i vetmi në Europë që nuk lëviz dot pa viza”, u shpreh ai. Duke folur për një tjetër temë, që ka rritur tensionet mes dy shteteve, siç është ajo e “Shqipërisë së Madhe”, Kryeministri Rama e ka cilësuar këtë thjesht një ëndërr e nacionalizmave primitivë. Dy kryeministrat folën edhe për “Shqipërinë e Madhe”. Rama tha se ëndrra e shqiptarëve është që të jetojnë në të njëjtën hapësirë, por kjo ëndërr nuk duhet t’u lihet në dorë të nacionalizmave primitive. “A ka kuptim që të vazhdohet të flitet për ‘Shqipërinë e Madhe’ në këto kushte, kur jemi në një botë krejtësisht tjetër, në një kohë tërësisht tjetër dhe kur mundësitë për të qenë bashkë janë tërësisht të tjera?! Unë besoj që të gjitha këto mite të së shkuarës janë ushqim për barkun e një nacionalizmi primitiv që nuk ka lidhje fare me botën që meritojnë të rinjtë që sot zgjedhin të ikin, apo që qëndrojnë dhe nuk kanë ende atë që meritojnë. Ëndrra e shqiptarëve është që të jetojnë në të njëjtën hapësirë”, tha Rama. Për sa i përket bashkëpunimit mes dy vendeve, Kryeministri i Serbisë, u shpreh se duhet nisur nga “lufta” kundër racizmit që kanë dy popujt tanë. “Serbia dhe Shqipëria kanë biseduar ngushtë për bashkëpunimin dhe jam i interesuar për diçka të rëndësishme, pasi shqiptarët kanë pasur qëndrim racist ndaj serbëve dhe serbët po ashtu ndaj shqiptarëve dhe ne do të bashkëpunojmë në këtë drejtim dhe bashkëpunimi ynë të shkojë në të mirë të qytetarëve tanë, në shkëmbime kulturore e ekonomike, që të mësojmë për njëri-tjetrin më shumë dhe të bashkëpunojmë po më shumë me një këndvështrim të ri”- u shpreh ai.
Ky shkrim Rama-Vuçiç: Bashkëpunimi, e vetmja zgjidhje për rajonin u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.