Fshehje të ardhurash, bilance fiktive, dyshime për pastrim parash
Mbi 1.4 milionë euro llogaritet dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit nga drejtoritë rajonale të Tatimeve në Berat dhe Elbasan. Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH-ja, njoftoi dje, se ka kallëzuar në prokurori për shpërdorim detyre drejtorin e Tatimeve, Berat dhe dy ish-drejtorë. Auditimi i kryer për periudhën 2013-2014 zbuloi të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit në të dyja drejtoritë në shumën rreth 147 milionë lekë ose mbi 1 milion euro dhe dëm ekonomik në DRT Berat rreth 59 milionë lekë ose mbi 421 mijë euro. KLSH-ja thekson se, janë shkelur kërkesat e kuadrit rregullator të procedurave tatimore.
Berat
Në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve (DRT) Berat, nga auditimi del se dëmi ekonomik kap vlerën prej 58 796 460 lekë. Nga auditimi i marrëdhënieve të DRT Berat me Degën e Thesarit në këtë rajon, rezultuan se 18 subjekte të biznesit nuk kishin deklaruar të ardhurat, duke shmangur detyrimet tatimore në shumën prej 5 131 156 lekësh. Ndërsa nga kontrolli i raporteve të kontrollit tatimor rezultuan 43 subjekte që kanë shmangur detyrimet në shumën prej 45 142 131 lekësh. KLSH-ja ka audituar edhe procedurat e ndjekura nga Drejtoria e Vlerësimit të të Ardhurave Tatimore dhe Kontabilitetit, ku rezultuan fshehje dhe shmangie nga pagimi i detyrimeve në 805 raste, në shumën prej 8 523 173 lekësh. KLSH-ja konstaton, gjithashtu se, nuk janë regjistruar dhe kontabilizuar penalitete të vendosura nga DRT Berat për 39 subjekte të biznesit, të cilat ushtrojnë aktivitet në territorin që mbulon ky institucion, por që janë të regjistruar në DRT Tiranë dhe Fier. Të ardhurat që mungojnë për këtë shkak kapin shumën prej 4 805 000 lekësh. Ndërkohë, auditimi ka zbuluar se nga subjektet e biznesit janë mobilizuar fonde prej individëve të ndryshëm për qëllime biznesi në formë huaje pa vërtetuar prejardhjen e tyre, burimin e krijimit dhe mënyrën e marrjes, pasi nuk kanë kaluar fondet nëpërmjet sistemit bankar apo nëpërmjet kontratave ligjore të huamarrjes dhe kreditimit. Për këtë fenomen, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka urdhëruar marrjen e masave për të kërkuar nga subjektet dokumente që vërtetojnë burimin e fondeve të marra në formë huaje, por DRT Berat nuk ka marrë masa të mëtejshme në vlerësim të rekomandimeve të Auditit të Brendshëm, për rikontroll dhe investigim të mëtejshëm të këtyre rasteve, si dhe nuk e kanë adresuar problemin tek institucionet e ngarkuara me ligj, si Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Elbasan
KLSH-ja, gjatë kontrollit në DRT Elbasan, zbuloi se mungojnë të ardhurat tatimore në shumën prej 142 140 306 lekësh. Nga inspektorët e kontrollit operacional nuk janë aplikuar penalitete për veprime e aktivitete jo në përputhje me ligjin ndaj 52 subjekteve në shumën prej 112 740 306 lekësh. Po ashtu, nga inspektorët e kontrollit në terren nuk janë aplikuar penalitete sipas ligjit, gjatë kontrolleve në 95 subjekte në shumën prej 28 760 000 lekësh. Një shkelje tjetër lidhet me 27 subjekte, për të cilat nuk janë aplikuar penalitete në shumën prej 640 000 lekësh, për mosdhënie informacioni tatimor.
Masat
Në bazë të raporteve të auditimit, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, më 30 qershor 2015, i ka rekomanduar DRT Elbasan marrjen e tetë masave organizative, 15 masave disiplinore dhe gjashtë kërkesa për shpërblimin e dëmit në shumën prej 142 140 306 lekësh, si të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit. Po ashtu, kreu i KLSH-së i ka rekomanduar DRT Berat marrjen e 10 masave organizative, dy masave disiplinore për largim nga shërbimi civil dhe 11 masave të tjera disiplinore. KLSH-ja ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre për drejtorin e DRT Berat G.G., dhe ish-drejtorët e DRT Berat M.D. dhe T.M., për konsumimin e elementeve të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, pasi kanë lejuar miratimin në bilancet e subjekteve të shumave të konsiderueshme monetare në lidhje me hua të marra nga subjekte të tjera jashtë procedurave normale ligjore, si dhe janë favorizuar subjekte tatimpaguese në zhbllokimin e llogarive bankare, për të cilat DRT Berat kishte vendosur më parë bllokimin e tyre.
Z.Alushi
Ky shkrim Mungojnë 1.4 milionë euro të ardhura, kallëzohen tre drejtorë të Tatimeve, Berat u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.