Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Rama: Shqiptarët po ikin nga Greqia dhe i drejtohen Gjermanisë

$
0
0

Kryeministri shpall luftë kundër korrupsionit në drejtësi. “Greqia? Shqipëria nuk pranon tutelë”

Edi-Rama-kompiuter-Twitter-565x382Kryeministri Edi Rama, në një “konferencë” treorëshe me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, u ka dhënë përgjigje të gjitha çështjeve që prekin shqiptarët, ekonominë, çmimi i lartë i naftës, eksodi masiv i azilantëve. Rama është shprehur i vendosur në luftën kundër korrupsionit në administratë dhe mbi të gjitha në sistemin gjyqësor.

Cilat do të jenë masat e qeverisë suaj për të ulur çmimin e naftës në tregun vendas?

Çmimi i naftës në Shqipëri është si kudo tjetër, por te ne ka brenda edhe taksën e qarkullimit që gjetkë paguhet veçmas.

Rama, kur do të marrë shteti masa për kontrabandën që bëhet në doganat e Jugut?

Fenomeni i kontrabandës në dogana është minimizuar ndjeshëm, mos dëgjoni bufat e natës politike! Po sigurisht që lufta bëhet përditë.

A është e mundur të ndryshohet ligji ku gjykatës të jenë edhe të huaj?

Mendoni se do të ishte një e mirë për shqiptarët?

Reforma në drejtësi do të japë një përgjigje të plotë për të gjitha pikëpyetjet që koha ka ngritur mbi kufomën e drejtësisë.

Pse duhet të vazhdojmë të besojmë ende te ju z. Kryeministër?

Kësaj duhet t’i përgjigjeni ju, unë di vetëm që në kujtesën time nuk e kam një qeveri tjetër që të ketë bërë kaq reforma.

Përse shëndetësia është në gjendje skandaloze si në kohën e Berishës, akoma merren çarçafët me vete?

Kjo është e pavërtetë e madhe. Shkoni në QSUT e shikojeni ndryshimin që vazhdon. Në çdo spital ka ndryshime.

Çfarë do të bëhet me punëtorët e minierës në zonën D të Bulqizës?

Zona D ka një rrezikshmëri të lartë, për shkak të barbarizmit ekstrem shumëvjeçar në shfrytëzim! Në javët e ardhshme do të ndërhyhet.

Kur do të mbarojë korrupsioni në dogana?

Është ulur ndjeshëm, por lufta me korrupsionin nuk mbaron kurrë në asnjë vend, sado i zhvilluar.

Pse paratë e konfiskuara nga krimi, korrupsioni nuk përdoren për të krijuar një fond për bursa për studentët në nevojë?

Me ligjin e ri të arsimit të lartë studentët në nevojë do të financohen nga shteti.

A mundet që kush dorëzon kuponët tatimorë të shpenzimeve mujore të rimbursohet pjesërisht?

Jo, sepse pjesa që u takon qytetarëve nga kuponi tatimor do t’u kthehet në rritje rrogash, ulje taksash, investime në komunitet.

Dhe sa kohë do të presë Vlora për t’u furnizuar me ujë 24 orë pa ndërprerje?

Një sistem i shkatërruar ujësjellësish në njëzet e ca vjet nuk rindërtohet dot i gjithi në me pak se dy vjet. Duhen para e kohë!

A do e shkulim nga rrënjët njëherë e mirë korrupsionin në gjykatat shqiptare?

Do ta godasim korrupsionin në drejtësi siç nuk ia rrok mendja shumëkujt brenda apo jashtë sistemit.

Çdo të bëhet me legalizimet e njësisë numër 4?

Kemi bërë më shumë legalizime se në tetë vjetët e qeverisë së shkuar, po s’kemi shkop magjik që t’i bëjmë të gjitha menjëherë.

A keni ndonjë projekt për liqenin e Paskuqanit?

Kjo është një pyetje për kryebashkiakun e Kamzës, ai mund t’ju përgjigjet nëse s’është i zënë në ndonjë seancë gjykate a prokurorie!

Sallonet e bukurisë fitojnë shumë e nuk japin kupon tatimor. Kur do të rregullohet kjo?

