Policia kufitare e Kapshticës ka goditur dy raste të trafikimit të drogave të forta (kokainë) me qëllim kalimin e kësaj sasie lënde narkotike, në shtetin grek. Mësohet se u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve të mëposhtëm, midis tyre dy femra: Ledi Nurçe, 38 vjeç, banues në Bilisht-Devoll; Redona Demolli, 21 vjeçe; Mikel Çekrezi, 29 vjeç; Rudina Hoxha, 25 vjeçe.
Gjatë kontrollit të ushtruar shtetases Redona Demolli, konkretisht në çantën personale të saj, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi prej 263 gram lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë. Kjo shtetase po udhëtonte së bashku me shtetasin Ledi Nurçe, me automjetin tip “Mitsubishi” me targa AA642HV, në pronësi të tij dhe nga deklarimet e marra dyshohet se këtë sasi të lëndës narkotike në çantën e saj mund ta ketë vendosur Ledi Nurçe.
Shtetases tjetër Rudina Hoxha, e cila ishte duke udhëtuar me automjetin tip “Mercedes-Benz” me targa KO4084B, në pronësi të Mikel Çekrezit, sërish në çantën personale të saj, iu konstatua dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi prej 57 gram lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasia e lëndës narkotike, në total 320 gramë. Policia po punon për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.
18 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)