Operacioni
Arrestohen dy kuksianë në momentin që do të shisnin lëndën plasëse, në kërkim i treti
Grupi hetimor tha se ka dyshime që dy të arrestuarit shisnin eksploziv për grupe kriminale
Dy kushërinj nga Kukësi kanë përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi dyshohet se tregtonin eksploziv për grupe të ndryshme kriminale. Ata janë kapur gjatë operacionit të koduar “Danger”, ku mësohet se u janë sekuestruar rreth 30 kg eksploziv plastik, ndërkohë që është shpallur në kërkim edhe një bashkëpunëtor i tyre.
Burimet policore të kryeqytetit bënë me dije se operacioni në fjalë është organizuar nga Drejtoria e Tiranës, pas informacioneve të marra në rrugë operative nga Komisariati Nr. 3. Gjithçka mësohet se ka nisur rreth një muaj më parë, kur efektivët e Komisariatit Nr. 3 kishin marrë informacion për tregtinë e paligjshme të lëndëve plasëse dhe menjëherë kanë nisur hetimet në bashkëpunim me sektorin e antitrafikut. Gjatë hetimeve të kryera nën drejtimin e prokurorisë, mësohet se efektivët e policisë kanë kontaktuar me personat që dyshohet se merreshin me trafikimin dhe tregtimin e lëndëve plasëse për grupe të ndryshme kriminale brenda vendit. Nga verifikimet ka rezultuar se ata ishin Sokol Sinani, 31 vjeç, dhe Imerli Metaj, 37 vjeç, të dy banues në Kukës, të cilët janë arrestuar gjatë operacionit të djeshëm.
Policia, e cila ka mbikëqyrur këta dy persona, bashkë me një të tretë, prej rreth një muaji, ka konstatuar se dje po transportonin lëndë plasëse nga Kukësi drejt Tiranës. Në këto kushte, grupi hetimor ka vendosur të ndërhyjë për kontrollin dhe më pas arrestimin e tyre. Burime nga policia bëjnë me dije se atyre u është gjendur një sasi prej 126 copë eksploziv plastik (xhelatin) me peshë të përgjithshme 30 kg. Po ashtu, gjatë kontrollit u sekuestruan edhe 45 kapsolla plasëse që shërbenin për plasjen e kësaj lënde. Burimet zyrtare policore thanë se kapja e tyre është bërë në momentin kur ata po realizonin dorëzimin e lëndës plasëse. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gjithashtu edhe dy celularë dhe një shumë e konsiderueshme të hollash. Po punohet për kapjen e personit të tretë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, për të cilin është bërë dhe shpallja në kërkim e tij.
Policia tha se menjëherë pas realizimit të operacionit është kryer kontroll edhe në banesat e dy të dyshuarve, por nuk janë gjetur sende të tjera kriminale. Ndërsa në orët e vona të natës, ata janë marrë në pyetje në lidhje me sasinë e eksplozivit, por nuk kanë pranuar të flasin për oficerët e policisë. Burimet nga grupi hetimor vunë në dukje se aktualisht po hetohet për të gjetur origjinën e lëndës plasëse dhe për të zbuluar më shumë nga e shkuara kriminale e këtij grupi të rrezikshëm, i cili mendohet se ka furnizuar me lëndë plasëse banda kriminale. Red. Akt.
Ky shkrim Kapen 30 kg eksploziv plastik në Tiranë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.