Vendimi i Gjykatës së Apelit, një javë nga pezullimi i Drejtorit të Policisë për hetimin e përgjimeve. Avokati Haxhia: Nuk fshehu aparaturën
QËNDRIMET
Çako – Haki Çako ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues ndaj faktit që kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme
Avokati – Avokati mbrojtës i Çakos, Maks Haxhia, tha se “nga ky moment Çako shkon në detyrë. Nuk ekzistojnë dyshime të arsyeshme”
Prokuroria – Sipas prokurorisë, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave
Mariglen Mullai

Policia e Shtetit do të drejtohet sërish nga Drejtues Madhor Haki Çako, pasi Gjykata e Apelit ia hoqi atij masën e pezullimit që gjyqtari Arjan Aliaj vendosi para një jave. Çako u përfshi në hetimet e prokurorisë për aparaturën italiane, kurse dy vartës të tij u arrestuan dhe po ruhen me policë në banesa. Ende s’ka ndonjë konkluzion qartësues dhe shterues nëse aparatura është përgjuese, siç akuzoi opozita, apo trajnuese, siç pretendon policia. Megjithatë, deri në përfundimin e hetimeve, Haki Çako do të jetë në krye të Policisë së Shtetit, duke rimarrë postin që e mbajti për një javë zëvendësi i tij Rebani Jaupi. Marrja e detyrës nga ana e kryepolicit u reklamua edhe zyrtarisht në qarqet policore, ku spikaste kurimi nga ana e stafit i një fotografie të publikuar në rrjetet sociale. Rikthimi i Çakos u mbështet haptazi nga qeveria dhe u sulmua nga opozita, që e cilëson si presion mbi gjyqësor. Për këtë çështje Italia tërhoqi shefin e saj të Interforcës dhe tanimë hetimi vijon pa aparaturë, pasi objekti është pronë e shtetit italian.
Rikthimi i Çakos
Vendimin për kthimin në detyrë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit e dhanë tre gjyqtarët, relatorja Maria Qirjazi dhe anëtarët Ervin Metalla dhe Fiqirete Mullai. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, ku gjykata nuk lejoi mediat të dëgjonte argumentet e prokurorisë. Kjo e fundit kërkoi të mbetet në fuqi vendimi i pezullimit nga detyra, ndërsa mësohet se debatet gjyqësore zgjatën për rreth dy orë. Tre gjyqtarët u bindën se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të firmosur nga kolegu Arjan Aliaj ishte i paligjshëm dhe për këtë fakt vendosi rikthimin në detyrë të Çakos. Nga burimet mësohet se tre gjyqtarët nuk lexuan arsyetimin e këtij vendimi, por vetëm shkurtimin e saj, që u bë i ditur edhe për mediat nga kryesekretarja. Sipas Apelit, në këtë çështje nuk rezulton të kishte vepër penale. Ndërsa avokati i Çakos, në prononcimin për mediat pas përfundimit të seancës, tha se pajisja e përgjimit nuk ka lidhje me drejtorin e policisë, ndërkohë që theksoi se ishte një mjet trajnues që vinte nga Italia për policinë shqiptare. Mes të tjerave avokati Maks Haxhia u shpreh se “Rikthim në punë për Çakon që nga ky moment Çako shkon në detyrë. Nuk ekzistojnë dyshime të arsyeshme. Nuk mundet që drejtori i policisë, në rastin konkret në një kohë që ‘Ims Chatcher’ që është në menaxhim të ‘Interforcës italiane’ të kishte mundësi të fshinte gjithçka për sa kohë autoritetet italiane saktësuan që ajo pajisje ka qenë në territorin e ambasadës italiane dhe ka dalë nga territori vetëm kur ajo është kërkuar për trajnim”.
Akuzat për pezullimin
Gjyqtari Arian Aliaj pranoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës, e cila e akuzoi Çakon për shpërdorim detyre, në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit. Po me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurimit “arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike për Artion Dukën, drejtor i Forcave Operacionale dhe Entiol Xhelilaj. “Shtetasi Haki Çako, në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, ‘IMSI Catcher’, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi, siç deklarohet nga të dyshuarit”,-shprehej prokuroria në akuzën e saj ndaj Çakos.