Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Ndërhyrja e Greqisë për kishën, Rama: Ortodoksët shqiptarë nuk janë grekë

$
0
0

Konferenca

Reforma në drejtësi nga ekspertët, jo politika. Arrestimi i oficerit, sukses i policisë

Edi Rama Konferenca_1Greqia – Ka qenë një mundësi shumë e mirë, për të bërë të qartë, shkoqur, që hapësira e ushtrimit të besimit për besimtarët ortodoksë është një hapësirë sovrane dhe asnjë shtet fqinj nuk ka asnjë të drejtë mbi këtë hapësirë

Droga në Vlorë – Arrestimi nuk është një arsye për të treguar me gisht Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme apo qeverinë, por një arsye për ta përgëzuar Policinë që vepron edhe kundër të gjithë atyre që brenda saj shkelin ligjin

Reforma – Nuk është një reformë që e bën politika dhe aq më pak, një reformë që bëhet për interesat e ditës. Kështu që, këtë pyetje duhet t’ua drejtoni njerëzve që punojnë me reformën, unë nuk punoj me reformën

LSI – Për sa i përket merakut lidhur me LSI-në, janë si ato lidhur me Merkelin, i shihni vetë, i sajoni vetë, i komentoni vetë, i merrni vetë si të vërteta dhe pastaj thoni çfarë mendojmë ne për to

Artemisa Hoxha

Në konferencën e parë për mediat pas kthimit nga pushimet verore, kreu i qeverisë i bëri edhe një herë thirrje shtetit fqinj, Greqisë, për distancim nga çështjet e brendshme në vendin tonë, duke iu referuar këtu prishjes së Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi. Për numrin një të qeverisë, koha e ndërhyrjeve të fqinjëve në probleme të brendshme, qofshin ato me komunitete besimtare, ka marrë fund që me ndryshimin e qeverisë në vitin 2013. “Ka qenë një mundësi shumë e mirë, për të bërë të qartë, shkoqur, që hapësira e ushtrimit të besimit për besimtarët ortodoksë është një hapësirë sovrane dhe asnjë shtet fqinj nuk ka asnjë të drejtë mbi këtë hapësirë. Ortodoksët shqiptarë nuk janë grekë, janë shqiptarë. Ndërkohë që, për ortodoksët grekë që i përkasin minoritetit grek është e garantuar njësoj si për ortodoksët shqiptarë, pra, për të gjithë atë komunitet që ka atë besim, që të ushtrojnë lirisht besimin e tyre. Por koha kur Shqipëria të pranonte të tilla çudira dhe të tilla ndërhyrje ka marrë fund në 23 qershorin e 2013-s”, tha Rama. Kryeministri shtoi edhe një herë se marrëdhëniet me kishë ortodokse janë të mira edhe pas keqkuptimit që ndodhi pikërisht për kishën që do të ngrihet sërish në Dhërmi. “Marrëdhëniet tona me kishën ortodokse janë shumë të mira dhe do të jenë shumë të mira. Ky është një moment, kur për fat të keq ka pasur një keqkuptim nga ana e tyre,- që s’kam asnjë problem ta them,- është keqpërdorur nga të tjerët. E kemi thënë këtë që nga momenti i parë, do rindërtojmë shëmbëlltyrën e kishës së vjetër dhe do ta bëjmë atë hapësirë, një hapësirë ku do të ekspozohet historia e jashtëzakonshme shqiptare që ka marrë jetë mbi atë truall. Një histori e pararilindjes, për të cilën të gjithë duhet të jemi krenarë, por të cilën, sot për sot e kemi të varrosur nën ato gërmadha dhe atë ne do ta bëjmë me dije”, tha kreu i qeverisë.

