Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ishte paraditen e sotme në Bulqizë, ku zhvilloi një takim elektoral me banorë të kësaj bashkie. Në fjalën e tij me këtë rast, Meta premtoi se rruga e Arbrit do të përfundojë në vjeshtë, duke sjellë një lehtësim të jashtëzakonshëm për banorët e zonës, që do të mund të lidhen me kryeqytetin për vetëm 40 minuta.
“Ne kemi treguar se nuk bëjmë dhe nuk hapim rrugë thjesht për fushatë elektorale. Ne nuk i lëmë rrugët rrugëve, prandaj në vjeshtë fillon dhe do të përfundojë rruga e Arbrit, ajo që do të lidhë Bulqizën me Tiranën për 40 minuta”, tha Meta para banorëve të Bulqizës.
Meta ftoi banorët e kësaj zonë dhe të të gjithë Shqipërisë që të mos e humbasin shansin për të votuar më 21 qershor, zgjedhje që sipas tij do t’i japin fund keqorganizimit administrativ për vite me radhë. Sipas Metës, zgjedhjet e 21 qershorit nuk do të mbahen mend për rezultatin, por për mbështetjen që do t’i jepet reformës territoriale si një reformë historike për vendin.
13 qershor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Meta në Bulqizë: Rruga e Arbrit përfundon në vjeshtë, ne nuk i lëmë rrugët rrugëve u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.