Kushtetuta: Asnjë rishikim nuk mund të bëhet deri më 21 korrik të 2017-ës
Herion Mesi
Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga depozitimi në Kuvend të nismës për ndryshimin e Kushtetutës, deputetët shqiptarë do të ftohen nesër për të votuar ndryshimet kushtetuese që do i hapin rrugë reformimit të të gjithë sistemit të drejtësisë shqiptare. Deputetët firmëtarë për ndryshimin e Kushtetutës janë 33, të gjithë socialistë me përjashtim të dy deputetëve që përfaqësojnë aleatët qeverisës, Petrit Vasilin e LSI-së dhe Tahir Muhedinin e PDIU-së, më 17 qershor, bënë të mundur futjen në procedurën parlamentare të reformës më të debatuar gjatë këtyre tre viteve. Kjo do të thotë se drafti mbështetet zyrtarisht nga 87 deputetët që kanë së bashku të tre grupet parlamentare qeverisëse nga 94 vota që duhen gjithsej. Kushtetuta aktuale, në nenin 177 të saj parashikon që “Rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë kaluar 3 vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum”- thuhet në ligjin themeltar të shtetit.
Rregullorja e Kuvendit
Në lidhje me procedurën e shqyrtimit të nismave ligjore për rishikimin e Kushtetutës, në nenin 77 pika “a”, Rregullorja e Kuvendit parashikon që nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit njofton Kuvendin në seancën plenare më të parë dhe u shpërndan deputetëve tekstin e projektligjit. Projektligji futet menjëherë në programin e punës së Kuvendit. Një procedurë kjo tashmë e tejkaluar, ku hapi i radhës është mbledhja e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit për Legjislacionin, që do0 të mbahet këtë pasdite në Kryesinë e Kuvendit, nën drejtimin e kryeparlamentarit Ilir Meta. Në pikë 3 të nenit të larpërmenduar parashikohet që mbledhja e sotme të caktojë jo më pak se dy relatorë, për projektligjin për rishikimin e Kushtetutës, i cili është parashikuar që të jetë dhe pika e parë e rendit të ditës së seancës së nesërme parlamentare. “Mbledhja vendos për mënyrën e njohjes së projektit nga zgjedhësit, si dhe thirrjen e ekspertëve konstitucionalistë të fushës”- thuhet në pikën 3 të nenit 77/a të Rregullores së Kuvendit. Ndërsa në pikën 4 të tij, theksohet se mbledhjet për rishikimin e Kushtetutës dhe seancat dëgjimore bëhen të hapura për median dhe publikun. Në përfundim të shqyrtimit, mbledhja e përbashkët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit për Legjislacionin i paraqet seancës plenare raportin përkatës të hartuar nga relatorët, i cili përmban edhe mendimin e pakicës, kur ka të tillë. Seanca e debatit zhvillohet e hapur dhe transmetohet drejtpërdrejt nga televizioni publik. Shqyrtimi në seancë plenare fillon me diskutimin dhe votimin në parim, shqyrtimin dhe votimin nen për nen dhe përfundon me votimin në tërësi. Nesër në seancë, nuk mund të diskutohen amendamente të propozuara gjatë seancës plenare. Ato duhet të shqyrtohen më parë sipas nenit 77/a të Rregullores. “Votimi për miratimin e amendamenteve bëhet i hapur. Amendamentet quhen të miratuara kur kanë votuar pro jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”- thuhet në nenin 77/b të Rregullores së Kuvendit.
Kushtetuta e Shqipërisë
PJESA E SHTATËMBËDHJETË
RISHIKIMI I KUSHTETUTËS
Neni 177
- Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit.
- Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme.
- Projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
- Kuvendi mund të vendosë, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projektamendamentet kushtetuese të votohen me referendum. Projektligji për rishikimin e Kushtetutës hyn në fuqi pas ratifikimit me referendum, i cili bëhet jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i tij në Kuvend.
- Amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
- Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës.
- Ligji i miratuar në referendum shpallet nga Presidenti i Republikës dhe hyn në fuqi në datën e parashikuar në këtë ligj.
- Rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë kaluar 3 vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum.
Rregullorja e Kuvendit
KREU II/127
Shqyrtimi i nismave ligjore për rishikimin E Kushtetutës
Neni 77/a
- Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit njofton Kuvendin në seancën plenare më të parë dhe u shpërndan deputetëve tekstin e projektligjit. Projektligji futet menjëherë në programin e punës së Kuvendit.
- Projektligji shqyrtohet në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit për Legjislacionin jo më parë se dy javë nga data e depozitimit. Mbledhja drejtohet nga Kryetari i Kuvendit.
- Në mbledhjen e parë caktohen jo më pak se dy relatorë. Mbledhja vendos për mënyrën e njohjes së projektit nga zgjedhësit, si dhe thirrjen e ekspertëve konstitucionalistë të fushës.
- Mbledhjet për rishikimin e Kushtetutës dhe seancat dëgjimore bëhen të hapura për median dhe publikun.
- Kur gjatë shqyrtimit të nismës së propozuar ka amendamente të reja, ato duhet të respektojnë kërkesat e nenit 177 pika 1 të Kushtetutës dhe përcaktimet e bëra në këtë nen.
- Në përfundim të shqyrtimit, mbledhja e përbashkët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit për Legjislacionin i paraqet seancës plenare raportin përkatës të hartuar nga relatorët, i cili përmban edhe mendimin e pakicës, kur ka të tillë.
Neni 77/b
- Seanca plenare për miratimin e amendamenteve kushtetuese thirret jo më parë se dy javë dhe jo më vonë se tre javë nga paraqitja e raportit. Seanca e debatit zhvillohet e hapur dhe transmetohet drejtpërdrejt nga televizioni publik.
- Shqyrtimi në seancë plenare fillon me diskutimin dhe votimin në parim, shqyrtimin dhe votimin nen për nen dhe përfundon me votimin në tërësi. Në 27 Shtuar kreu me Vendimin nr. 193, datë 7.7.2008 seancë nuk mund të diskutohen amendamente të propozuara gjatë seancës plenare. Ato duhet të shqyrtohen më parë sipas nenit 77/a të Rregullores.
- Votimi për miratimin e amendamenteve bëhet i hapur.
- Amendamentet quhen të miratuara kur kanë votuar pro jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
20 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)