Sulmi i mbrëmshëm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ka ngjallur edhe reagimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Përmes një postimi në Facebook, presidenti Thaçi ka dënuar ashpër këtë sulm, ndërsa ka theksuar se ata që e kryen këtë akt, ndonëse ende nuk ua dimë emrat, janë njerëz që nuk e duan Kosovën.
“Dhuna sjell frikë, frika sjell urrejtje dhe urrejtja sjell pastaj edhe më shumë dhunë. Mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, por ajo për të cilën të gjithë duhet të pajtohemi është se dhuna nuk duhet të ketë vend në Kosovën tonë. Dënoj ashpër sulmin e mbrëmshëm në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Mund të mos jemi në dijeni të emrave të sulmuesve, por e dimë se ata janë njerëz që nuk e duan Kosovën, që nuk ia duan të ardhmen evropiane qytetarëve tanë dhe nuk duan që fëmijët e Kosovës të rriten në paqe”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shfaqur besimin se organet e drejtësisë do t’i identifikojnë sulmuesit dhe do ta zbardhnin rastin.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se ky sulm është sulm ndaj pavarësisë së Kosovës pasi Kuvendi, është organi më i lartë legjislativ, simbol i rregullimit shtetëror dhe demokratik.
“Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është atak ndaj pavarësisë sonë. Kuvendi është organi më i lartë legjislativ, simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik. Askujt nuk i lejohet të terrorizojë institucionet e shtetit tonë”, ka thënë Mustafa në një postim në Facebook.
Ai ka ftuar organet e rendit që të punojnë në zbardhjen e këtij rasti të cilin kryeministri e cilësoi si “shumë të dëmshëm dhe tepër të shëmtuar” si dhe ka ftuar edhe qytetarët që ta japin ndihmën e tyre.
5 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)