Aksioni i drogës

Arrestimi i një prej zyrtarëve të Drejtorisë së Policisë në Vlorë për trafik të lëndëve narkotike, sipas Kryeministrit Rama është tregues se lufta kundër trafikut nuk prek vetëm trafikantët e kriminelët, por çdo shkelës të ligjit. “Oficeri i policisë, i përfshirë në veprimtarinë e trafikut, është arrestuar. Ne asnjëherë nuk e kemi pretenduar, nuk e pretendojmë dhe s’do ta pretendojmë kurrë dhe kush do të jetë në pushtet nesër dhe nëse do t’i shkojë mendja të pretendojë se të gjithë ata që punojnë në shtet, në polici, në administratë, janë engjëj se në pushtet jemi ne, do të bënte një marrëzi. Në qoftë se i del kundër rrugës së ligjit, shkon aty ku të takon. Arrestimi në fjalë nuk është një arsye për të treguar me gisht Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme apo qeverinë, por është një arsye për ta përgëzuar Policinë e Shtetit, që ashtu siç vepron kundër trafikantëve, kundër kriminelëve, kundër shkelësve të ligjit jashtë saj, vepron edhe kundër të gjithë atyre që brenda saj shkelin ligjin apo bashkëpunojnë me krimin”, theksoi Kryeministri, duke kujtuar këtu edhe shifrat konkrete të arritjeve të forcave të policisë. “Nga janari deri më sot kemi shifrën më të ulët të vrasjeve në Shqipëri, në 24 vitet e fundit. Shkoni merrni shifrat dhe më tregoni të kundërtën. Për të mos folur pastaj, për luftën kundër trafiqeve, luftën kundër drogës, sepse, nëse sot policia është në operacion të vazhdueshëm dhe në betejë të vazhdueshme kundër drogës dhe kjo është në sytë e publikut, ky nuk është tregues që këtu ka më shumë probleme. Ky është tregues që problemi që ka qenë aty dhe me të cilin nuk merrej kush”, shtoi Kryeministri Rama.

Reforma në Drejtësi

Reforma në Drejtësi, sipas Kryeministrit Rama do të jetë në duar të ekspertëve dhe jo politikës. “Kjo është një reformë që ia kam lënë ekspertëve, nuk është një reformë që po e bën politika. Ne kemi pranuar që të ngrihet grupi më i madh dhe më gjithëpërfshirës i ekspertëve, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, misioni i EURALIUS, misioni i OPDAT-it, Këshilli i Europës, kemi pranuar po ashtu që Komisioni i Venecias të jetë filtri përfundimtar. Jemi zotuar që çfarë produkti do të na sjellë reforma, pasi Komisioni i Venecias të ketë dhënë dritën jeshile, ne ta votojmë. Nuk është një reformë që e bën politika dhe aq më pak, një reformë që bëhet për interesat e ditës. Kështu që, këtë pyetje duhet t’ua drejtoni njerëzve që punojnë me reformën, unë nuk punoj me reformën”, tha Kryeministri Rama. Ai shtoi këtu se pikërisht miratimi i kësaj reforme, do të thotë kryerje e detyrës në raport me çfarë është kërkuar nga Bashkimi Europian.

Raporti me LSI

“Për sa i përket merakut lidhur me LSI-në, janë si ato lidhur me Merkelin, i shihni vetë, i sajoni vetë, i komentoni vetë, i merrni vetë si të vërteta dhe pastaj thoni çfarë mendojmë ne për to”. Ishte komenti i Kryeministrit Rama në lidhje me raportin me aleatin kryesor në qeveri, LSI, ku gjatë muajve të verës u fol se mes tyre ka një përçarje, referuar deklaratave të anëtarëve të LSI për taksat apo dhe operacionin për të luftuar informalitetin në vend. Në të njëjtën kohë pa kursyer batutat, kreu i ekzekutivit iu përgjigj edhe pyetjes në lidhje me problemin e furnizimit me energji në zonat bregdetare gjatë muajve të verës. “Investimet për rrjetin e shpërndarjes kanë filluar vetëm vjet, nga kjo qeveri. Janë ende telat e elektrikut të ‘shokut Enver’, atje. Jo, nuk bëj shaka, shkoni e shikojini. Jemi ende në kohën e Enver Hoxhës, në kohën e elektrifikimit në jug, për sa i përket shpërndarjes së energjisë. Ndërkohë që, ne kemi filluar punën dhe po investojmë. Sigurisht këto investime do të bëjnë edhe sigurinë e plotë të të gjithë rrjetit të shpërndarjes. Plus mos harroni edhe një gjë, temperaturat kanë qenë tejet të larta dhe kjo e rrit konsumin. Kështu që, kush thotë pse ka pasur shkëputje që nuk i kanë vënë re më parë, përgjigjja është kjo; Ka pasur një rritje të madhe të konsumit, edhe për shkak të rritjes së investimeve, në kuptimin e ndërtesave, të dhomave në dispozicion etj., edhe për shkak të temperaturave. Ju siguroj që edhe unë i kam përjetuar ndërprerjet e energjisë si të tjerët”, tha kreu i qeverisë.

Ky shkrim Ndërhyrja e Greqisë për kishën, Rama: Ortodoksët shqiptarë nuk janë grekë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>