Kuvendi organizon tryezë me ekspertë të të drejtave të fëmijëve. Hysi: Njerëzit nuk besojnë te reforma
Mosbesimi – “Edhe sot që ky komision i Nivelit të Lartë në Drejtësi ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe ka prodhuar tri dokumente të rëndësishme, njerëzit përsëri kanë atë dyshimin nëse do t’i shkohet deri në fund”
CRCA – “Të miturit kanë nevojë për vëmendje të veçantë dhe ne flasim për drejtësi, por realisht nuk ka drejtësi për të miturit. Shqipëria ka ekspertë mjaftueshëm për të punuar për të”
UNICEF-i – “Ne mbështesim hartimin e një kodi për të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre. Sistemi i zbatimit të ligjit, duhet t’u përshtatet fëmijëve dhe të mos i frikësojë ata”
BE-ja – “Duhet një sistem që punon për mbrojtjen dhe edukimin e tyre e jo për dënimin. Problem mbetet zbatimi i ligjeve, ndaj policia, prokuroria dhe gjykatat duhet të punojnë shumë”
Herion Mesi
Në tryezën e radhës për reformën në drejtësi, që shënoi dhe çeljen e parakohshme të punimeve parlamentare, fokusi i diskutimeve lidhej me drejtësinë për të miturit, ku ekspertë të nivelit të lartë vendas dhe të huaj sugjeruan jo vetëm shtimin e seksioneve për ta, por edhe shqyrtimin e mundësive për të krijuar një gjykatë për të miturit. Përfaqësuesit e UNICEF-it në vendin tonë rekomanduan gjithashtu hartimin e një kodi të posaçëm për minorenët, si edhe të përfshihet në Kushtetutë klauzola e parimit të interesit më të lartë të fëmijës. Në raportin e përbashkët të kësaj tryeze që u mbajt paraditen e djeshme në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, nënvizohet që të kihet parasysh që dënimi me burgim i fëmijëve të shihet si alternativa e fundit. “Reforma në drejtësi duhet të fokusohet në mbrojtjen e fëmijëve. Ne mbështesim hartimin e një kodi për të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre. Sistemi i zbatimit të ligjit, duhet t’u përshtatet fëmijëve dhe të mos i frikësojë ata”, theksuan ekspertët e UNICEF-it. Në të njëjtën linjë me ta u shpreh edhe kreu i bashkëpunimit të delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Yngve Engestrom. “Duhet një sistem që punon për mbrojtjen dhe edukimin e tyre e jo për dënimin. Problem mbetet zbatimi i ligjeve, ndaj policia, prokuroria dhe gjykatat duhet të punojnë shumë”, theksoi Engestrom. Ndërkaq, ekspertët e drejtësisë në vendin tonë gjatë fjalës së tyre para panelit nënvizuan mangësitë që ka sot legjislacioni shqiptar për sa i përket shmangies së ballafaqimit të viktimës fëmijë me të akuzuarin dhe faktit që edhe pse ka një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve, praktikisht te fëmijët nuk gjen zbatim. “Të drejtat e fëmijëve janë të shpërndara në ligje, të fragmentizuara në shumë ligje. Vështirësia që has një autoritet për të shkuar, për të bredhur sa nga njëra parcelë në tjetrën, dhe këtu përfshij jo vetëm gjyqtarët, por edhe avokatët, përmbaruesit, ndonjëherë noterët, të gjithë me radhë. Problemet e administrimit të drejtësisë për të miturit, mungesa e udhëzimeve të detajuara për gjykatën, mbajtja e gjatë në rajonet e policisë së të miturve, ambientet e papërshtatshme, mungesa e mjaftueshme e psikologëve, mungesa adekuate e shërbimeve ligjore. Të gjitha këto janë sfida që detyrimisht duhet të merren në konsideratë nga reforma në drejtësi”, tha ekspertja e drejtësisë, Arta Mandro.
