Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Samiti i Vjenës, BE një “Plan Marshall” për Ballkanin

$
0
0

Pritet krijimi i fondit të posaçëm për zhvillimin e rajonit të brishtë

Bushati

Ministri Bushati ka nënvizuar se Shqipëria do të kërkojë një përqendrim të përpjekjeve të BE-së drejt një strategjie të re të ndërlidhjes energjetike të rajonit

Temat

Ministrat e Jashtëm të rajonit do të diskutojnë tri çështje kryesore: bashkëpunimin rajonal, emigracionin dhe dialogun fetar, përfshi antiekstremizmin

ARTEMISA HOXHA

vjenNjë “Plan Marshall” për Ballkanin Perëndimor, që do të krijojë mundësinë e zhvillimit të rajonit që kohët e fundit po kthehet në një lumë të pashtershëm emigrantësh drejt “brigjeve” të BE-së. Ky pritet të jetë vendimi i përfaqësuesve kryesorë të shteteve të BE-së në Samitin e sotëm të Vjenës, i cili pason atë të Berlinit. Nisma e Kancelares gjermane, Angela Merkel, duket se do të përkthehet në vlera monetare, në atë çfarë vendet e Ballkanit po presin, të cilat për herë të parë në historinë e tyre shekullore do të paraqesin në tryezën e Kancelares Merkel projektet e përbashkëta të zhvillimit infrastrukturor dhe në energji. Fondi për Ballkanin, sipas dhe disa mediave kosovare, pritet të themelohet në Samitin e Vjenës dhe do t’i sigurojë rajonit të brishtë miliarda euro për investimet e kërkuara. Ky mekanizëm ka qenë i negociuar edhe në samitin e vitit të kaluar në Berlin, nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama, Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Jose Manuel Barroso, kur ishte President i Komisionit Europian. “Selia e këtij fondi është paraparë të jetë në Tiranë. Me inicim të shefit të qeverisë shqiptare, Edi Rama, për udhëheqës të këtij mekanizmi, është propozuar pikërisht Jose Manuel Barroso”, theksojnë mediat. Ndërsa një gjë e tillë pritet të konfirmohet. Paralajmërimin për krijimin e një fondi të tillë e jep dhe gazeta “Süddeutsche Zeitung”. “Në fakt, në Konferencën e Ballkanit që nis të enjten në Vjenë, në radhë të parë duhet të bëhet fjalë për një Plan Marshall për rajonin. 30 kryetarët e shteteve dhe ministrat vijnë në konferencën pasuese të një nisme të filluar më 2014-n në Berlin e natyrisht disa prej diplomatëve do të celebrojnë nënshkrimin e disa marrëveshjeve të përgatitura mirë si Marrëveshja për Kufirin mes Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës apo Marrëveshja për Kulturën mes Austrisë dhe Kosovës. Por këto janë çështje anësore, edhe pse shumë politikanëve të Ballkanit u vjen thellësisht keq, që në Vjenë sërish nuk do të bëhen përpjekje për zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata për shumë probleme të rajonit. Faktikisht mbi të gjitha do të jetë në fokus tema e refugjatëve. … Asnjë vend europian nuk mund të gjejë i vetëm një zgjidhje, argumentohet në Vjenë, ndaj në një shkresë drejtuar së fundi së ngarkuarës së BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, kërkohet një qasje komplekse dhe e koordinuar ndaj kësaj çështjeje”, thekson e përditshmja gjermane.

Azilantët

Në samit, një vëmendje e madhe pritet t’i kushtohet çështjes së azilantëve, ku Kancelarja Merkel dhe drejtuesit e Komisionit Europian, pritet t’i kritikojë krerët e shteteve të Ballkanit për mungesën e bashkëpunimit. Kështu, zhvillimet e fundit në rajon, siç është ajo e emigrimit të qytetarëve drejt vendeve të BE-së, do të zënë një pjesë të konsiderueshme gjatë bisedimeve të liderëve të Ballkanit. Bashkëpunimi rajonal, emigracioni dhe dialogu fetar, përfshi antiekstremizmin do të jenë temat që do të diskutohen, përveçse mbështetjes me fonde të projekteve konkrete, për të cilat BE-ja ka rënë dakord që t’i mbështetë financiarisht. Duke folur për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Samitin e Vjenës, kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati, është shprehur se, Shqipëria në këtë samit do të kërkojë mbështetje në katër fusha kryesore, në infrastrukturën rrugore, në projekte për procesin e infrastrukturës energjetike, kapitalet njerëzore, arsimimi e edukimi dhe në fund turizmi. Ndër të tjera, pritet që në Tiranë të jetë selia e Fondit të Ballkanit Perëndimor, ku do të synohet përfshirja e gjithë vendeve të rajonit në këtë fond, me qëllim dhënien e ndihmës në hartimin dhe në financimin e projekteve.

