Policia e Korçës ka finalizuar me sukses operacionit antidrogë, të koduar “Radaneci”. Në pranga ranë vëllezërit Islajd dhe Arjan Shalcanj, 27 dhe 22 vjeç; Maril Pano, 26 vjeç; Bledar Haxhi, 35 vjeç; Astrit Shalcanj, 55 vjeç; Naumand Cico, 25 vjeç; Mikel Shalcanj 22 vjeç, të gjithë banues në Korçë
Nga ana e policisë nisi procedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj dy shtetasve të tjerë: Dh.Gj, 21 vjeç banues në fshatin Boboshticë dhe J.M, 29 vjeç, banues në Korçë.
Shtetasve të arrestuar gjatë kontrollit personal të tyre dhe kalimit në sitë të banesave ku jetonin iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 322 gram lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë; 9 gram bimë e dyshuar narkotike kanabis sativa; 1 peshore elektronike; 2 fishekë të kalibrit 9 mm; një sasi kartëmonedhash prej 210 euro dhe 40.500 lekë të reja; 5 automjete të markave të ndryshme; 12 aparate celularë; 1 kompjuter dhe 1 laptop.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se këta shtetas e shpërndanin lëndën narkotike të ndarë në doza në qytetin e Korçës, kundrejt pagesës.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan prokurorisë së rrethit gjyqësor Korçë, për veprat penale: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim” si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit Mikel Shalcanj.
15 maj 2016 (gazeta-Shqip.com)