Policia arreston shoferin e gjykatës dhe vëllain e të kërkuarit
Historia e gjyqeve ndaj të kërkuarit Selam Xhaferi, i cili akuzohet për grabitje dhe vrasje në vitin 1997
Njëzet mijë euro dyshohet se është çmimi që ishte vënë për pafajësinë e një të kërkuari nga Tepelena, i cili dyshohet se në vitin 1997, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kanë grabitur dhe vrarë një shofer. Kjo vlerë mësohet se i është kërkuar vëllait të personit në kërkim nga Robert Patoshati, shofer në Gjykatën e Apelit Vlorë, i cili është arrestuar nga policia, pasi kishte marrë përsipër zgjidhjen e këtij problemi me togat e zeza, të cilat kanë në shqyrtim dosjen.
Arrestimi i shoferit
Burimet zyrtare të policisë bënë me dije se shoferi i Gjykatës së Apelit në Vlorë është arrestuar dje në mesditë, bashkë me Gjolek Xhaferin, 44 vjeç, i cili është vëllai i të kërkuarit Selam Xhaferi, lindur e banues në Kalivaç të Tepelenës. Sipas të dhënave, të dy janë kapur në flagrancë në ambientet e një lokali, kur Gjolek Xhaferi po i jepte shumën 20 mijë euro dhe 100 mijë lekë shoferit Robert Petoshati. Burimet zyrtare policore thanë se dyshohet që kjo shumë do t’i jepej trupit gjykues për zgjidhjen e çështjes në favor të vëllait të Gjolek Xhaferit dhe shoferi shërbente si sekser. Por veç faktit se mbi dy shtetasit rëndon vepra penale e korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksioneve të tjera të drejtësisë, në bashkëpunim, policia nuk ka dhënë detaje të mëtejshme në lidhje me këtë çështje.
Vrasja në ’97-n
Megjithatë, nga burimet pranë Gjykatës së Apelit në Vlorë bëhet me dije se kjo çështje lidhet me tre të akuzuarit, Selam Xhaferi, Fatjon Zoto dhe Fatos Muçi, të cilët dyshohen për grabitje dhe vrasje në vitin 1997 në Mallakastër. Sipas dosjes penale, më 31 korrik të vitit 1997, Robert Meraj dhe Florian Sinani kanë qenë duke udhëtuar me një autobot të ngarkuar me karburant nga Tepelena për në Durrës e më tej në Laç. Në fshatin Povel të Mallakastrës, ata janë parakaluar nga një “Mercedes Benz” dhe nga personat që ndodheshin në të, janë qëlluar me armë zjarri. Robert Meraj ka ndaluar automjetin dhe ka zbritur prej tij së bashku me Florian Sinanin, i cili ka qenë i armatosur me automatik dhe me pistoletën personale, të cilën e kishte me leje, pasi kishte qenë punonjës policie. Aty i kanë grabitur personat që i kishin parakaluar dhe më pas i kanë lënë të lirë. Kur Meraj e Sinani janë kthyer nga rruga, në vendin e quajtur “bajamet” është qëlluar me armë zjarri nga dritarja e pasagjerit dhe plumbi ka kapur në brinjë Robert Merajn, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Për këtë ngjarje, Sinani ka dyshuar mbi Selam Xhaferin, Fatjon Zoton dhe Fatos Muçin, të tre nga Tepelena dhe për këtë arsye, ata janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Fierit për grabitje dhe vrasje.
Historia në gjykatë
I vetmi që është arrestuar për këtë krim ka qenë Fatjon Zoto, ndërkohë që Selam Xhaferi dhe Fatos Muçi nuk janë arrestuar kurrë. Megjithatë, më 2 dhjetor të vitit 2010, Gjykata e Fierit ka vendosur të deklarojë fajtorë tre të akuzuarit, duke i dënuar me nga 15 vite burg. Ky vendim mësohet se është apeluar në Vlorë, por Gjykata e Apelit, më 22 nëntor të vitit 2011, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të marrë nga togat e zeza në Fier. Pas kësaj, çështja është dërguar nga mbrojtja e të pandehurve në Gjykatën e Lartë, pasi ata nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin e kryer në vitin 1997. Sipas të dhënave, kundër këtij vendimi, më datë 16 dhjetor 2011, ka ushtruar rekurs i gjykuari Fatjon Zoto. Pas tri vitesh nga rekursi, pikërisht më 2 korrik të vitit 2014, Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim këtë çështje dhe ka vendosur prishjen e vendimit të vitit 2011 dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Apelit në Vlorë, por me tjetër trupë gjykuese. Sipas të dhënave, kjo çështje ishte regjistruar në Apelin e Vlorës më 26 mars të këtij viti dhe shorti i kishte rënë një trupe gjykuese të kryesuar nga gjyqtari V. H. Këto ditë pritej të jepej vendimi i kësaj çështjeje dhe për këtë arsye mendohet se vëllai i Selam Xhaferit ka paguar 20 mijë euro te shoferi, i cili dyshohet se do të bënte sekserin. Megjithatë, ndërhyrja e Patoshatit te gjyqtarët nuk është vërtetuar, kështu që prokuroria ka vënë nën akuzë vetëm dy të arrestuarit e djeshëm. Re. Rre.
Hetimet
Për vrasjen në vitin 1997 u kërcënua edhe prokurori
Për pafajësinë e tre të akuzuarve për vrasje dhe grabitje, më herët është kërcënuar edhe prokurori i çështjes. Bëhet fjalë për prokurorin Çlirim Sino, i cili ka përfaqësuar akuzën dhe para se të jepej vendimi i Gjykatës së Fierit është kërcënuar me dy mesazhe telefonike nga një numër grek. “Po ta them në sms po ty do ta them lajf, mendohu mirë o rop math se nuk më njeh se kush jam, e do bëhesh pishmënd me kë je pleksur …” Ky është vetëm një fragment i dy sms që kanë mbërritur në telefonin e prokurorit të Fierit, Çlirim Sino, i cili është kërcënuar me jetë nëse nuk ulte dënimin gjatë pretencës së dhënë në gjykatë. Gjithçka ka ndodhur në muajin nëntor 2010, ndërkohë që për këto kërcënime Prokuroria e Tiranës ka mundur të identifikojë autorin në prill 2013, i cili është Elvis Bilbili nga Tepelena, emigrant në Greqi. Në pamundësi për ta gjetur, prokuroria ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Bilbilin dhe ka vijuar në mungesë gjykimin ndaj tij për akuzën e “kanosjes së prokurorit”, duke e dënuar me tre vjet burg.
Ky shkrim Njëzet mijë euro në Gjykatën e Apelit për pafajësinë e vëllait u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.