Axhenda dhe projektet

Në Samitin e Vjenës pritet të miratohet platforma për të inkurajuar dhe mbështetur mobilitetin e të rinjve, programet e shkëmbimit dhe të trajnimeve profesionale, duke përfshirë forcimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e kapaciteteve profesionale në fusha si siguria energjetike, transporti, infrastruktura dhe turizmi. Sipas axhendës së Samitit të Vjenës, më 26 gusht, rreth orës 13:00, parashikohet një panel diskutimi mes ministrave të Integrimit dhe atyre të Jashtëm me temë “Mosmarrëveshjet bilaterale në Ballkanin Perëndimor”. Ky panel do të pasohet nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me karakter kulturor mes Austrisë dhe Kosovës. Ndërkohë që dita e parë e samitit do të mbyllet me një ndeshje futbolli mes dy ekipeve, që do të quhen “E ardhmja e BE-së” dhe “Ekipi i BE-së”. Në fushën e blertë austriake ekipin e të “Ardhmes së BE-së” do ta përfaqësojnë Kryeministri Edi Rama me dy ministrat e tij, Arben Ahmetaj dhe Ditmir Bushati, nga Bosnja ministri Crbadak, nga Kosova, Hashim Thaçi, nga Maqedonia Kryeministri Gruevski dhe nga Serbia, Kryeministri Vuçiç. Ndeshjen do ta arbitrojë komisioneri Hahn. Nesër, dita e dytë e Samitit, do të nisë me diskutimet për ndërtimin e autostradës Nish – Prishtinë – Durrës, ku në panel do të jenë Kryeministri Rama, ai serb Vuçiç, komisioneri i Bankës Europiane të Investimeve, Hoyer, komisioneri Hahn dhe presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Chakrabati. Ndërkohë që paralelisht me këtë takim do të zhvillohet edhe ai i ministrave të Ekonomisë, nën drejtimin e ministrit austriak të Ekonomisë, Mitterlehner. Në përfundim të Samitit, Kancelari austriak Faymann, Kancelarja gjermane, Merkel, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Përshpejtoni reformat dhe stabilitet në rajon

Zbulohet drafti i deklaratës së përbashkët të samitit

“Pa Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Europian do të ishte i paplotë.” Kështu nis deklarata paraprake, e cila pritet të miratohet në fund të samitit dyditor nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në Samitin e Vjenës. Në deklaratën paraprake, theksi vendoset pikërisht në anëtarësimin e vendeve të rajonit në BBE, kjo falë progresit të bërë, si dhe asaj çka po bën për një rajon stabël. “Progresi i arritur është i rëndësishëm, megjithatë, nuk duhet të merret si i mirëqenë. Stabiliteti i rajonit qëndron ende mbi themele të paqëndrueshme, ku ende varet nga mbështetja e Bashkimit Europian. Perspektiva e anëtarësimit në BE deri më tani ka qenë nxitësi i vetëm dhe më i rëndësishëm për zbatimin e reformave të vështira, por të domosdoshme dhe për përpjekjet e qëndrueshme ndaj pajtimit në rajon. Angazhimi ynë për një Ballkan Perëndimor me një perspektivë europiane mbetet çelësi për të siguruar stabilitet të qëndrueshëm në rajon”, thuhet në deklaratë, ku shtohet pikërisht edhe roli i Samitit të Vjenës në angazhimin sa më shumë të vendeve që e kërkojnë anëtarësimin në BE. “Objektivi i tij është i trefishtë: së pari, për të nxjerrë në pah përparimin e arritur në rajon, i dyti, për të rikonfirmuar dhe përforcuar perspektivën europiane të të gjitha vendeve të rajonit dhe e treta, të përshpejtojë reformat, për të rritur mundësitë ekonomike dhe të inkurajojë bashkëpunimin në rajon. Vitin e kaluar në Berlin, ne ramë dakord që të përqendrohemi në projekte konkrete, thjesht sepse popujt e Ballkanit Perëndimor presin përfitime të prekshme në rrugën drejt Bashkimit Europian, në fusha të tilla si lidhjet mes vendeve, punësimi, arsimi, të drejtat e njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë”, thuhet më tej. Një vëmendje në deklaratë ka marrë edhe roli i shoqërisë civile dhe medias së lirë. “Një shoqëri e gjallë civile dhe media e lirë janë shtyllat kryesore të çdo demokracie moderne dhe të suksesshme. Forumi ynë i Shoqërisë Civile të nxjerrë në pah vlerën e tyre, të krijohen forume për debat dhe zgjidhjen paqësore të çështjeve sociale, si dhe rolin e tyre të rëndësishëm në mbajtjen e qeverive në llogaridhënie”, thuhet në draft-deklaratë. Në të njëjtën kohë nuk mbeten pa u përmendur dhe zhvillimet në rajon, përfshi këtu emigracionin apo dhe incidenti i ndodhur me Kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç, në Srebrenicë. “Incidenti në Srebrenicë këtë vit, si dhe sfidat e reja, siç janë ato me emigracionin, me keqardhje tregojnë se në rajon mbetet shumë për t’u bërë. Megjithatë, ka edhe histori suksesi. BE-ja ka ulur në tavolinë për bisedime Serbinë dhe Kosovën, të cilat kanë arritur progres në rrugën për një normalizim të marrëdhënieve mes tyre. Në Bosnjë-Hercegovinë, BE-ja ka kontribuuar duke fokusuar vëmendjen në reformat socio-ekonomike, nga të cilat përfitojnë të gjithë njerëzit”, thuhet në deklaratën paraprake. Ndër të tjera, duke u fokusuar në tensionet në Ballkan dhe zgjidhjen e një prej çështjeve, siç është ajo e emigrimit, vendet e rajonit bien dakord që “këto zhvillime krijojnë sfida të rëndësishme për menaxhimin e kufijve dhe sistemeve për azil në disa vende të Ballkanit Perëndimor, çështje që është në diskutim edhe mes vendeve të BE-së. “Ne jemi të bindur se Samiti në Vjenë dhe procesi që ka vazhduar, ai i Berlinit, do të kontribuojë në qëllimin përfundimtar të anëtarësimit në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në fund të deklaratës.

Ky shkrim Samiti i Vjenës, BE një “Plan Marshall” për Ballkanin u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>