“BE të na japë garanci për çeljen e negociatave nëse reforma në drejtësi të votohet në mënyrë të njëanshme në Parlament”
BLEDAR HOTI
Lëvizja Socialiste për Integrim del me një propozim të ri me synimin zgjidhjen e ngërçit politik për reformën në drejtësi, duke i kërkuar opozitës, Partisë Demokratike që t’i drejtohet zyrtarisht Brukselit për të argumentuar rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias, për të cilën e djathta e kërkon me ngulm që të përfshihet si garanci për moskapjen e sistemit të drejtësisë nga politika. Propozimi në formë sugjerimi u bë dje nga kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i cili e argumentoi dhe si një zgjidhje që mund t’i japë fund zvarritjes së procesit të votimit në seancë të paketës së reformës në drejtësi nga ana e Parlamentit shqiptar. “Komisioni i Venecias, sikurse e kemi pranuar të gjithë, është i vetmi institucion që mund të përcaktojë standardet ndërkombëtarisht të pranuara të reformës, apo ndryshe siç thuhet me termat e rinj të ditëve të fundit të përcaktojë pra vijat e kuqe të reformës. Përfundimisht, opozita mendoj se duhet të kërkojë në mënyrë të qartë Bashkimit Europian në nivele më të larta në Bruksel të shprehen lidhur me pretendimet e opozitës dhe të kërkojë e të gjejë një zgjidhje të pranueshme me mazhorancën për të vetmen çështje që e pengon konsensusin. Unë besoj që është shumë i qartë dhe shterues në raportin me rekomandimin 88. Praktikisht në Tiranë kjo çështje rezulton një çështje e pazgjidhur. Besoj këtu jemi shumë të qartë dhe meqenëse Kryeministri Rama me shumë të drejtë ka thënë që vijat e kuqe ku nuk mund të kapërcehet përtej tyre, Brukseli i ka vendosur si të tilla dhe këto vija të kuqe janë mbi vijat e kuqe të cilat përcakton Venecia në rekomandimin e saj, sugjerimi ka qenë dhe mbetet që PD e cila është një mbështetëse dhe e fuqishme dhe kërkon sigurisht interpretimin tjetër themelor, dhe ndodhet përpara këtyre vijave të kuqe të pakapërcyeshme që lidhen me Brukselin, duhet t’i kërkojë atje në Bruksel, pasi janë ata që vendosin vijat, ata bëjnë interpretimin dhe ata po ta gjejnë të arsyeshme vendosin vija të reja. Ne nuk mund të japim asnjë zgjidhje tjetër për sa i takon LSI-së si forcë politike”, deklaroi Vasili në konferencën për shtyp. Por ndërsa për herë të parë, LSI-ja e ka cilësuar qëndrimin e PD-së për vendet e rezervuara, të pasqyruara në rekomandimin numër 88 si të drejtë në parim. “Është një fakt evident që mungesa e koherencës së faktorëve të caktuar politikë, vendas, por edhe ndërkombëtarë, po rrezikon këtë reformë, që shqiptarët e kërkojnë me ngulm dhe me shumicë, por që e kërkojnë po kështu edhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët e duan stabilitetin e Shqipërisë, por sigurisht duan akoma më shumë të ardhmen e saj europiane. Është fare e qartë për të gjithë dhe opozita është përbetuar politikisht se do ta votojë reformën dhe unë besoj e vlerësoj se ky është një sukses i rëndësishëm politik, pasi ajo ka pranuar në këtë mënyrë të gjithë ndryshimin e thellë dhe rrënjësor të sistemit aktual të dështuar të drejtësisë”, theksoi Vasili. Ndërsa ndan mendimin se “sigurisht ne si LSI jemi edhe për mbajtjen e një referendumi për miratimin e Kushtetutës, pasi në këtë mënyrë, duke iu drejtuar shqiptarëve për shkak se opozita shqiptare në mënyrë të njëanshme edhe duke u zbatuar rekomandimi 88 përsëri nuk do ta jepte dakordësinë e saj, referendumi do të ishte një instrument normal kushtetues për të ecur përpara me miratimin e reformës”.
Garancia për negociatat
Në kushtet e refuzimit të konsensusit nga ana e PD-së, plani B i mazhorancës hedhjes në votim në seancë i paketës kushtetuese, duke synuar rrjedhjen e votave nga opozita, veç idesë së Kryeministrit Edi Rama, duket se mund të gjejë mbështetje edhe nga ana e LSI-së. Por nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, për hedhjen e këtij hapi që do të shkaktonte jo pak përplasje politike, kërkon garanci nga BE-ja. Dhe ajo është çelja e negociatave, vetëm në këtë mënyrë LSI-ja mund të përdorë 20 votat e saj në Parlament. “Dhe nëse BE dhe opozita nuk dakordësohen për këtë çështje dhe për një zgjidhje të pranueshme për të gjithë spektrin politik, pra për të gjithë ato forca politike që kanë përgjegjësi dhe që do të marrin përgjegjësinë e madhe për ta votuar reformën pa opozitën dhe për të gjetur sigurisht edhe vota të ndershme, individuale për të plotësuar ato vota që kërkohen në Parlament për ta votuar këtë reformë, përpara se të bëjnë një veprim të tillë është e nevojshme, e domosdoshme, është një detyrim madhor që Bashkimi Europian në nivelet më të larta institucionale në Bruksel do të duhet të na garantojë, që megjithëse ne do ta ndërmarrim këtë hap të njëanshëm, pra do t’i hapim negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE edhe nëse dialogu politik do të ndërpritet. Pasi ky veprim i njëanshëm e çon në ndërprerjen e dialogut politik.
Këto garanci janë të domosdoshme, pasi bëhet fjalë për hedhjen e një hapi shumë të rëndësishëm, ndaj të cilit ne duhet t’u japim garanci të plota shqiptarëve që po ndërmarrim këtë pasi kemi edhe garancitë që ky hap do të çojë në një hap tjetër shumë të rëndësishëm, siç është ai për hapjen e negociatave, pra për ecjen përpara të procesit të integrimit europian në mënyrë të sigurt”, theksoi Vasili.