Deputeti socialiste, Ben Blushi ka lëshuar një lumë akuzash ndaj qeverisë lidhur me vendimin për të shtyrë deri në fund të vitit të ardhshëm afatin e përfundimit të procesit të plotësimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore dhe për territoret e ish-kooperativave bujqësore, çka sipas tij do t’i hapë rrugë abuzimit të mëtejshëm lidhur me këtë çështje.
Blushi tha se norma, që sipas tij qeveria e ka vendosur padrejtësisht, e shtyn datën e masakrës. Sipas deputetit socialist, me këtë akt në kuvend nuk bëhet gjë tjetër veçse amnistohet abuzimi për një çështje që u ka marrë jetën 8 mijë shqiptarëve në vite.
“Çështja e tokave bujqësore, që vendos një normë që qeveria e ka vënë padrejtësisht, shtyn datën e masakrës. Saliu thotë unë ika, por vazhdoj të qeverisë. Metoda e tij e qeverisjes vazhdon. Aktet e qeverisë e shtyjnë, ushqejnë korrupsionin; kryetarë komunash gjyqtarë ushqehen duke lëshuar tapi.
Ligji nuk ua kthen pronat pronarëve, por ua tjetërson. Padrejtësisht këto akte u japin mundësi bashkive të abuzojnë me tokat publike, tokat e ish-pronarëve. Me këtë i japim amnisti abuzimit. Kur do i mbarojë efektet ligji famëkeq 7501? Në sajë të këtij ligji toka bujqësore edhe sot e kësaj dite është e copëtuar. 8000 shqiptarë janë vrarë për pronat”, tha Blushi.
Blushi akuzoi deputet e Kuvendit se janë duke mbrojtur njeri-tjetrin përmes një pakti ndërpartiak që të mos preken nga ligji i dekriminalizimit.
“Foli sot ndonjë në dobi të shqiptarëve? Sot u bë një garë dëmesh; kush e ka dëmtuar më shumë Shqipërinë, kjo palë apo kjo palë? E kush ishte gara sot e ripërsëritur? Kush i ka kriminelët më të padukshëm? Kush ka futur më pak persona me precedentë penalë? Kush ka shitur më pak drogë? Kush ka vrarë më pak? Kush nga ata që ligji i dekriminalizimit duhet t’i kapë, por që në fakt nuk po i kap për shkak të një pakti ndërpartiak?! Gara e dëmeve ka për të vazhduar. Më vjen keq për të gjithë ju, por më shumë për të vërtetën, që nuk po del në këtë parlament”, tha Blushi.
26 maj 2016 (gazeta-Shqip.com)