Kur ju të mos ikni pa marrë kuponin ose të mos paguani shërbimin po s’ju dhanë kupon ose të denonconi që nuk ju dhanë kupon.

Zoti kryeministër, a do të hapet puna në Shqipëri që të kthehen emigrantët nëpër vendet e tyre?

Ka plot emigrantë që janë kthyer në Shqipëri dhe janë në punë.

Çfarë masash konkrete do të ndërmerrni për të luftuar fenomenin e punës në të zezë dhe kur?

Do të vazhdojmë siç e kemi filluar, kemi nxjerrë nga skllavëria e punës në të zezë dhjetëra e mijëra njerëz që sot janë të siguruar.

Kur do të bëni diçka që të mbroni konsumatorin nga çmimet abuzive?

Çmimet në Shqipëri s’kanë pësuar asnjë rritje të pazakonshme dhe inflacioni është minimal, ndërsa konsumi është rritur ndjeshëm.

Mund të dimë se çfarë plani keni me azilantët e Gjermanisë?

E përsëris, shumica e shqiptarëve që ikin në Gjermani janë shqiptarë që ikin kryesisht nga Greqia, po jo vetëm. Sigurisht dhe nga këtu.

Kur do të ketë vende pune me paga që do të përballohet jetesa e shtrenjtë?

Pagat do të rriten kur të ulet informaliteti, kush do rritje page mos të lërë kupon pa marrë kur blen një mall apo pi qoftë një kafe.

Çmimi i karburantit sot në Shqipëri është 1.33 €/L e ndërkohë në Maqedoni apo Malin e Zi kanë një çmim gati 40% më të lirë?

Fqinjët paguajnë taksë qarkullimi veçmas, ndërsa në Shqipëri kjo taksë është brenda çmimit. Llogaria në xhep është e njëjta.

Kur do të rifillojnë punimet në autostradën Tiranë – Elbasan?

Rrëshqitjet e mëdha për shkaqe madhore, por dhe për faj të një projekti mizerabël, e kanë rritur shumë koston, po punojmë për zgjidhjen.

Do të krijoni vende pune të reja, të zhvilloni bujqësinë, blegtorinë, industrinë, të ngrini fabrika të reja?

Në librat e llogarive të shtetit shqiptar janë shtuar më shumë se 100 mijë njerëz që punojnë dhe mbi 30 mijë biznese të regjistruara.

Çdo të ndodhë me politikën e jashtme në një kohë marrëdhëniesh aspak bujare me fqinjët dhe Brukselin?

Politika jonë e jashtme është në ditët e saj më të mira në shërbim të dinjitetit të vendit, që s’tradhtohet nga qeveria e vet.

A mund të bëni diçka për linjat ajrore? Biletat e avionëve janë shumë të shtrenjta?

E di, pasojë e një kontratë koncesioni problematik, por nuk po rreshtim së negociuari me koncesionarin.

Ku jemi me ligjin për votën e shqiptarëve me banim përkohësisht e përgjithnjë jashtë vendit?

Do të bëjmë çmos ta bëjmë realitet në zgjedhjet e vitit 2017, si zotim programor i PS-së dhe LSI-së, por edhe si detyrim kombëtar.

Kur do të ndodhë bashkimi kombëtar?

Bashkimi kombëtar ka ndodhur i dashur mik, na takon ne ta bëjmë realitet të prekshëm pa kufij për ekonominë dhe çdo ndërveprim shoqëror.

Përse Greqia duhet të ndërhyjë gjithmonë në çështjet e brendshme të Shqipërisë?

E bënin shpesh në të shkuarën, e bëjnë me rrallë. Duan ende kohë si duket që ta kuptojnë se Shqipëria s’pranon me tutelë.

Po krijohet një situatë e pakëndshme lidhur me ngjarjen e kishës së Dhërmiut, cili është qëndrimi juaj?

Është të qeshësh e qash që një ngrehinë si garazh e quajnë kishë dhe vënë kujën pse po rikthejmë në jetë trashëgiminë tonë!

Pse Presidenti po kthen kaq shumë ligjet e miratuara nga Parlamenti?

Pyesni Presidentin. Për ne është thjesht humbje kohe, sepse çdo ligj do ta rivotojmë pikë e presje.

