Kreu i Partisë Demokratike ka deklaruar se beteja për dekriminalizimin, edhe pas dorëheqjes së kreut të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, do të vazhdojë.
Në një deklaratë për mediat, Basha theksoi se i pari që duhet të largohet është kryeministri Rama, i cili lejoi futjen e kriminelëve në Parlament. Ai tha se Rroshi ka qenë i dënuar në Zvicër për trafik droge dhe se Rama e dinte.
“Para se të vinim te ky hap i rëndësishëm, Rroshi kishte mbështetjen e Ramës edhe në kandidimin e parë edhe në të dytin. Edhe kur SHBA-të i kërkuan të mos e poshtëronte popullin shqiptar, Rama vendosi ta mbajë, duke e sfiduar komunitetin ndërkombëtar dhe duke poshtëruar Kavajën dhe popullin, – u shpreh kryeopozitari. – Poshtëruesi ka një emër, Edi Rama, ashtu siç bëri edhe sot. Rroshi ka një dënim në Zvicër për trafik droge. Ai që deklaroi se nuk mbante mend dënimin, ka edhe një dënim në Zvicër dhe dhe Edi Rama e ka ditur se Rroshi ka dënim në Zvicër për drogë. I është kërkuar të mos e kandidonte, por ai sërish zgjodhi sot t’i rrinte në krah, t’i poshtëronte shqiptarët, duke thënë se nuk e dinte që në Itali ishte dënuar”.
Megjithatë, Basha theksoi se lufta për largimin e personave me rekorde kriminale në politikë do të vazhdojë, por shtoi ai, Rama është i pari që duhej të ikte: “Nuk është një ditë për të fërkuar duart. Është një ditë për t’i parë se ku e ka katandisur vendin me kriminelë Edi Rama. Ndryshe nga ç’thoshte, Elvis Rroshi është prova e parë që ligji funksionon dhe Rama s’ka parë asgjë akoma. Problemi nuk zgjidhet me largimin e Rroshit. Rama duhet të ikë, është i pari që gënjeu shqiptarët, që i ka zhytur në një krizë të thellë. Largimi i Ramës është zgjidhja, ai duhet të mbajë përgjegjësi para shqiptarëve për gradimin e kriminelëve me pushtet”.
Sipas Bashës, “Shqipëria duhet të çlirohet nga kjo e keqe që i ka zënë frymën, nga mashtrimet, korrupsioni dhe inkriminimi i pushtetit nga personat me rekorde kriminale. Lufta do të vazhdojë, kur Rama që ngriti këtë gjë, të jetë larguar përfundimisht”.
31 maj 2016 (gazeta-Shqip.com)