Trajneri i kombëtare sonë Gianni De Biasi dhe kapiteni Lorik Cana kanë dalë në një deklaratë për mediat për ndeshjen me Zvicrën. De Biasi foli për përgatitjen e lojtarëve dhe shpreson që djemtë e kombëtares të japin maksimumin. Ai u shpreh se e di vlerën e kundërshtarëve, por në fushë ndeshja niset 0-0. Sipas tij, ndeshja e nesërme nuk është vendimtarja, por nisja me këmbë të mbarë është me rëndësi
“Jam shumë krenar që kam një gruplojtarësh që na dhuroi finalet e Europianit, pas një grupi kualifikues ku edhe më optimisti mendonte për vendin e katërt. Por, nuk u dorëzuam asnjëherë, besuam shumë edhe sepse fituam ndeshjen e parë në Portugali, kundër ekipit lider në grup dhe kjo na dha besim. Në këto 4 vjet e gjysmë ekipi është rritur në mënyrë konstante edhe falë afrimeve të lojtarëve të rinj që luajnë në Gjermani, Itali.
Presion nuk kam. Kam pritshmëri të mëdha. Shpresoj që në këtë turne djemtë do të japin më të mirën dhe mos të kënaqen. E dimë vlerën e kundërshtarëve, por ndeshjet nisin nga rezultati 0-0, duhet ti luajmë me përqendrimin e duhur dhe me bindje.
Besoj që është thelbësore që kundërshrtarin ta njohësh. Ai të jep mundësi ti kuptosh strategjitë, për të gjetur mënyrën që ta përballosh dhe të shfrytëzosh edhe defektet më të vogla gjatë ndeshjes. Ndonjëherë kjo nuk mjaftion, por njohja e kundërshtarit të ndihmon drejt suksesit, ashtu si të ndihmon edhe njohja e limiteve të skuadrës tonë, që të jetë e mirë organizuar dhe të bëjë atë që di të bëjë.
Besoj se ndeshja me Zvicrën nuk është vendimtare. është sfida e parë dhe do të ishte mirë për ne, për lojtarët që ta nisnim mbarë, në mënyrë që të krijojmë besim pas thuajse 20 ditëve grumbullim. E rëndësishme është që të lexoj sinjalet që do të më japë skuadra, për ti kuptuar në mënyrën e duhur”, tha ai.
Ndërsa kapiteni Cana deklaroi se është përmirësuar shumë në aspektin e mbrojtjes dhe riorganizimit. Cana u shpreh se gjithçka do të fokusohet tek futbolli.
10 qershor 2016 (gazeta-Shqip.com)