Plaku Mere (Berisha) sapo po mban fjalim, kur do dali në pension ky njeri që është në skamje të plotë mendore?

Mos u qani kot, flet e flet po dëm s’bën dot më, mund të qeshni po patët nge ose mund ta avulloni me një sustë në telekomandë.

A do i takoni azilantët shqiptarë kur të shkoni në Gjermani? Çfarë do u thuash atyre? Pse nuk keni folur për ta?

Në Gjermani nuk merr dot azil politik asnjë shqiptar, ndërsa azil ekonomik nuk ka! Prandaj kush e merr atë rrugë, vetëm humbet.

Reforma në drejtësi a do të përfshijë avokatët që, sipas meje, janë më të korruptuarit në sistem?

Reforma në drejtësi do të jetë një ndërhyrje kirurgjikale, e cila do të përfshijë sigurisht të gjithë sistemin.

Kur do të kemi një përgjigje për zullumet që kanë bërë për 8 vjet ish-pushtetarët?

Ajo kohë ka vdekur 25 vite më parë. Por jemi zgjedhur për të krijuar kushtet që drejtësia të funksionojë. Me reformën në drejtësi që do të kalojë në vjeshtë, krijohen hapësira për të shkuar më tutje në trajtimin e çështjeve si 21 janari.

A do të gjeni mekanizëm ligjor të detyroni kryebashkiakët për iniciativa që të lirojnë hapësirat publike?

Procesi i nisur në Tiranë për lirimin e hapësirave publike do të shtrihet shumë shpejt në të gjithë territorin e vendit.

Çfarë do të bëhet me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave?

Ana pozitive e kësaj reforme është që pronari kompensohet për të gjithë sipërfaqen dhe jo vetëm për 200 m² sikurse është bërë deri tani.

Si do të zgjidhet çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave, zoti Kryeministër?

Kompensimi i pronave do të marrë zgjidhje përfundimtare brenda një afati prej 10 vitesh nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Reforma synon që padrejtësitë t’i riparojë, duke shpërblyer pronarin për atë tokë që i është marrë pa shpërblim.

Po ish-tokat bujqësore apo ullishtat që u dhanë fshatarëve që banonin në fshat, si t’i marrim?

Ndryshe nga ligji aktual që ka trajtuar me kompensim vetëm tokën truall, ligji i ri përcakton kompensim për të gjitha llojet e tokës.

Kryeministër, projektin madhor hekurudhor me Kosovën kur do e filloni?

Aktualisht po vlerësohet mundësia e ndërtimit të lidhjes së re hekurudhore Milot – Prizren – Prishtinë. Kostot e larta janë të pamundura që të përballohen nga qeveritë e dy vendeve tona, ndaj po negociohet me BE-në për konkretizimin. Momentalisht është e parakohshme të përcaktohet

Parashikohet ndonjë spastrim total mbas testimit në shëndetësi se e morën këtë milet në qafë?

Infermierët që nuk kaluan pragun e nevojshëm do t’i nënshtrohen një procesi rigoroz të edukimit profesional. Vlerësimi nuk parashikon spastrim, por evidentimin e mangësive për një ndërtim më të mirë të politikave arsimore dhe edukuese.

Çfarë do të bëni me spitalet, infermieret, pazaret për operimet? Mjerë kë zë për spital?

Shlyem detyrimet e prapambetura, siguruam që spitalet të jenë të furnizuara me barna, pajisjet mjekësore janë në funksionim të pandërprerë. Krahas portalit online, reformat e ndërmarra kanë minimizuar mundësinë për sjellje korruptive. Kemi ngritur një portal online për denoncimin e rasteve të korrupsionit. Një numër mjekësh janë pezulluar apo çuar për ndjekje penale.

Si kryeministër i Shqipërisë e i gjithë shqiptarëve, a interesoheni për shqiptarët e Maqedonisë?

Shqipëria ndjek në mënyrë konstante dhe me kujdes të veçantë të gjitha zhvillimet politike e sociale në Maqedoni. Avancimi i të drejtave të shqiptarëve është bërë prezent në mënyrë aktive në interesimin tonë për stabilitetin e Maqedonisë.

Çfarë dinamizmi ka krijuar qeveria shqiptare në raport me Luginën e Preshevës?

