Shqipëria mpsht Rumaninë në ndeshjen e fundit në grup. Ëndrra vazhdon, por jo gjithçka varet nga kuqezinjtë




Historike! Shqipëria ka arritur fitoren e parë në Europian, suksesi i parë në një veprimtari prestigjioze ndërkombëtare. Kuqezinjtë kanë mundur Rumaninë 1-0 me gol të Armando Sadikut në minutën e 43-të të pjesës së parë. Një fitore që i mban kuqezinjtë akoma në lojë për t’u kualifikuar në raundin e 1/8 të “Francë 2016”, por në fillim duhen pritur edhe 3 ditë të tjera për të parë se si do të dalin rezultatet e skuadrave të tjera në grupe. Pra, Shqipëria punën e saj e bëri dhe tani gjithçka varet nga të tjerët. Sadiku shënon golin e parë në një Kampionat Europian, duke mbajtur gjallë ëndrrën e miliona shqiptarëve për kualifikim. Është ky momenti kulmor i një ndeshjeje, ku Shqipëria hynte e ndërgjegjshme se ky ishte shansi i fundit dhe i duhej vetëm fitorja. De Biazi ka bërë zgjedhjet e tij, guxon të lëtë Canën në stol dhe e nis me dyshen Ajeti-Mavraj. Migjen Basha luan në vend të Kukelit para dyshes qendrore të mbrojtjes, Andi Lila në të djathtë dhe sërish Sadiku, basti kokëfortë i italianit në sulm. Shqipëria tenton ta nisë agresive, por fillimi është i rumunëve, sinjali i parë vjen nga Stanku në minutën e 3-të edhe pse me një goditje për t’u harruar. Shqipëria futet në lojë pas 20 minutash dhe sinjali i parë vjen nga Basha që tenton nga një distancë thuajse e pamundur. Aksion perfekt i Shqipërisë në minutën e 23-të, asist fantastik i Andi Lilës për Lenjanin që me portën bosh, kur i duhej të shtynte vetëm topin brenda, gabon. E pabesueshme çfarë ka humbur, megjithatë për t’u ngushëlluar më parë ishte sinjalizuar pozicion jashtë loje. Shqipëria ka marrë frenat e lojës në dorë, në të 34-ën Memushaj depërton bukur në zonë, driblon dhe kundërshtarin, por Tatarusano e ka mbyllur mirë hapësirën në shtyllën e parë. Momenti magjik vjen në minutën e 44-t, krosim i Ledian Memushajt dhe kërcim magjik i Armando Sadikut. E gjithë shqiptaria në këmbë, të gjithë në festë, është ky momenti që një jetë kemi pritur, me heronjtë kuqezinj që festojnë dhe me britmën e Lilës mbi të gjithë. Pjesa e dytë fillon me Shqipërinë sërish përpara, kundërsulm i bukur në minutën e 50-të me Memushajn, që shërben sërish për Sadikun, që nuk arrin të kontrollojë si duhet. Elbasanasi më pas zëvendësohet me Balajn. Rumunët e kanë të pamundur të reagojnë të reagojnë në këtë fragment loje, por në 20 minutat e fundit, tensioni rritet dhe skuadra e Iordaneskut bëhet e rrezikshme, ku në minutën e 77-të Andone godet nga larg duke prekur traversën e jashtme. De Biazi nxjerr Lenjanin për Roshin, ndërsa Cana zë vendin e Bashes, me Shqipërinë që i mbeten pak minuta për të realizuar një mision historik. Një tjetër skemë e bukur në minutën e 86-të, me Mavrajn që ‘qeth’ të jashtmen ë rrjetës. Shqipëria oa del të mbajë topin para dhe në të 87-ën, Andi Lila provon golin e me kokë nga goditja e këndit nuk e gjen por rëndësi ka të fitojmë. Gjyqtari i katërt jep katër pesë minuta shtesë dhe kuqezinjtë kontrollojnë lojën siç duhet deri në vërshëllimën finale. Shqipëria mposht Rumaninë dhe renditet e treta në grup, duke shpresuar te kualifikimi me ëndrrën e të gjithë shqiptarëve kudo në botë.
