Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Nëntë të arrestuar dhe 20 në kërkim për lidhje me ISIS, mes tyre një imam

$
0
0

Antiterrorizmi

Operacioni policor u shtri në pesë rajone të Maqedonisë

operacioni celula

Bashkësia Islame e Maqedonisë është distancuar nga të arrestuarit, duke i lënë në dorë të drejtësisë

Nëntë persona janë arrestuar dhe 20 të tjerë janë shpallur në kërkim për lidhje me ISIS. Goditja e këtij grupi, mes të cilëve është edhe një imam i Shkupit është kryer dje nga policia maqedonase gjatë operacionit të koduar “Qelia”, pasi ata dyshohen se kanë marrë pjesë në luftëra të huaja dhe se kanë dërguar ose rekrutuar luftëtarë.

Operacioni

Siç ka informuar ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, janë ngritur padi penale ndaj 35 personave për pjesëmarrje në luftëra të huaja, të gjithë shtetas të Maqedonisë, por me kombësi të ndryshme. Gjatë aksionit policor janë bastisur 28 objekte në Shkup, Gostivar, Tetovë, Kumanovë dhe në Strugë, shumica shtëpi private, ndërkohë që është bastisur edhe xhamia Tutunsuz në Shkup, dy organizata joqeveritare, si dhe disa pika “internet kafe”. Sipas policisë, ideologu kryesor i këtij grupi ka qenë imami i një xhamie në Shkup, por duke u justifikuar me prezumimin e pafajësisë, ministri nuk ka dashur të konfirmojë nëse ky i dyshuar është imami nga xhamia Tutunzuz e Shkupit, siç është bërë e ditur më herët nga mediat.

Në konferencën për shtyp, ministri Çavkov nuk ka mundur të tregojë se në cilën ushtri kanë luftuar personat e rekrutuar nga Maqedonia, për shkak se – siç pohoi ai, – një gjë e tillë do të duhet të vërtetohet në hetimet e mëtejshme. “Sipas informacioneve tona, deri më tani kanë humbur jetën 16 persona në luftërat e huaja, ndërsa të larguar kanë qenë 130 gjithsej, që kanë marrë pjesë në këto luftëra. E dimë se janë siguruar dokumente të falsifikuara dhe se ata kanë shkuar atje përmes Turqisë”, ka deklaruar ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov.

Në aksionin e policisë janë konfiskuar 48 kompjuterë, 18 laptopë dhe po aq tabletë, 118 celularë, vërtetime për hyrjen e të ardhurave, ndërsa sipas asaj që ka prezantuar MPB-ja, nuk janë gjetur armë. Sipas ministrit Çavkov, në Maqedoni nuk ka qendra për trajnim të fundamentalistëve islamikë, por ka mjedise, në të cilat kryhen aktivitete të tilla. Tani për tani, policia maqedonase nuk ka informacione nëse këta persona kanë planifikuar sulme terroriste në Maqedoni.

Jo zyrtarisht janë përmendur emrat e personave të arrestuar nga policia gjatë aksionit të ndërmarrë sot në Shkup, Tetovë dhe Gostivar. Mësohet se në Shkup janë ndaluar R. M., A. D., S. E., E. R., S. S., M. I., Z. A. Ndërsa, në Tetovë është arrestuar A. A. dhe në Gostivar, M. Sh. Ndërkohë, po ashtu jo zyrtarisht dihet se i arrestuar është Rexhep Memishi, i cili llogaritet si udhëheqës shpirtëror i këtij grupi.

Bashkësia Islame

Bashkësia Islame ka reaguar ndaj aksionit policor, duke shprehur shqetësimin e saj për shkak të pretekstit të këtij aksioni, që ndërlidhet me të ashtuquajturën ISIS. Në reagimin e Bashkësisë Islame thuhet se që në fillimin e krijimit të këtij fenomeni, ky institucion ka pasur qëndrim të qartë dhe të prerë, se ISIS nuk e përfaqëson Islamin. “Që në fillim të luftërave në Irak dhe Siri, Bashkësia Islame i ka bërë me dije opinionit të gjerë se këto luftëra janë të pakuptimta dhe të huaja për ne, andaj BI është kundër çdo bashkëngjitjeje në këto luftëra. Ndërsa për sa i përket aksionit “Qelia”, Bashkësia Islame nuk është institucion ndjekës apo hetues, dhe si institucion nuk mban përgjegjësi për veprat e askujt se me çka merret në jetën private, por nga organet e drejtësisë, kërkojmë transparencë dhe drejtësi, si dhe respektimin e të drejtave njerëzore dhe prezumimin e pafajësisë, deri në momentin kur ndaj dikujt vërtetohet fajësia”, thuhet mes të tjerash në reagimin e tyre.

Për Bashkësinë Islame më e padëshirueshme është nëse konstatohet se brenda institucionit ka elementë të tillë, por shtohet se deri atëherë do ta respektojnë prezumimin e pafajësisë, duke theksuar se janë të pakompromis kur është në pyetje dhuna. “Ne e dënojmë dhunën e të gjitha formave dhe jemi kundër çdolloj dhune apo ekstremizmi. Në radhët tona terrorizmi asnjëherë nuk ka qenë i mirëseardhur, sepse vlerësojmë se terrorizmi është kulminacion i kriminalitetit, aq më tepër kur ai bëhet në emër të fesë. Si i tillë për ne gjithmonë do të jetë i trajtuar si “Murtaja e zezë”, thuhet në reagimin e Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë, ku gjithashtu bëhet thirrje për funksionimin e shtetit juridik, që të punojë në çrrënjosjen e ekstremizmit dhe dhunës. Në reagim gjithashtu u bëhet thirrje të gjitha subjekteve ndërkombëtare dhe asociacioneve të ndryshme që veprojnë në këtë drejtim, që ta llogarisin BFI-në si aleat të mirëfilltë në këtë punë urgjente.

 

Reagimi

Ambasada e SHBA në Shkup përgëzon aksionin

Ambasada e SHBA ne MaqedoniAmbasada e SHBA-së në Shkup e ka përgëzuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, për operacionin e djeshëm ndaj personave të dyshuar si terroristë dhe ndihmues të terrorizmit. “Jemi të informuar se ky operacion ishte rezultat i një hetimi të gjatë dhe të vëmendshëm nga ana e policisë, shërbimeve të zbulimit dhe zyrës së prokurorit, në pajtim me ligjet e reja antiterrorizëm në Maqedoni. Mbështesim përdorimin e procedurave të drejtësisë penale nga ana e qeverisë, për të ndaluar lëvizjen e luftëtarëve terroristë drejt rajoneve të konfliktit, për të frenuar dhunën  dhe për të luftuar fuqimisht ekstremizmin e dhunshëm. Operacioni i mëngjesit të sotëm ndihmon përpjekjet rajonale dhe botërore për t’i dhënë fund murtajës së terrorizmit. Siç e tha sekretari i Shtetit, Kerry: ‘Çdo vend ka rolin e vet” në shkatërrimin dhe mundjen e ISIS-it. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të ndihmojnë Maqedoninë dhe shtetet tjera në rajon dhe në botë, gjatë përpjekjeve të tyre për të luftuar ISIS-in. Siç tha Presidenti Obama në Kombet e Bashkuara shtatorin e kaluar, ata që janë të përkushtuar ndaj kësaj pune urgjente do të kenë partner të fuqishëm dhe të palëkundur në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në qëndrimin e Ambasadës së SHBA-së në Shkup.

Ky shkrim Nëntë të arrestuar dhe 20 në kërkim për lidhje me ISIS, mes tyre një imam u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>