Debate në mbledhje, anëtari Çomo kundër Nishanit: Shkele Kushtetutën. Sot, masa te Krimet e Rënda
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka autorizuar prokurorinë të procedojë penalisht gjyqtaren e Lezhës, Parashqevi Ademi. Në një mbledhje të zhvilluar me dyer të mbyllura, anëtarët kanë debatuar me kreun e KLD-së, Presidentin Bujar Nishani, të cilin e kanë “akuzuar” se shkeli Kushtetutën. Megjithatë, duke qenë se Nishani ishte në një vizitë zyrtare në Gjermani, mbledhja u shty me një ditë, ndërsa mësohet se në fund, anëtarët vendosën që t’i jepnin prokurorisë autorizim për ta arrestuar apo për t’i kontrolluar banesën. Në fund të mbledhjes, KLD-ja tha se “u zhvillua një mbledhje e jashtëzakonshme, ku vendosi miratimin e arrestimit në flagrancë të gjyqtares, si dhe të japë autorizimin për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj saj”.
Gjithsesi, mbledhja është zhvilluar jashtë afatit të 24 orëve që përcakton ligji për organizimin e KLD-së. Ky ishte edhe qëndrimi i njërit prej anëtarëve të KLD-së, Sokol Çomo, i cili ka replikuar për të gjetur arsyet se përse mbledhja e anëtarëve duhej të bëhej jashtë afateve. Por ndërsa Presidenti, në rolin e kreut të KLD-së ishte me një vizitë pune në Gjermani, duke sjellë edhe shqyrtimin në limitet e mundshme të kërkesës së prokurorisë, pritet që do të jetë Gjykata e Krimeve të Rënda të thotë fjalën e saj.
Ndërkohë, pas autorizimit, sot Gjykata e Krimeve të Rënda do të shfletojë dosjen kundër gjyqtares Ademi dhe kërkesën e prokurorisë që do të kërkojë arrest me burg për të, për çështje korrupsioni. Ajo që do të mbetet pezull është nëse do ta konsiderojë gjykata të vlefshëm këtë autorizim, që siç pretendon anëtari i KLD-së, është në tejkalim të afatit ligjor. Burime nga KLD-ja thanë se Nishani ka replikuar me anëtarin e Çomos, duke e kundërshtuar qëndrimin e tij me argumentin se mbi nenin 21 qëndron Kushtetuta, e cila flet për arrestimin në flagrancë. Kjo përplasje në KLD, në fakt po ndodh prej muajsh, qysh kur ministri i Drejtësisë i bëri apel Presidentit të plotësojë vendin vakant të ish-zv.kryetarit Elvis Çefa, i shkarkuar së bashku me ish-anëtarin Lulzim Lelçaj, të cilët aktualisht ndjekin një proces gjyqësor administrativ.
Disa ditë më parë, emisioni investigativ “Fiks Fare” ka denoncuar një tjetër skandal në drejtësinë shqiptare, ku janë implikuar një gjyqtare dhe një avokat, të cilët kërkojnë dhe marrin 200 mijë lekë nga dy qytetarë, që ata të mos dënohen me burg, por me kusht. Gjyqtarja Parashqevi Ademi dhe avokati Gjovalin Ndokaj janë vënë në pranga nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi akuzohen se i kanë marrë dy milionë lekë të vjetra dy qytetarëve. Gjithçka nisi disa ditë më parë, kur një grua me djalin e saj janë paraqitur në redaksinë e emisionit “Fiks Fare”. Historia e tyre kishte nisur rreth një vit më parë, kur dhëndri i familjes V. J. kishte bërë një denoncim për dy qytetarët që ankohen pranë “Fiks Fare” në Prokurorinë e Lezhës, sipas të cilit nëna e bashkëshortes së tij, së bashku me vëllain dhe dajën e bashkëshortes, kërkonin ta ndanin atë nga gruaja.
Pas 15 muajsh, kjo dosje ka shkuar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Lezhës, ku fillon dhe procesi gjyqësor ndaj dy qytetarëve që kërkuan ndihmën e emisionit investigativ “Fiks Fare”. Për t’i shpëtuar burgut, avokati Ndokaj u ka kërkuar M. P. dhe A. P., që të hynte në pazar me gjyqtaren Parashqevi Ademi. Të gjetur në të tilla kushte, M. P. dhe A. P. vendosin të paguajnë më mirë “kafen” e gjyqtares Parashqevi Ademi, duke u ofruar me një shumë që ua mbante deri diku xhepi. Në bisedën e parë të regjistruar nga “Fiks Fare”, avokati Gjovalin Ndokaj i është shprehur se “kam folur me gjyqtaren Parashqevi Ademi, e cila më ka kërkuar 2 milionë lekë për të dhënë një dënim tjetër alternativ”. Pas sigurimit të kësaj bisede, emisioni “Fiks Fare” vijoi sërish investigimin, duke asistuar në dhënien e lekëve dhe ndjekjen e arrestimit të avokatit dhe gjyqtares. Pas përfundimit të gjyqit me të akuzuar A. P. dhe M. P., Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe oficerët e policisë gjyqësore kanë ndërhyrë menjëherë, duke e arrestuar në flagrancë në zyrën e tij avokatin Gjovalin Ndokaj. Në të njëjtën kohë, një grup tjetër specialistësh të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kishte bërë të mundur ndalimin në flagrancë në zyrën e saj në Gjykatën e Shkallës së Parë Lezhë, edhe të gjyqtares Parashqevi Ademi.
KLD
“U zhvillua një mbledhje e jashtëzakonshme, ku vendosi miratimin e arrestimit në flagrancë të gjyqtares, si dhe të japë autorizimin për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj saj”
Seanca
Sot, Gjykata e Krimeve të Rënda do të shfletojë dosjen kundër gjyqtares Ademi dhe kërkesën e prokurorisë që do të kërkojë arrest me burg për të, për çështje korrupsioni
“Fiks Fare”
Emisioni investigativ denoncoi një tjetër skandal në drejtësinë shqiptare, ku janë implikuar një gjyqtare dhe një avokat, të cilët kërkojnë dhe marrin 200 mijë lekë nga dy qytetarë
Ky shkrim KLD: Arrestimi i gjyqtares së Lezhës, i rregullt u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.