Spanja ka mundur të fitojë ndaj Çekisë me rezultatin 1-0. Goli është shënuar nga Gerard Pique në minutat e fundit të ndeshjes. Iniesta dhuron një pasim për shokun e tij te Barcelona, i cili me kokë mposhti portierin Cech.
Kombëtarja e drejtuar nga Del Bosque bëri lojën e zakonshme, duke patur një përqindje të lartë të mbajtjes së topit, ndërsa Çekia kërkonte ta ndëshkonte me anë të kundërsulmit. Megjithatë pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rrjeta të paprekura. Morata, Silva e Nolito që ishin në sulmin e Spanjës nuk arritën të gjenin golin.
Momenti që ka vendosur sfidën ka ardhur kur kishin mbetur tri minuta para fundit të ndeshjes. Andres Iniesta, heroi i Botërorit të 2010-ës, ka dhënë një krosim në zonë dhe Pique ka fluturuar më lart se mbrojtësit çek, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhuruar fitoren spanjollëve. Në minutën e 92-të Darida ka pasur mundësinë për të barazuar, por De Gea ka qenë i vëmendshëm.
13 qershor 2016 (gazeta-Shqip.com)