Veliaj: Qendra të tjera, Kombinati, Kinostudio, Lapraka, Bulevardi i Ri, Shkoza, Farka, Qyteti Studenti, Sauku, Lundra
Në njëvjetorin e fitores së zgjedhjeve më 21 qershor 2015, Bashkia e Tiranës ka paraqitur draftin e vizionit dhe të strategjisë së Planit të Përgjithshëm Vendor “TR030”, përgatitur nga studioja e mirënjohur italiane “Stefano Boeri Architetti” dhe “UNLAB”. Prezantimi u bë gjatë një konference njëditore me arkitektë dhe urbanistë të ndryshëm, me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe arkitektit Stefano Boeri, të cilët diskutuan dhe hodhën idetë e tyre mbi Tiranën e së ardhmes. Veliaj theksoi se drafti i hartuar vendos piketat se si do të jetë Tirana e 20 viteve të ardhshme, ndërsa theksoi se ai do të ballafaqohet në një sërë debatesh dhe diskutimesh që do të zhvillohen në çdo njësi të Tiranës gjatë muajve të verës, njësoj siç u veprua me projektin e këndit të lojërave për fëmijë ose për projektin e sheshit “Skënderbej”. Sa i takon Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, kryebashkiaku tha se “jam i sigurt se për çdo projekt, edhe ky dokument, një projekt madhor i Bashkisë së Tiranës, sigurisht që do të hajë debat. Por, ky nuk është një konkurs bukurie. E kam kuptuar që në fillim se nuk ka nevojë që të gjithë të bien dakord për gjithçka, ajo që ka nevojë të ndodhë është që të merren vendime të drejta, të kemi një proces transparent dhe secili që ka diçka për të thënë, siç është ky forum sot, të dëgjohet”, tha kryebashkiaku i Tiranës. Gjithashtu, ai theksoi se ato që do përcaktojë në finale ky plan do të jenë pikërisht ato që bashkia do të zhvillojë në vitet në vijim në zhvillimin e qytetit. “Më vjen mirë që një nga idetë më provokuese është ai që quhet ‘metro-pylli’, pra pylli metropolitan i Tiranës. Tirana ka një milion banorë, duhet të rrethohet minimalisht nga një milion pemë për të bërë një diferencim dhe një rrethim të Tiranës nga ajo që quhet zona e urbanizuar me pjesën tjetër rurale. Konturi që do të ketë pylli metropolitan i Tiranës do të jetë si një unazë përgjatë unazës së pestë, e cila lidh gjithashtu disa nga atraksionet periferike të Tiranës urbane, duke filluar nga Parku i Dajtit me Liqenin e Farkës, me Liqenin tonë Artificial, duke vazhduar pastaj në jug, në zonën tjetër përtej Doganës, një pjesë e zonës informale, e gjithë pjesa e Lumit të Tiranës, e cila është duke u rehabilituar dhe duke pasur një kontur të gjelbër të atij që do të quhet pylli metropolitan e Tiranës”, tha Veliaj. Një ide të dytë që parashikon ky projekt është edhe ai për ndërtimin e dy unazave të reja për Tiranën, duke krijuar kështu më shumë mundësi, jo vetëm për ata që kanë një makinë, por edhe ata që kanë zgjedhur të ecin me biçikletë apo në këmbë. “Ky plan ofron një propozim drastik për dy unaza të reja që janë dy unaza të dedikuara, quhen Unaza e Dytë dhe e Katërt. E dyta, gjendet midis Unazës së Vogël dhe Unazës së Mesme, ajo që ne e quajmë sot autobusi i Unazës dhe e katërta është midis Unazës së Mesme, siç njihet unaza klasike dhe Unazës së Madhe, aty ku po shikoni gjurmët e ndërtimit. Ideja e shtimit të këtyre dy unazave është për ta rrethuar Tiranën me dy unaza të gjelbra që janë të dedikuara ekskluzivisht për transport publik, për këmbësorë dhe për përdoruesit e biçikletave”, shtoi ai. Plani parashikon dhe merr parasysh gjithashtu, zhvillimin e Tiranës në drejtimin verior, që vjen si pasojë e zgjatimit të bulevardit. “Një projekt tjetër, që është në fakt një qepje e kujdesshme e disa projekteve ekzistuese, ka të bëjë me atë që quhet aksi kryesor i Tiranës. Tirana e ka një aks kryesor, i cili po dyfishohet. Më vjen mirë që jemi sot në 1/3 e punimeve. Në qoftë se do të vazhdojmë me këtë ritëm, brenda këtij mandati do të përfundojmë aksin e Bulevardit të Ri, por kjo nuk mjafton. Nuk mjafton nëse nuk konceptohet dhe nëse nuk qepet edhe nga ana e konceptit urbanistik, edhe me pjesë të tjera siç është Parku i Lumit të Tiranës, siç është sheshi “Skënderbej”, apo i gjithë kompleksi universitar, e mandej investimet që do të vazhdojmë të bëjmë në Parkun e Liqenit të Tiranës”, theksoi kryebashkiaku. Gjithashtu, ai ka theksuar se projekti i planit të ri vendor parashikon edhe një Tiranë policentrike. “Tani ka ardhur koha që ta marrim këtë vendim dhe propozimi ynë i guximshëm është që ta marrim sot këtë vendim. Ne kemi propozuar një Tiranë e cila do të ketë 7 qendra. Kemi qendrën kryesore që është qendra klasike e Tiranës. Propozimi ynë është që qendra të tjetër të jetë zona e Kombinatit, zona e Kinostudios, zona e Laprakës, pjesa e Bulevardit të Ri, e cila do të zhvillohet si një lagje e re e Tiranës, trekëndëshi i zonës industriale të Shkozës me Farkën, zona e Qytetit Studenti, Sauk, Lundër, e cila tashmë ka marrë fizionominë e një poli urban”, përfundoi Veliaj.