
Pas incidenteve në ndeshjen e Ligës së Europës mes Kukësit dhe Legias së Varshavës në stadiumin “Qemal Stafa”, Policia e Tiranës ka deklaruar se nuk është shënuar ndonjë incident i rëndë gjatë ndeshjes dhe pas saj mes dy tifozerive.
Në një deklaratë për shty, policia thekson se ka qenë “në gatishmëri të plotë deri në momentin që janë larguar tifozët nga stadiumi pas vendimit të pezullimit të ndeshjes”.
Sipas bluve të kryeqytetit, nuk dihet se çfarë sendi apo nga cili drejtim ka ardhur sendi që goditi në kokë lojtarin polak, gjë që solli edhe pezullimin e ndeshjes nga gjyqtari zviceran.
Njoftimi i plotë i policisë
“Më datë 30 Korrik 2015, përmes shkresave të mbërritura në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, se në datë 30 Korrik 2015, ora 20.00 në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” Tiranë është planifikuar të zhvillohet ndeshja e Futbollit ndërmjet ekipeve F.K Kukesi – Legia Varshavë (Poloni).
Policia e Tiranës, mori masat e duhura për zhvillimin normal të këtij aktiviteti. Nga ana e Komisariateve të Policisë Nr.1,2,3 në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë, duke filluar nga ora 17.00, datë 30.07.2015, janë marrë masat paraprake lidhur me planizimin dhe vendosjen efektivëve për çdo Komisariat me detyrë dhe pozicionimi në vendet e caktuara për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.
Fillimi i këtij aktiviteti vijoji normalisht, efektivët u pozicionuan në ruajtje të mjedisit përreth dhe brenda stadiumit. Gjatë përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes, tifozët e Kukësit, u revoltuan me rezultatin duke e kontestuar atë, dhe të ashpërsuar kanë filluar reagim me tifozët kundërshtare duke tentuar të afroheshin me tribunën e tifozëve polakë. Në këto momente, policia ka shmangur kontaktin fizik duke i rikthyer tifozët e Kukësit në vendet e tyre.

Në minutën e 52 të ndeshjes së futbollit, është parë një lojtar i shtrirë, i cili u shpreh se është goditur nga një send i pacilësuar së çfarë ishte dhe drejtimi nga kishte ardhur goditja e lojtarit nuk është përcaktuar pasi zona në të cilën lojtari u rrëzua ishte pa tifozë.
Nga ana e gjyqtarit u bë ndërprerja e aktivitetit sportiv dhe lojtarët u shoqëruan për në mjedisin e brendshëm nga ana e Policisë pa asnjë problem. Nga ky moment e në vazhdimi nuk është shënuar asnjë incident ndërmjet tifozëve apo hedhje sendesh ndërkohë që nga ana e përfaqësuesve të futbollit u mor vendimi për pezullimin e ndeshjes.
Në asnjë moment në fillim , përgjatë dhe në fund të këtij aktiviteti sportiv nuk është shënuar asnjë lloj incidenti, pasi policia ka qenë në gatishmëri të plotë deri në momentin që janë larguar tifozët pas vendimit të pezullimit të ndeshjes sportive”.
31 korrik 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Incidentet në Kukësi-Legia, policia: Shmangëm konfliktin fizik mes tifozerive u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.