Qeveria është interesuar për përmirësimin e jetesës së shqiptarëve, duke vendosur Preshevën në axhendën e bisedimeve me Serbinë. Interesimi ynë për Preshevën është materializuar me asistencën në shëndetësi e rritjen e kuotave për arsimim në universitetet shqiptare.

Kur do të rihapet gjahu, si do të rihapet dhe a do të bllokohen ata që gjuajnë natën?

Moratoriumi i gjuetisë është një domosdoshmëri për ripërtëritjen e llojeve të faunës, e dëmtuar rëndë pas shumë vitesh abuzimi. Me përfundimin e moratoriumit e pas vlerësimit të rezultateve, një grup ekspertësh do të përcaktojnë datat, orarin e lejuar të gjuetisë. Moratoriumi i gjuetisë skadon në mars 2016, por po vlerësohet mundësia e zgjatjes së tij edhe për një periudhë tjetër kohore.

Pse Shqipëria nuk përfiton nga paketat e programeve të BE-së për zbatimin e shumë projekteve?

Shqipëria ka përfituar në vite nga programet e Bashkimit Europian dhe që prej 2014-s përfiton nga asistenca e re financiare IPA II. Shqipëria përfiton nga programi kombëtar IPA rreth 80 mln euro çdo vit dhe merr pjesë në tetë programe të bashkëpunimit territorial. Përfiton nga programet rajonale të BE-së: programi IPA shumëvendësh, WBIF, 8 programe të Unionit. Këto programe gjenerojnë mjaft projekte.

Çfarë është bërë për zbardhjen e vrasjeve të Fatmir Xhindit, Artan Santos, Remzi Veselit?

Për dy të parët po punohet ngushtë me prokurorinë, por hetimet paraqesin vështirësi. Ka informacion me interes për zbardhjen e vrasjeve. Për ish-kryetarin e Komunës, dosja u pezullua në 2012-n dhe policia ka dyshime të forta për autorët, ndaj po punon fort për zbardhjen e tyre.

Çfarë masash do të merrni për korrupsionin në ambasadën shqiptare në Greqi?

Çdo qytetar që ka prova dhe fakte të na vërë në dijeni, sepse vetëm kështu mund t’i luftojmë këto fenomene. Aksioni për ndëshkimin e të gjithë shkelësve të konstatuar do të vazhdojë. Jemi të vendosur për të mundësuar shërbime cilësore për të gjithë qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë dhe punojnë.

Pse dreqin nuk i fut në burg këta që nuk u mbledhin taksa bizneseve të mëdha që i paguajnë si të vogla?

Si u bë në aksionin kundër vjedhjeve në energji, betejës kundër informalitetit nuk do i shpëtojnë tatimorët dhe as doganierët e korruptuar. Përkundrazi! Kjo është një betejë e jashtëzakonshme në mbrojtje të tyre, të konsumatorit dhe biznesit të ndershëm që paguan taksa.

A mund të ulen çmimet (e ushqimeve, karburantit etj.) ose të rriten rrogat?

Lufta e përbashkët me informalitetin do të na japë mundësinë që të rritim rrogat dhe të ulim taksat.

Të lutem më njoftoni ku mund të denoncoj persona të inkriminuar?

Në portalin unik të denoncimeve www.stopkorrupsionit.al.

Pse nuk na e keni bërë Rrugën e Arbrit, Dibër – Tiranë?

Në pjesën ku punimet kanë filluar po investohet nga buxheti i shtetit. Shumë shpejt do të përfundojë edhe kompletimi i këtij aksi. Fillimi i rikonstruksionit të kësaj rruge është tashmë në planet e punës të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Në pjesën ku nuk kanë filluar punimet po negociohet për marrëveshjen financiare dhe kontratën e ndërtimit me një kompani kineze. Në pjesën ku punimet kanë filluar po investohet nga buxheti i shtetit. Shumë shpejt do të përfundojë edhe kompletimi i këtij aksi.

A do të hapen doktoraturat në universitetet publike?

Hapja e doktoraturave pa garantuar standardet nuk është objektivi ynë. Vetë universitetet po analizojnë kushtet për hapjen e tyre. Analiza e deritanishme tregon se ka nevojë për ndryshime dhe përmirësime thelbësore, për të garantuar standardet e kërkuara.

