Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ashtu siç kishte premtuar, përuroi sot këndin e lojërave te Parku i Liqenit Artificial. Në fjalën e mbajtur, Veliaj tha se në këtë park nuk ka as beton dhe as lokale siç u pretendua, por një hapësirë argëtimi për fëmijët. Ai uroi të vegjlit me rastin e festës së tyre.
“Dua të falenderoj të gjitha ata që në këto 4 muaj bënë realitet këtë ëndërr. Unë i di të gjitha kundërshtitë, të gjitha debatet, por sot është momenti të jemi të bashkuar. Çdo gjë është e falur. Inatet e të rriturve nuk duhet të pengojnë projektet që kemi për Tiranën.
Sot ky argument dhe debat është i mbyllur. Shumë shpejt do hapim parqe të reja. Më vjen mirë që sot, bashkë me Arjolën takuam shumë qytetarë që nga Tropoja, të majtë dhe të djathtë.
Sherret e politikës t’i lëmë në parlament. Ndodhi çfarë ndodhi, sot të përveshim mëngët për punë të tjera. Gëzuar 1 qershorin, kjo ishte dhurata e Bashkisë për fëmijët”. deklaroi Veliaj.
1 qershor 2016 (gazeta-Shqip.com)