Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Flamur Noka ka deklaruar se media italiane ka ngritur pikëpyetje në lidhje me arsyen se përse pajisja e përgjimit u mbajt e fshehtë. Sipas Nokës, është ngritur alarmi për përdorimin e saj pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Deklarata e plotë
Media italiane po konfirmon dhe thellon dyshimet në lidhje me pajisjen e përgjimit që ka hyrë në Shqipëri dhe që sipas tyre gjendet në ambasadën italiane. Media italiane jo vetëm vë theksin tek futja e pajisjes në mënyrë të paligjshme, pa u regjistruar apo deklaruar, por është ngritur alarmi për përdorimin e saj pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Dhe pyetja që ngre gazeta “Il Fatto Quotidiano”, është kjo:
http://www.ilfattoquotidiano.it/2016/05/26/albania-pm-politici-intercettati-con-strumento-importato-illegalmente-dalle-autorita-italiane-solo-addestramento/2762046/
Nëse pajisja do të përdorej vetëm për trajnimin e punonjësve të policisë shqiptare, atëherë përse ajo nuk është deklaruar, përse është mbajtur e fshehtë. Skandali i përgjimit të paligjshëm ka tronditur tashmë edhe vendin fqinj. Media italiane flet për dyshime, për lidhje në konflikt interesi me kompaninë prodhuese të pajisjes së gjurmimit.
Megjithëse çështja po ndërkombëtarizohet, sërish Rama nuk jep asnjë shpjegim para opinionit publik, përse u fut pajisja në mënyrë të paligjshme, përse u përdor pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm, kush e përdori, kush u përgjua.
Sa më shumë hesht Edi Rama, aq më shumë rriten përmasat e shkeljes së ligjit, të kushtetutës, të sigurisë kombëtare, të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Ashtu si Partia Demokratike, si qytetarët, opinioni publik, edhe media italiane thekson se kjo histori ka nevojë për transparencë.
Duhet zbardhje e plotë e kësaj afere, e këtij krimi shtetëror. Dhe përgjegjësit me Saimir Tahirin në krye të dalin pa vonesë para ligjit. Prokuroria duhet të hetojë në mënyrë të plotë e të pandikuar dhe për këtë lypset largimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit.
27 maj 2016 (gazeta-Shqip.com)