Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Nisma e PS për Kushtetutën, sot beteja në Konferencën e Kryetarëve

$
0
0

Reforma

Socialistët: Të zbatohet precedenti me Dekriminializimin. Ristani: Të zbatohet neni 77 i Rregullores

HERION MESI

keshilli mandateveThellohet edhe më shumë kriza politika për reformën zgjedhore. Pas ngërçit të krijuar për paragrafin e famshëm 88 të Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi, tashmë diskutimeve për draftin e amendimeve kushtetuese i shtohet dhe procedura e ndjekur nga Partia Socialiste për ta përfshirë këtë draft në Kuvend. Kjo për shkak se debatit politik tashmë i shtohet edhe një mosmarrëveshje e re: ajo për nenin 77 të Rregullores së Kuvendit. Nen, që përcakton procedurën parlamentare, që duhet të ndjekë nisma për ndryshimin e Kushtetutës.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i kërkoi të hënën Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, të thërrasë Konferencën e Kryetarëve për të përfshirë nismën e 33 deputetëve të PS-së në kalendarin e punës së Kuvendit, e prej andej projektligji kushtetues të kalojë drejtpërdrejt në seancë, pa ndjekur procedurën normale. Me një argumentim të gjatë, duke përmendur edhe rastin e ndryshimit të Kushtetutës për dekriminalizimin, socialistët thonë se detyrimet kushtetuese për shqyrtimin e draftit i ka përmbushur Komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi. Duke ndjekur këtë procedurë, socialistët kërkojnë që drafti të votohet brenda gjysmës së korrikut. Pas kësaj do të vinte reagimi i Partisë Demokratike, e cila përmes kryetarit të saj të grupit parlamentar, Edi Paloka, e bëri të qartë qëndrimin e vet se kërkesa e socialistëve për përfshirjen në kalendarin e punimeve është një provokim i rëndë për opozitën, që mund të shkaktojë dhe destabilizim të vendit. Por ajo që ngjalli interes në këtë debat ishte qëndrimi që do të mbante Lëvizja Socialiste për Integrim. Me cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, kreu i LSI-së në vend të thirrjes së Konferencës së Kryetarëve, thirri pasditen e djeshme Këshillin e Rregullores, një organ ky që jep mendime për interpretimin e Rregullores së Kuvendit. Ky nuk është një organ vendimmarrës, por mbledhja e djeshme shërbeu për të qartësuar nismën e socialistëve, të cilët shprehen se ka një precedent të mëparshëm parlamentar, ku përmes një procedure të tillë, u përfshi në agjendën parlamentare pak muaj më parë drafti i dekriminalizimit.

Debati për nenin 77

I vetmi prononcim pas mbledhjes së Këshillit të Rregullores ishte ai i kryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj. Ai bëri me dije se në mbledhje u kërkua ndjekja e procedurës të parashikuar në nenin 77 të Rregullores së Kuvendit. Duke iu referuar Rregullores, neni në fjalë, në pikën 2 të tij, parashikon që projektligji për ndryshimet në Kushtetutë shqyrtohet në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit për Legjislacionin, jo më parë se dy javë nga data e depozitimit. Ndërsa në pikën 6 të tij, parashikohet që në përfundim të shqyrtimit, mbledhja e përbashkët e Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit për Legjislacionin i paraqet seancës plenare raportin përkatës të hartuar nga relatorët (që duhet të jenë dy), i cili përmban edhe mendimin e pakicës, kur ka të tillë. Por pavarësisht këtij parashikimi, për deputetin socialist drafti për reformën në fjalë do të kalojë në seancë. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Rregullores, Xhafaj u është përgjigjur qëndrimeve kundër të opozitës me precedentin e ligjit për dekriminalizimin. “Ajo çfarë ka shkruar Gramoz Ruçi është çfarë kanë kërkuar Paloka dhe Bylykbashi për dekriminalizimin, që produkti i komisionit parlamentar të kalonte në seancë dhe kjo po ndodh”, tha Xhafaj. Ai ka theksuar se në rastin e dekriminalizimit, drafti kaloi në seancë me vetëm me dy firma deputetësh, të Bylykbashit dhe Ballës, si kryetar dhe nënkryetar të komisionit të posaçëm parlamentar. “Precedenti është njësoj sikur është një grup, ashtu edhe kur janë disa grupe. Nuk mund të thuash që kur jemi disa grupe ta bëjmë kështu, kur jemi një ta bëjmë ashtu. Rregullorja është një e vetme”, insistoi Xhafaj. Ai ka sqaruar se, drafti do të hyjë në procedurë, më pas Konferenca e Kryetarëve do të vendosë që të hyjë në kalendar e pastaj do ta shqyrtojnë ligjvënësit, në vartësi të disa aspekteve. Deputeti socialist ka shtuar më tej se, është momenti që për ndryshimet kushtetuese të shprehen grupet parlamentare. Pas këtij qëndrimi, do të vinte dhe reagimi i opozitës, ku deputeti demokrat, Arben Ristani, tha se deputetët e mazhorancës u përpoqën që të anashkalojnë nenin 77 të Rregullores për kalimin e draftit të reformës në drejtësi. Teksa e cilësoi kërkesën e socialistëve si të jashtëligjshme, Ristani tha se drafti duhet të kalojë në Konferencën e Kryetarëve dhe se opozita di këtë rrugë të vetme, zbatimin e nenit 77. “Ishte një kërkesë jashtë ligjit, jashtë normales me sa duket menduan ta shtrojnë në komisionin e rregullores për t’iu përgjigjur pyetjes nëse duhet të zbatohet neni 77. Neve nuk na bind logjika e të majtëve, por rregullorja e Kuvendit. Edhe ne duhet ta fusim shpejt, por rregullores nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Do kalojë nga Konferenca e Kryetarëve, e cila do vendosë sigurisht në bazë të rregullores. Kemi të bëjmë me një reformë të rëndësishme që me sa duket do shkojë pa konsensus, sepse ata nuk duan të ecin me shpejtësinë veneciane. Është një ecje arrogante, shumë vite prapa për Shqipërinë. Edhe për dekriminalizimin është ndjekur e njëjta procedurë sipas nenit 77. Kur kalohet në seancë kalohet mbi bazën e nenit 77 të rregullores. Kjo është e shkruar dhe nuk di tjetër. Duhet të ecim në bazë të rregullave të shkruara. Praktika e kësaj mazhorance që ecën sipas kohës së Enverit: “Pse ligjet tona do na pengojnë ne?!”, tha Ristani.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>