Szijjártó pret Bushatin: Paqja e stabiliteti arrihet me pranimin e Ballkanit Perëndimor në Union
BLEDAR HOTI
Hungaria i kërkon Komisionit Europian dhe shteteve të tjera të BE-së hapjen e negociatave të Shqipërisë për pranimin si vend anëtar i Unionit. Në një kohë kur i gjithë presioni i Komisionit Europian po ushtrohet ndaj Tiranës zyrtare për të miratuar sa më parë reformën në drejtësi, Hungaria, ndryshe nga shtetet e tjera të BE-së, ka kërkuar me insistim nga Komisioni Europian propozimin për hapjen e negociatave. E kjo pa përmendur ndonjë kusht që është ai i miratimit të reformës në drejtësi. Ky ka qenë qëndrimi zyrtar i mbajtur nga ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó (Piter Sijarto) gjatë takimit që zhvilloi në Budapest me kryediplomatin shqiptar, Ditmir Bushati. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme hungareze, bëhet e ditur se kjo deklaratë u bë pas bisedimeve që ministri Szijjártó zhvilloi me homologun e tij shqiptar të martën në Budapest. “Paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë një interes strategjik dhe i sigurisë kombëtare të Hungarisë, dhe nga ky aspekt, Shqipëria luan një rol kyç. Rruga më e shpejtë dhe më e thjeshtë që çon në paqen dhe stabilitetin në rajon është integrimi euroatlantik, dhe për këtë arsye Hungaria mbështet zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor”, tha Szijjártó në konferencën për shtyp. Ministri Bushati nga ana e tij vlerësoi mbështetjen e Hungarisë në rrugën europiane të Shqipërisë, si dhe marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve. Bushati nënvizoi se Shqipëria po bën gjithçka sa mundet për të avancuar më tej marrëdhëniet me BE-në. Ndërsa homologu hungarez ka dhënë vlerësime dhe për debatin e hapur mbi referendumin për daljen nga BE-ja të Britanisë së Madhe. Sipas tij, “nëse populli i Britanisë së Madhe do të votonte për t’u larguar nga BE-ja, kjo gjithashtu do të pengonte në mënyrë të konsiderueshme zgjerimin e Unionit, pavarësisht nga fakti se përshpejtimi i procesit të zgjerimit është një interes strategjik në rajon”. Referuar zhvillimeve më të fundit në rajon, ministrat u ndalën te rëndësia e forcimit të bashkëpunimit rajonal, i cili ka marrë në shtysë të re në kuadër të Procesit të Berlinit. Ministri Bushati vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vendeve të Grupit të Vishegradit, përfshirë Hungarinë, në krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor me seli në Tiranë sipas modelit të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit, duke nënvizuar rëndësinë e fillimit sa më parë të aktivitetit të tij, si dëshmi konkrete e bashkëpunimit rajonal. Ministri i Jashtëm hungarez, Szijjártó, u ndal te roli i Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s në rajon, duke siguruar homologun shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Në kuadër të kësaj vizite, ministri Bushati mbajti edhe një fjalë në Institutin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, me temë: “Integrimi europian i Shqipërisë dhe bashkëpunim rajonal”. Ministri iu përgjigj interesit të të pranishmëve mbi çështje që lidhen me zhvillimet më të fundit në rajon, rolin e politikës së jashtme shqiptare dhe ecurinë e proceseve integruese të rajonit.
Bashkëpunimi ekonomik
Në dhjetor të këtij viti pritet të rihapet linja e re ajrore ndërmjet Tiranës dhe Budapestit. Ndërsa thellimi i bashkëpunimit ekonomik ka qenë një ndër bisedimet mes Bushatit dhe homologut hungarez. Kjo siç duket është edhe arsyeja pa rezerva e Hungarisë ndaj Shqipërisë për çeljen e negociatave. Ndërsa kompani hungareze po investojnë në rrjetin energjetik ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipëri. “Eximbank” ndërkohë ka lëvruar një kredi prej 208 milionë eurosh për të inkurajuar bashkëpunimin ndërmjet firmave hungareze dhe shqiptare duke synuar investime në fushën e energjisë, ujësjellës, transportin hekurudhor dhe në agrokulturë. Ministri hungarez ka theksuar se mes dy shteteve nuk ka çështje politike të hapura. Ndërsa është vënë në dukje se vëllimi i shkëmbimeve ekomomike nga 16% në 25%. Gjithashtu është vlerësuar dhe projekti Azer i gazit dhe ai rus duhet të shkojë vijë nga drejtimi i Europës Juglindore.