Policia e Shtetit nuk do të vuajë më mungesën, vjedhjen apo grabitjen e karburantit siç ka ndodhur vite më parë, pasi që sot, qeveria ka promovuar projektin e ri për përdorimin e kartave elektronike për automjetet e institucioneve shtetërore.
Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se praktika e ndyrë shtetërore e viteve të shkuara do të marrë fund. Ai theksoi se Policia e Shtetit ka kursyer 9 milionë dollarë në vit nga vjedhjet dhe grabitjet e punonjësve abuzues.
“Kjo praktikë e ndyrë shtetërore merr fund, jo vetëm për Policinë e Shtetit, por për të gjitha institucionet shtetërore që përdorin automjete dhe çdo vit hapin gropa në buxhet për shkak të vjedhjes masive epidemike të parave përmes abuzimeve me tallonët e karburantit. Sot është Policia e Shtetit që fillon një proces të nisur qysh në janar me një projekt-test me 150 automjete dhe më pas të shtrirë në periudhën prill-qershor në të gjithë logjistikën e saj”.
Sipas Ramës, “Policia e shtetit, falë lidershipit të ministrit për të bashkuar teknologjinë me njeriun është një sektor lider në këtë revolucion teknologjik që duam të çojmë para. Kjo ka bërë të mundur kursimin e 8 milionë litrave karburant, ose 9 milionë dollarëve vjedhje të përvitshme epidemike në të gjithë territorin nga njerëzit që marrin e japin tallona dhe grabisin shtetin. Vetëm në periudhën prill-qershor, policia ka kursyer 150 mln lekë nga shpenzimet e karburantit dhe në vit parashikimi është për gjysmë milionë dollarë nga karburanti, – shpjegoi kryeministri. – Policia së Shtetit nuk do t’i mungojë për asnjë sekondë karburanti, siç nodhte për vite të tëra me policinë që shtynte automjetet që i mbeteshin në rrugë për mungesë karburanti: nuk ishte mungesë në fakt, por vjedhje grabitje”.
27 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)