Ka nisur në Tiranë konferenca e 25 e Shoqatës së trupave zgjedhorë europianë, ku po marrin pjesë zyrtarë vendas e të huaj. Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka vlerësuar se, Shqipëria ka bërë hapa përpara në respektimin e standardeve zgjedhore, por mbetet ende shumë për t’u bërë.
“Përgjegjësia për standardet është e të gjithëve ne dhe procesi zgjedhor duhet të reflektojë transparencë dhe siguri. Dua të shpreh mbështetjen e plotë për përshpejtimin e punës së komisionit të Posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore dhe për këtë qëllim i kemi kërkuar gjithashtu edhe zyrtarisht misionit të ODIHR dhe Komisionit të Venecias që të ofrojnë kontributin e tyre për zbatimin e rekomandimeve.
Vitin e ardhshëm në vendin tonë do të mbahen zgjedhjet politike ndaj ky komision në respektim të kodit të praktikës të mirë në çështjeve zgjedhore të Komisionit të Venecias duhet të përfundojë sa më parë punën e tij të orientuar prej rekomandimeve të OSBE ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri të orientuar nga parimet e trashëgimisë zgjedhore evropiane por edhe të shfrytëzojë praktikat dhe përvojat më të mira që ekzistojnë.
Në qershor u takova me një grup deputetësh që i janë drejtuar Kuvendit me një nismë ligjore për ndryshime në kodin zgjedhor në kuadër të angazhimeve tona zgjedhore. Është e qartë se miradministrimi i procesit zgjedhor kërkon rritjen e mëtejshme të pavarësisë paanësisë dhe kapacitetit profesional të gjithë trupave të administrimit zgjedhor e në mënyrë të veçantë komisioneve zgjedhore.
Këtu nuk duhet harruar edhe roli që duhet të luajë më tej teknologjia në realizimin e votimit elektronik. Klasa politike në Shqipëri por edhe në vendet e tjera, pavarësisht mazhorancave në qeverisje ka detyrim ligjor që të garantojë besueshmërinë e procesit zgjedhor, i cili ka rëndësi për konsolidimin e demokracisë dhe përfaqësimin qytetar por edhe për të ardhmen e vendit tonë. Inkurajoj KQZ dhe aktorët politikë për bashkëpunim dhe transparencë” tha Meta.
21 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)