Asambleja
Forumi drejtues i partisë më të madhe mblidhet pas afro dy vitesh dhe shpall reformën statutore
Herion Mesi
Socialistët kanë arritur të mbledhin Asamblenë e tyre Kombëtare, për herë të parë pas afro dy vitesh mungese të një grumbullimi të tillë, i cili sipas statutit të PS-së duhej të zhvillohej një herë në katër muaj. Forumi drejtues i Partisë Socialiste që numëron 250 anëtarë dhe në të cilin morën pjesë edhe krerët e rinj të bashkive, është hapur si zakonisht me një fjalë të kryetarit Edi Rama, i cili nuk u kurseu vlerësimet për arritjet në zgjedhjet lokale, por dhe ato në qeverisje, ndërsa e shpalli si objektiv të arritshëm fitoren në zgjedhjet e 2017-s. Por për të arritur këtë, kryesocialisti shpalli fushatën e anëtarësimeve të reja në parti. Të gjithë anëtarët e rinj dhe të vjetër do të regjistrohen nga e para, duke krijuar kështu regjistrimin dixhital të anëtarësisë së Partisë Socialiste. Gjithashtu, hapja e procesit të ri zgjedhor për riorganizimin e plotë të PS-së, për forca të reja për fitoren e 2017-s. “Pas dy vitesh do të jemi sërish për t’u përballur me ato çfarë kemi bërë gjatë kësaj kohe, si dhe për të fituar edhe njëherë për të dërguar deri në fund të gjitha synimet tona. Nga dy fitoret e mëdha, njëra e vitit 2013 dhe tjetra e këtij viti, nxjerrim të gjitha mësimet për suksesin e radhës, atë të 2017-s, që nuk ka pse mos të jetë rezultat po aq i madh sa i dy viteve që përmenda”, tha Rama. Ndër të tjera, Rama tha se Shqipëria do të kërkojë hapjen e negociatave me BE-në, vitin e ardhshëm. Prova e madhe për BE-në do të jetë miratimi i reformës në drejtësi në vjeshtë nga Kuvendi i Shqipërisë. “Në vjeshtën e këtij viti do të kemi votimin në Parlament të reformës së drejtësisë. Në këtë mënyrë do të mundësojmë çeljen e një beteje të madhe pa asnjë kompromis dhe tolerancë ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë, por dhe arritjen e objektivit për të çelur negociatat vitin e ardhshëm. Së paku, sa i takon kryerjes së detyrave nga ana jonë. Sidoqoftë besoj se do të shkojmë shumë fort në atë moment se reformat tona do të vazhdojnë”, tha Rama. Në fjalën e tij, duke iu referuar reformës territoriale, në arsim etj., Kryeministri Edi Rama u shpreh se ajo çfarë është bërë gjatë këtyre dy viteve nuk janë bërë as në 20 vjet, si dhe falënderoi aleatin e tij, kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai përshëndeti të gjithë ministrat për kontributin që kanë dhënë dhe që do të vazhdojnë të japin. “Dua të përshëndes ministrin të ri të Mirëqenies Sociale, i cili ka barrën e një sërë reformash. Reforma e pensioneve, e ekonomisë dhe e shumë reformave të tjera, që janë pika referimi të asaj çfarë kemi bërë dhe çfarë mund të bëjmë gjatë kësaj kohe që na ka ngelur deri në fund të mandatit”, tha Rama. Në të njëjtën kohë përmendi edhe punën e përbashkët të ministrit të Jashtëm dhe atij të Integrimit, model që, sipas tij, është për t’u marrë shembull. Ndërsa duke iu referuar reformës në partinë më të madhe në vend, kryetari i saj, Edi Rama, tha se dy grupe anëtarësh të Asamblesë do të përfshihen në grupin për reformën e re statutore dhe procedurat zgjedhore. Qëllimi i shpallur nga kreu socialist ishte një fitore, siç e quajti ai, po aq “spektakolare” sa e 2013-s dhe 2015-s. Për këtë qëllim, ai shpalli atë që e quajti “Stina e re e PS-së”, një proces riorganizimi i partisë që përmbledh dy faza: e para është hapja përmes një fushate të re anëtarësimesh. “Me synim përmbushjen e një objektivi plotësisht të detyrueshëm dhe të arritshëm që në vitin e 25-vjetorit të themelimit të saj, PS-ja të jetë forcë politike e 150 mijë anëtarëve të regjistruar si pjesë e saj. Së dyti, hapja e një procesi të ri zgjedhor në të gjitha nivelet e organizimit të PS-së, me synim riorganizimin e plotë të saj dhe fillimin me energji dhe forca të përtërira të rrugëtimit drejt fitores të vitit 2017. Organizata duhet të shtrihet në të gjithë territorin e qendrës së votimit. Në këtë proces duhet një angazhim real me rritje të anëtarësimeve dhe përfshirjen e të gjitha forumeve të partisë, ai rinor dhe ai i gruas. Pjesë e këtij procesi duhet të jetë edhe Fondacioni ‘Qemal Stafa’”, tha kryesocialisti Rama. Përveç reformës statutore, edhe rritja e partisë tek emigrantët, ishin disa nga detyrat e lëna nga Edi Rama për dy grupet e punës, që do të ngrihen për të përgatitur reformat organizative për kongresin e socialistëve në 2016-n. Për Ramën, që ka pasur edhe zëra qortues brenda partisë për organizimin e PS-së dhe neglizhencë në mbledhjen e forumeve, duhet të jetë i qartë produkti nga procesi i nisur nga kjo Asamble. “Të prodhoni rregulla të zbatueshme nga të gjithë, në mënyrë që demokracia e brendshme të prodhojë kulturë pune, solidaritet dhe llogaridhënie, jo llafe rrugësh e protagonizma destruktive apo shthurje organizative, siç ka ndodhur rëndom”, përfundoi fjalën e tij, kreu i PS-së, Edi Rama.
Ndërkohë që mbledhja me dyer të mbyllura ka vijuar për tre orë, e para që ka lënë mbledhjen ishte deputetja Valentina Leskaj, e cila tha se largimi lidhej për arsye familjare. Ndërkohë që anëtarët, edhe pse shumica të zhveshur nga kostumet me kollare dhe të veshur me rroba të lehta, sfiduan temperaturat e larta shpeshherë me kafe dhe ujë të ftohtë në ambientet jashtë mbledhjes, veprim të cilin 30 minuta para përfundimit e bëri edhe vetë Rama.
Gramoz Ruçi
Kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, ka diskutuar në lidhje me rritjen e anëtarësimeve në Partinë Socialiste, me objektiv 150 mijë të tillë. Ai tha se shtimi i anëtarësimeve është thelbësore dhe se të gjithë deputetët duhet të merren me këtë çështje
Selektiviteti
Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen në fjalën e Kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, është selektiviteti që ka përdorur në vlerësimet për ministrat, ku më të vlerësuarit ishin Tahiri, Nikolla Gjiknuri, Beqja dhe Bushati
Ky shkrim Objektivat e Ramës: Nisja e negociatave me BE-në, reforma në drejtësi dhe fitore në 2017-n u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.