Sulmuesi
Sadiku: Nuk e pashë topin që u fut në rrjetë
Armando Sadiku shpërblen besimin e trajnerit De Biazi, duke shënuar golin më të rëndësishëm me fanellën e kombëtares. Pas sfidës, ai u shpreh shumë i lumtur, ndërsa tregoi se kujt ia dedikoi golin. “Jam shumë i lumtur që arritëm të marrim një fitore historike, doja të falënderoj të gjithë çunat, trajnerit për besimin, i cili më a ndihmuar, besoj e kam shpërblyer me golin. Goli? As nuk e kam parë topin duke shkuar në rrjetë, vetëm shokët që po vinin drejt meje duke festuar. Unë doja të shkoja drejt stolit për të festuar me të gjithë, sepse çdo njeri, ka dhënë një dorë në këtë sukses dhe golin dua t’ju dedikoj atyre”, tha ai. Sadiku tha se tani do të presin për ndeshjet e ardhshme dhe do të lutën që rezultatet në grupet e tjera të shkojnë në favor të Shqipërisë. “Ne tani do të presim ndeshjet e ardhshme. Lutemi që ekipet e tjera te ngecin dhe të vazhdojmë ne. Tifozët? Janë të mrekullueshëm, është një ndjenjë e papërshkrueshme”.
Trajneri
De Biazi është i lumtur: E merituam fitoren
Si gjithnjë me këmbë në tokë, trajneri Xhani De Biazi është shprehur shumë krenar për lojtarët e tij dhe 3 pikët që Shqipëria mori. Në një intervistë për “Supersport” ai tha se skuadra e meritonte fitoren ashtu siç meritonte më shumë edhe në ndeshjen me Francën dhe Zvicrën. “Sot kemi bërë një ndeshje shumë të mirë për nga cilësia, me një skuadër që vështirë të pësojë gol. Ishim shumë të aftë të kërkonim golin. Jemi vendosur mirë në fushë. Skuadra e kërkoi gjatë gjithë ndeshjes fitoren”. Tekniku italian foli edhe për ndërrimet që bëri në ekip për këtë ndeshje: “Kemi ndryshuar vetëm Kukelin që u skualifikua për kartonë, më pas patëm një problem me Xhakën që s’ndihej mirë. Lojtarët që luajtën me Francën nuk mund t’i ndërroja, pasi dhanë kontribut të madh. Të gjithë lojtarët dhanë maksimumin”. Sipas De Biazit, fatin duhet ta kërkosh dhe jo ta presësh, dhe kjo ishte pikërisht ajo që lojtarët bënë sot në fushën e lojës ndaj Rumanisë.
Rregullorja
Renditja e ekipeve me pikë të njëjta
Dy ekipet e para të çdo grupi dhe 4 të tretat më të mira do të kualifikohen për në fazën tjetër të “Euro 2016” dhe pasi është luajtur pjesa më e madhe e ndeshjeve të fazës së parë, skuadrat kanë nisur të bëjnë llogaritë. Nëse dy ose më shumë skuadra të të njëjtit grup janë me pikë të barabarta, renditja vendoset sipas disa kritereve. Fillimisht llogaritet numri i pikëve në përballjet direkte, më pas diferenca e golave mes skuadrave të grupit që janë me pikë të barabarta. Kriteri i tretë janë golat e shënuar në sfidat e grupit dhe nëse gjithçka është e barabartë në të tre këto pika, atëherë kriteret aplikohen mes skuadrave që janë në garë. Më pas llogariten edhe golat e shënuar në grup, renditja në bazë të pikëve në klasifikimin “fair play” dhe në fund nëse të gjitha pikat i nxjerrin skuadrat të barabarta, është renditja e UEFA-s që thotë fjalën e fundit. Gjithashtu, nëse në ndeshjen e fundit dy skuadrat në fushë kanë të njëjtin numër pikësh dhe të njëjtën sasi golash të shënuar dhe të pësuar, renditja përfundimtare vendoset pas goditjes së 11-metërshave.
UEFA
Gati dënimet për tri skuadra
Hungaria, Belgjika dhe Portugalia janë vendet e fundit që do të përballen me procedurat disiplinore të UEFA-s si rezultat i sjelljeve jo të hijshme të tifozerive të tyre në “Euro 2016”. Federata Hungareze e Futbollit do t’u përgjigjet akuzave për papërgjegjshmërinë e tifozëve të tyre për ndezjen e fishekzjarrëve dhe hedhjen e tyre e objekteve të tjera ndaj tifozerisë kundërshtare pas barazimit 1-1 me Islandën. Me të njëjtën akuzë do të përballet edhe Federata Belge e Futbollit pas fitores 3-0 me Republikën e Irlandës. Procedurat disiplinore kundër Federatës Portugeze të Futbollit lidhen me hyrjen në fushë të një tifozi në fund të ndeshjes me Austrinë, i cili kërkoi të bënte një ‘selfie’ me Kristiano Ronaldon, pavarësisht përpjekjeve të stafit të stjuardëve për ta ndaluar atë. Të gjithat rastet do të përballen me trupin gjykues të etikës së UEFA-s ditën e nesërme.