Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar daljen e tezës së matematikës një ditë para se të zhvillohej provimi. Në një status në Facebook, Berisha publikon edhe fotot e testit.
“Një turp kombëtar!
Horrat e shtetit nxjerrin në treg, një dite përpara, testin e matematikës, si kurrë ndonjëherë në historinë e këtij shtetit”, shkruan Berisha.
Matura, MAS: Dalja e tezës e pamundur, gjithçka është një sajesë
Pas lajmeve që qarkullojnë dhe denoncimit të ish-kryeministri Berisha për daljen e tezës së matematikës një natë para provimit, ka reaguar edhe MAS. Ministria e Arsimit e mohon një fakt të tillë, duke theksuar se hartuesit janë të izoluar. Sipas MAS, tezat janë shoqëruar dhe ruhen në të gjithë vendin nga forcat e rendit dhe punonjës të përzgjedhur të Ministrisë.
Reagimi i MAS
Në lidhje me disa lajme të cilat qarkullojnë në rrjetet sociale dhe portalet online ku raportohet për mundësinë e daljes së tezës të lëndës së matematikës të provimit Shtetëror të Maturës 2016 një natë përpara zhvillimit të testimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron se;
Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka hartuar një proces të tillë administrimi të tezës i cili siguron pamundësinë e daljes së çfarë do informacioni deri përpara hapjes së tezës përcaktuar të dorëzohet për të gjithë maturantët ditën e premte datë 17 qershor 2016, ora 10.00, në të gjitha qendrat e provimit në vend. Kjo, pasi procesi i hartimit të tezës zhvillohet në masa të rrepta sigurie në ambiente ku hartuesit e saj janë të izoluar dhe nuk kanë mundësi komunikimi me ambientet e jashtme të godinës ku ata janë ngujuar.
Nga ana tjetër, sqarojmë publikun se tezat janë shoqëruar dhe ruhen në të gjithë vendin nga forcat e rendit dhe punonjës të përzgjedhur të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ndaj, çfarë do informacion që pretendon se teza e matematikës është publikuar përpara provimit është i pavërtetë dhe një sajesë dashakeqëse nga të gjithë ata që kërkojnë të baltosin këtë proces model administrimi të nisur prej MAS nga viti 2014.
I bëjmë thirrje të gjithë administratorëve të provimit, maturantëve dhe të gjithë publikut se provimi i Maturës Shtetërore të lëndës së matematikës do të zhvillohet sipas të gjithave procedurave dhe standardeve të paracaktuara dhe informuara paraprakisht nga udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për provimet e Maturës Shtetërore 2016. Kush do që tenton të shkel rregulloren e Maturës Shtetërore do të përgjigjet penalisht përpara organeve ligjzbatuese.
Duke siguruar dhe njëherë të gjithë maturantët e vendit për një proces administrimi me integritet e që garanton meritokraci, i urojmë atyre suksese në provimin e radhës!
17 qershor 2016 (gazeta-Shqip)