Punonjësit: “I shihnim që digjeshin, por nuk i ndihmonim dot”
Mariglen Mullai


Inati i krijuar për shkak të radhës së hemodializës ka qenë shkaku i sherrit të dhunshëm që përfundoi me dy të vdekur. Sipas Policisë, zjarri është vënë nga pacienti i identifikuar si Lefter Canaj, 57 vjeç, pas një konflikti me pacientin tjetër Dashamir Saraçin, 47 vjeç. Autori i zjarrvënies, Lefter Canaj ka pretenduar se ishte i pari në radhë, ndaj është konfliktuar me Saraçin, derisa mbërritën në momentin fatal, kur pasi ka mbaruar dializën ka shkuar në dhomën e pacientit.
Pasi shkoi në dhomën ku rrinte Saraçi, ai ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe dyshohet të ketë spërkatur me benzinë atë dhe më pas i ka vënë zjarrin. Teksa kryente këtë veprim mësohet të jetë shprehur “mbaje radhën tani”, ndërsa faktin se ishin përfshirë në sherr për shkak të radhës e pohojnë për gazetën “Shqip” si burimet policore, ashtu edhe vetë punonjësit e spitalit privat. Nga ana tjetër, punonjësit e spitalit thanë për gazetën se “Nuk mund t’i ndihmonim dot, i shihnim që ishin në flakë, por nuk ndërhynim, sepse kishin frikë se mos i lëndonim.”
25 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)