Diskutimet
Ekspertët e të drejtave të fëmijëve, por dhe deputetët e Parlamentit nënvizuan faktin se fëmijët në Shqipëri përballen me mjaft probleme. Përfaqësuesja e opozitës në këtë tryezë, Majlinda Bregu, në fjalën e saj bëri apel që të forcohet roli i shërbimit social dhe i psikologëve. “Por besoj se dhe këtu është një element për t’u rregulluar, sepse e para, detyrimi ushqimor për fëmijën, duhet të jetë prioritet. Penalizimi në rastet kur ai nuk ndodh duhet të jetë po ashtu një prioritet. Pra, ne nuk mund të tolerojmë që një prind i papërgjegjshëm për vite të tëra me radhë, derisa të apelojë, t’i dalë data e apelit, të marrë vendimin nga apeli për pensionin ushqimor që i është caktuar për fëmijën, fëmija të rrijë pa ngrënë, sepse babai apo nëna e papërgjegjshme, ndodh më rrallë, nuk pranon që të paguajë pensionin ushqimor që i ka caktuar gjyqtari”, tha deputetja e PD-së, Majlinda Bregu. Ndërsa, anëtarja e majtë në Komisionin e Posaçëm në Reformën e Drejtësisë, Vasilika Hysi, ka deklaruar se kjo reformë është e vonuar te të miturit. Ajo u shpreh se reforma në sistemin e drejtësisë për të miturit duhet të jetë pjesë integrale e reformës dhe jo shtojcë e saj, pasi drejtësia për të miturit nuk është përfshirë në strategjinë për reformën në drejtësi. “1400 ekspertë, juristë, individë apo pedagogë janë shprehur për të kontribuar dhe sikur secili një fjali të shprehë, mendoni sesa punë voluminoze është bërë për të përgatitur kapitujt e draftit të reformës që përbëhet nga analiza, projektstrategjia dhe projekti i planit të veprimit. Në kapitullin e tretë gjendet lista e ligjeve që ekspertët kanë gjykuar se duhen ndryshuar. Po të shikojmë shtyllat e drejtësisë, ato janë 7 dhe ajo për të drejtat e fëmijëve nuk ka dalë si shtyllë më vete, por jo se ato nuk kanë rëndësi”, u shpreh Hysi. Duke marrë shkas nga kjo deklaratë, drejtori i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve (CRCA) Altin Hazizaj u shpreh se deri më tani nuk është treguar aspak vëmendje sa u përket të drejtave të të miturve, duke theksuar se gjatë këtyre viteve është dëshmuar se drejtësi për të miturit nuk ka në vendin tonë. “Të miturit kanë nevojë për vëmendje të veçantë dhe ne flasim për drejtësi, por realisht nuk ka drejtësi për të miturit. Shqipëria ka ekspertë mjaftueshëm për të punuar për të, ndaj duke shfrytëzuar këtë diskutim ju ftoj që t’i kushtohet një vëmendje e veçantë dhe rregullimit të sistemit të drejtësisë për të miturit”, u shpreh Hazizaj. Sipas statistikave zyrtare, tregojnë se që prej 2009-s gjykata ka dënuar me shërbim prove 1800 të mitur, të dhëna që analizohen nga ekspertët si trend në rritje i përfshirjes së të miturve në kriminalitet.
Kritikat për reformën
Ajo që ra në sy gjatë diskutimeve të djeshme në tryezën e nivelit të lartë të drejtësisë ku u diskutua drejtësia për të miturit si pjesë e reformës në drejtësi, ishin kritikat e shprehura nga deputetja socialiste, Vasilika Hysi, lidhur me ecurinë e këtij procesi. Gjatë fjalës së saj, Hysi deklaroi se njerëzit nuk besojnë te reforma në drejtësi, gjë që e ka detyruar Komisionin e Posaçëm që të bëjë transparencë dhe të kërkojë përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara në këtë reformë. “Ne vlerësojmë që publiku të ketë besim te puna e komisionit. Të gjithë ne jemi dëshmitarë që njerëzit nuk besojnë te reforma në drejtësi. Edhe sot që ky komision i Nivelit të Lartë në Drejtësi ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe ka prodhuar tri dokumente të rëndësishme, njerëzit përsëri kanë atë dyshimin nëse do t’i shkohet deri në fund”, tha deputetja socialiste, Vasilika Hysi.
Ky shkrim Reforma në drejtësi / Të miturit, ekspertët: Burgu për ta, alternativa e fundit u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.