Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Baza e PD-së kundër Bashës: Kemi një parti që nuk na frymëzon

$
0
0

Fatos Hoxha – “Nëse njerëzit me funksione politike në parti, përfaqësuesit në forume apo institucione nuk ngrihen në këmbë dhe të çlirojnë partinë nga pengmarrësit, atëherë ka vetëm një akt që mund të ndërmarrin: të kërkojnë publikisht shpërndarjen e partisë”

bujar vreto 3Kërkojnë katarsis. Ish-deputeti Hoxha: Po mbahet peng nga Berisha dhe Basha

Katarsisi – “Është koha për reflektim dhe duhet të mbrojmë me çdo çmim PDSH-në. PD-ja ka nevojë për rimobilizim, për katarsis dhe vlerësim të çdo detaji që u evidentua në këto zgjedhje, edhe pse të manipuluara”

Inspirimi – “PD-ja duhet të shndërrohet në një parti që frymëzon, duke u kthyer kështu në identitet. Vetëm duke frymëzuar dhe duke inspiruar njerëzit ajo mund të kthehet në një alternativë të besueshme”

Pengmarrja – “Pengmarrësit nuk kanë për ta lënë kurrë partinë të lirë me vullnetin e tyre. Janë gati ta marrin atë me vete në varr. Ndaj mos mbani shpresa te shpirtmadhësia apo ndërgjegjja e tyre”

HERION MESI

Në një kohë kur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaron se nuk do të ketë “prerje kokash” në analizën e zgjedhjeve që do të bëhet në shtator, baza e kësaj partie e ka të pamundur të mos i shprehë pakënaqësitë e saj për mënyrën se si funksionoi PD-ja në zgjedhjet lokale që sapo lamë pas. “Të rinj” dhe “të vjetër” të kësaj partie duket se bashkohen njëzëri teksa shprehin nevojën për një katarsis në strukturat e kësaj partie, pasi sipas tyre, disa prej krerëve po e kthejnë PD-në në partinë e familjes, apo e konsiderojnë si pronë të tyren. Teksa rendit disa prej shkaqeve që çuan në humbjen e zgjedhjeve në Bashkitë e Përrenjasit dhe Librazhdit, kryetari i PD-së në Librazhd, Bujar Vreto i kërkon Bashës të nisë menjëherë katarsisin në struktura. “Shumë njerëz në struktura të larta në degët e PD-së dhe deri në qendër kanë filluar të bëjnë kritizerin edhe pse nuk u bashkuan një ditë të vetme me fushatën e PD-së, por nën rrogoz mbështesin kandidatin e së majtës. Strukturat duhen parë në detaje atje ku ka pasur probleme, jo për të ndëshkuar, por për të korrigjuar ato që nuk funksionuan, ish-drejtuesit që i ulën imazhin PD-së gjatë qeverisjes së saj u bashkuan me marrëveshje të fshehta me PS-në dhe punuan për parti të vogla në dëm të PD-së dhe ndjesia e tyre për PD-në është zero. Ne duhet t’i japim secilit vendin që i takon. Partia Demokratike ka nevojë për rimobilizim, për katarsis dhe vlerësim të çdo detaji që u evidentua në këto zgjedhje, edhe pse të manipuluara”- shkruan në një mesazh drejtuar demokratëve të Librazhdit dhe Përrenjasit, kreu i kësaj dege të PD-së, Bujar Vreto. Por kritikat për mënyrën se si funksionoi PD-ja në këto zgjedhje vijnë edhe nga demokratët e Beratit. Sekretari i kësaj dege, Namir Lapardhaja, nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale, deklaron se PD-ja nuk frymëzon, dhe këtë Lapardhaja e shikon si defektin kryesor të saj, në mënyrë që të shmanget siç thotë, kthimi i PD-së në një pronë të pak njerëzve, ai bën apel për hapje të partisë dhe përfshirjen në gjirin e saj të njerëzve me potencial njerëzor sidomos në nivel lokal. “Ajo (PD-ja) nuk mund të jetë më kaotike, ku nuk e merr vesh i pari të dytin dhe ku të gjithë mund të japin mend. Duhet të fillojë të drejtohet e përqendruar, ku çdokush të ketë një funksion dhe një detyrë konkrete dhe ku në fund të ditës, nëse kjo detyrë konkrete nuk është kryer si duhet, do të thotë se ti nuk e meriton atë funksion, gjë që do të thotë duhet urgjentisht t’i hapësh rrugë dikujt tjetër. Vetëm nëpërmjet hierarkisë së vlerave, garës së brendshme dhe matjes së punës, PD-ja mund t’ia dalë me sukses. Në PD urgjentisht duhet të fillojë strukturimi i organizatave partnere, Lidhjes së Gruas dhe Forumit Rinor. Një parti pa rini është një organizëm i vdekur. Por të gjitha këto janë pa vlerë nëse PD-ja nuk kthehet në identitet: të frymëzojë”- shprehet sekretari i degës së PD-së së Beratit. Ish-deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, është edhe më i ashpër në kritikat e tij ndaj lidershipit të PD-së, një parti që sipas tij është marrë peng nga një grup njerëzish që po e përdorin për familjarët e tyre, gjë që i ka shkaktuar PD-së humbjen e 140 mijë votave më 21 qershor. Sipas Hoxhës në këto dy vjet PD ka zhvilluar vetëm një politikë, ka kryer vetëm një lëvizje, ka mbrojtur vetëm një biznes, ka administruar vetëm një hall, atë të Familjes. “Në PD nuk drejton kryetari i zgjedhur, por i dorëhequri, nuk qeverisin forumet, por zyrat private, nuk vepron statuti dhe interesi i përbashkët, por arbitrariteti dhe halli privat. Humbja e dytë radhazi në zgjedhje, më e thellë dhe më dëshpëruese se e para, është një kambanë shumë e fortë alarmi që duhet të ngrejë në këmbë e të mobilizojë çdo demokrat që i dhimbset partia e vet. Gremina ku po na rrokullisin është reale. Nuk jemi në ëndërr. Nuk shpëtojmë dot nëse pranojmë të luajnë me ne lojën që luajtën më 2013-n. Faji dhe përgjegjësia nuk është kolektive, nuk është e bazës, nuk është abstrakte dhe, mbi të gjitha, nuk është anonime. Faji dhe përgjegjësia kanë emër të përveçëm dhe ky emër duhet thënë me zë të lartë: Sali Berisha dhe Lulzim Basha”- shprehet ish-deputeti i PD-së, Fatos Hoxha.

 

Ky shkrim Baza e PD-së kundër Bashës: Kemi një parti që nuk na frymëzon u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>