A keni plan për të bërë ndonjë gjë për sportin?

Sporti dhe sportistët kanë marrë vëmendje të veçantë. U shlyen të gjitha borxhet ndaj sportistëve. Kemi investuar 25 mln USD në stadiume dhe terrene sportive më shumë sesa është investuar në 20 vite të marra së bashku. Do të vazhdojmë të bëjmë akoma edhe më shumë në vijim.

Stadiumin në Tiranë do ta bëni?

Sapo ndërtuam stadiumin “Elbasan Arena” dhe po ecën me ritmet e parashikuara puna për stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Gjatë kësaj qeverisje, 44 terrene i janë shtuar vendit. Do të vazhdojmë të investojmë për sportin, për terrene sportive dhe stadiume.

Premtuat se do të merren masa drastike kundër ndotjes akustike, pse asgjë nuk ka ndryshuar?

Rikthimi i ligjshmërisë nisi me lirimin e hapësirave publike, pastrimin e plehrave dhe shumë shpejt aksioni do të shtrihet te zhurmat.

Pse shpenzimet e pasaportave duhet t’i paguajmë ne kur ka qenë një gabim i kompanisë dhe i shtetit?

Afati ligjor për pasaportat e fëmijëve është 5 vjet. Ju nuk po paguani shpenzime shtesë, por po përfitoni një vit shtesë.

Pyesni një herë të vetme veten çfarë kam bërë për këta refugjatët kaq vite?

Në vetëm 18 muaj, zgjidhëm problemet e toponimeve me Greqinë dhe siguruam furnizimin me tekste të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve. Kemi nënshkruar marrëveshjen e njohjes së pensioneve me Maqedoninë, Luksemburgun, Rumaninë dhe Hungarinë. Këtë vjeshtë presim të nënshkruajmë marrëveshjen e njohjes së pensioneve me Kanadanë, Çekinë, Austrinë dhe Gjermaninë. Po negociojmë me Italinë, Francën, Danimarkën, Spanjën etj. Po punojmë për të mundësuar votën e emigrantë, gjë të cilën shpresojmë ta konkretizojmë që në zgjedhjet e ardhshme.

Pse nuk po punohet për projektin për Portin e Shëngjinit, që do i takojë Kosovës?

Me një investim prej 3.2 mln eurosh, në Portin e Shëngjinit përfundoi ndërtimi i një kalate të re dhe u realizua thellimi i basenit.

Pse lekët e barrëlindjes kalojnë në llogarinë e punëdhënësit e jo të punëmarrësit?

E vërtetë, nga ana tjetër ligji rrit periudhën e rikthimit në punë pas lindjes nga 42 në 63 ditë, njeh lejen e barrëlindjes për babanë. Gratë e vetëpunësuara në bujqësi, në bazë të ligjit të ri, paguhen si në qytet, duke llogaritur rrogën me të cilën janë paguar kontributet.

Si mund të njihen vitet e punës që kemi në Shqipëri dhe në Itali për të përfituar pensionin?

Kemi nënshkruar marrëveshjen e njohjes së pensioneve me Maqedoninë, Luksemburgun, Rumaninë dhe Hungarinë. Këtë vjeshtë presim të nënshkruajmë marrëveshjen e njohjes së pensioneve me Kanadanë, Çekinë, Austrinë dhe Gjermaninë. Po negociojmë me Italinë, Francën, Danimarkën, Spanjën etj.

Kur do të hiqen antenat e telefonive celulare që janë mbi tarracat e pallateve?

Studimet në të gjithë botën nuk evidentojnë risk prej antenave. Aparaturat plotësojnë standardet e OBSH-së dhe BE-së. Antenat mundësojnë ofrimin e shërbimeve celulare. Heqja e tyre do të ndërpriste shërbimin që u ofrohet qytetarëve.

Do të legalizohen shtëpitë e banorëve të plazhit të vjetër në Vlorë?

Objektet që ndodhen në zonën e plazhit të vjetër Vlorë do të jenë objekt legalizimi. Procesi do të nisë në shtator 2015.

Kisha një pyetje, kur do të na futni në Europë?

