Vendimi
Para tri vitesh u shtrua te psikiatriku, tashmë gjykata vendosi kurim ambulant
Sokol Çobo
Gjykata e Tiranës ka liruar pas tri vitesh babanë që vrau foshnjën e tij të sapolindur, duke e hedhur nga dritarja e maternitetit. Hysen Biba, pas krimit, u shtrua në spitalin psikiatrik për krimin e kryer, ndërsa tashmë është vendosur lirimi i tij. Disa ditë më parë, gjyqtarët Altin Abdiu, Bujar Krasniqi dhe Kreshnik Omari pranuan kërkesën e 32-vjeçarit, falë edhe dëshmisë së bashkëshortes, e cila thotë se jeton ende te prindërit e Hysenit, madje ka edhe një fëmijë tjetër me të.
Sipas vendimit të gjykatës, që disponon Shqip, thuhet se me vendim të formës së prerë, Gjykata e Tiranës, më 27 mars 2013, vendosi caktimin e masës mjekësore mjekim i detyruar në një institucion mjekësor për Hysen Bibën. Me kalimin e afatit njëvjeçar, nga dita e marrjes formë të prerë e këtij vendimi, mbrojtja ka paraqitur kërkesë për revokimin e vendimit me pretendimin se gjendja shëndetësore është përmirësuar.
“Cila është gjendja aktuale psikike e shtetasit Hysen Biba? Nëse shtetasi Hysen Biba vuan nga ndonjë sëmundje psikike, çfarë mase mjekësore rekomandohet?” ishin dy pyetjet e gjykatës, ndërsa ekspertja e Institutit të Mjekësisë Ligjore, F. Myslymaj, i paraqiti gjykatës aktin e ekspertimit mjekoligjor. “Gjendja aktuale psikike e shtetasit Hysen Biba është e stabilizuar. Shtetasi Hysen Biba vuan nga një çrregullim deluzional. Masa mjekësore që rekomandohet për këtë shtetas në gjendjen psikike aktuale, është ‘mjekim i detyruar ambulator’, nën kujdesin e mjekut psikiatër të rrethit dhe të familjarëve”, thuhej në aktin mjekoligjor.
Në seancën gjyqësore të datës 4 dhjetor 2014, prokurori kërkoi kryerjen një akti të ri ekspertimi me një grup ekspertësh. Në vendim thuhet se për një hetim të plotë e të gjithanshëm të kësaj çështjeje, gjykata ka vendosur kryerjen e një akti të ri ekspertimi mjekoligjor. Në aktin e dytë thuhet se “gjendja aktuale psikike e shtetasit Hysen Biba është e përmirësuar dhe nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore për shkak të sëmundjes nga e cila vuan. Theksoj se ai vuan nga çrregullimi deluzional. Mënyra më e mirë e kurimit të shtetasit Hysen Biba është ajo e kurimit të detyruar ambulator, te Qendra Kombëtare e Shëndetit Mendor nën kujdesin e një të afërmi”.
Në gjykim u pyet si dëshmitare bashkëshortja e Hysenit, Lule Biba, e cila në seancën gjyqësore të datës 10 qershor 2015, ndër të tjera, dëshmoi se “marrëdhëniet me kërkuesin Hysen Biba i kemi të mira, ai reagon mirë, e takoj shpesh te Spitali i Burgut. Unë aktualisht jetoj në banesën e tij së bashku me mamanë dhe vëllain e tij, kam një fëmijë tjetër me të, i cili është i moshës pesë vjeç. Marr përsipër të kujdesem për mjekimin ambulator të tij pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor”.
Gjykata, pasi dëgjoi prokurorin në konkluzionet përfundimtare, i cili kërkoi pranimin e kërkesës, arrin në konkluzionin se bazuar në dy aktet e ekspertimit të evidentuara dhe në shpjegimet e ekspertëve në seancë gjyqësore, rrethanat për të cilat ishte dhënë masa mjekësore “mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, kanë ndryshuar, sepse gjendja shëndetësore e kërkuesit është përmirësuar. “Së dyti, bazuar në dëshmitë e bashkëshortes së kërkuesit, e cila mori përsipër kujdesjen për të kryer mjekimin ambulator të kërkuesit, realizimi i këtij kurimi rezulton i mundshëm. Gjykata çmon se kërkesa e paraqitur duhet pranuar si e bazuar në ligj dhe në prova, sepse në rastin konkret, rrethanat kanë ndryshuar, për kërkuesin nga ekspertët rekomandohet si metodë më e mirë për kurim, mjekimi i detyruar ambulator, pasi gjendja shëndetësore e tij është përmirësuar”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Tri vite më parë, Hysen Biba shokoi mbarë opinionin publik, teksa hodhi nga dritarja e maternitetit “Koço Gliozheni” foshnjën e tij të sapolindur. Ai kishte shkuar te bashkëshortja dhe në momentin që e mori në krahë fëmijën disaditësh, iu drejtua dritares dhe e hodhi. Ai u arrestua, ndërsa në gjykatë mbajti disa qëndrime. Në bazë të akteve të ekspertimit, gjykata vendosi ta shtrojë në psikiatri.
Ky shkrim Babai që vrau foshnjën e tij lirohet nga gjykata u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.