Shqipëria ka hedhur hapa të qartë në rrugën e saj drejt integrimit europian, siç dëshmon statusi kandidat i vitit 2014. Hapja e negociatave për anëtarësim është e kushtëzuar me reformën në drejtësi, që pritet të kalojë në vjeshtë. Procesi i integrimit është një proces i gjatë transformimi të brendshëm, i cili vazhdon të avancohet me këmbëngulje nga kjo qeveri.

Si mendoni të keni një administratë më pak të korruptuar?

Kemi forcuar mekanizmat monitorues, kemi vendosur një partneritet real me qytetarët, duke rritur hapësirat e denoncimit të korrupsionit. Lufta ndaj korrupsionit është një përpjekje për modernizimin e mekanizmave shtetërorë, institucioneve dhe shërbimeve ndaj qytetarëve. Nuk duhet ta harrojmë se nuk janë njerëzit që e korruptojnë sistemin, por është sistemi që i korrupton njerëzit.

A do të vijë dita që ish-qeveritarët të përballen me ligjin për 21 janarin.

Me reformën në drejtësi, që do të kalojë në vjeshtë, krijohen hapësira për të shkuar më tutje dhe në trajtimin e çështjeve si 21 janari. Ne nuk do u ndahemi këtyre çështjeve. Por, mos të harrojmë se nuk jemi të zgjedhur për të dhënë dënime dhe për të bërë ekzekutime. E këtë detyrë do ta kryejmë me pasion dhe me besnikërinë më të lartë ndaj popullit shqiptar.

Në rrethe nuk ka hapësira publike. Si do të veproni?

Procesi i nisur në Tiranë për lirimin e hapësirave publike do të shtrihet shumë shpejt në të gjithë territorin e vendit. Reforma territoriale pajis bashkitë me mundësi të shtuara për të zbatuar këtë detyrim ndaj qytetarëve. Lirimi i hapësirave publike përbën një detyrim ligjor për të gjithë kryebashkiakët e Republikës së Shqipërisë.

 

“Nuk ka ndryshime në qeveri, me Metën marrëdhëniet më të mira se asnjëherë”

Shefi i ekzekutivit rrëzon kërkesën e aleatëve

rama-meta-1“S’ka plan për ndryshime në kabinetin qeveritar. Ky kabinet është produkt i kontratës me popullin shqiptar më 23 qershor 2013.” Është ky pohimi i Kryeministrit Edi Rama, gjatë pyetjeve drejtuar dje në rrjetin social Twitter nga gjithë shqiptarët. Edhe njëherë me këtë përgjigje, kreu i qeverisë ka shuar zërat se në shtator do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, duke garantuar në këtë mënyrë vijimësinë e mandatit të parë të qeverisë me po ata ministra që janë mandatuar në shtator të 2013-s. Në këtë mënyrë janë shuar edhe zërat se kabineti qeveritar do të ketë ministra të PDIU-së. Rama hodhi poshtë dhe kërkesën e aleatit të tij në koalicionin e majtë, Shpëtim Idrizi, i cili iu bashkua partive të “Aleanca për një Shqipëri Europiane” para 21 qershorit, se duhen zgjedhje të parakohshme. “Megjithatë, gjithkush është i lirë të kërkojë zgjedhje të reja, ndërsa në të rejat i kemi në qershor 2017″, ka qenë përgjigjja e Kryeministrit Rama. Në lidhje me qeverisjen, ku pjesë e saj janë edhe ministra në radhët e LSI-së, Kryeministri Rama konfirmoi se mes kreut të kësaj partie ka marrëdhënie të mira. “Më të mira se asnjëherë më parë qysh se kemi vendosur të qeverisim Shqipërinë së bashku”, iu përgjigj numri një i qeverisë pyetjes në lidhje raportin e tij me kreun e LSI-së. Ndër të tjera, po në lidhje me Metën, në drejtim të Kryeministrit u shtrua dhe pyetja nëse do ta lejonte Ilir Meta të bënte me të vërtetë shtet. “Shtetbërja është një proces që nuk kryhet në kaq pak kohë ndryshe pse s’është bërë për kaq shumë e shumë vjet”, është përgjigjur kreu i qeverisë.

Ky shkrim Rama: Shqiptarët po ikin nga Greqia dhe i drejtohen Gjermanisë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>