Bashkëshortja e Shukri Xhelilit nuk e ka falur tradhtinë, megjithëse deri më tani s’ka padi në gjykatë
Pas publikimit të videoregjistrimit, në policinë e Dibrës është shoqëruar në prani edhe të avokatit edhe vetë ish-kryebashkiaku Shukri Xhelili. Ai mësohet se u ka thënë hetuesve se njihej me vajzën prej një viti dhe ajo ishte punësuar prej tij prej tre muajsh.
Në lidhje me skandalin seksual Xhelili ka pretenduar se ishte inskenim, pa pranuar të japë më shumë detaje. Ndërkohë, në një prononcim për mediat, Xhelili tha se “Videoja është një skenar i pastër politik dhe unë nuk jam prononcuar më herët, pasi ende nuk kam prova që ta vërtetoj këtë. Familja ime është më e bashkuar se kurrë dhe miqtë e kolegët më kanë qëndruar pranë. Për komentet e prefektes së Dibrës nuk prisja shumë”.
Megjithatë, gjatë ditës së djeshme, mediat kanë raportuar se bashkëshortja e ish-kreut të Bashkisë së Dibrës ka kërkuar divorcin. Mësohet se Tefta, gruaja e tij, që nga të gjithë në Dibër njihet si truri i fushatës elektorale të Shukriut dhe kuratorja kryesore e imazhit të tij, nuk ka mundur ta durojë këtë tradhti dhe është e vendosur t’i kërkojë divorcin bashkëshortit që e turpëroi publikisht. Mësohet se mes çiftit ka pasur edhe probleme të mëparshme, megjithëse ajo ka mundur t’ia falë herët e tjera dhe tashmë është mbushur kupa.
Burimet theksojnë se edhe kur ka qenë drejtor i Sigurimeve, Shukri Xhelili, ka pasur histori me një vajzë që e kishte punësuar aty dhe e mbante si të dashur, të cilën e mori edhe në Bashkinë e Dibrës, pasi u zgjodh kryetar. Familjarët e ish-kryebashkiakut janë izoluar në shtëpi dhe nuk kanë vajtur as në punë dhe as nuk janë prononcuar. Duket se të gjitha këto e kanë detyruar bashkëshorten e 56-vjeçarit Xhelili që të marrë këtë masë drastike. Ndërkohë, gazeta “Shqip” pyeti në Gjykatën e Dibrës, nga ku rezultoi se deri dje, nuk ishte bërë asnjë padi për divorc.
Berisha:
Xhelili shpallet heroi i Partisë Siciliste
Deputeti i PD-së, Sali Berisha, ka folur sërish për videoskandalin. “Këto dy ditë në mediat sociale dhe jo vetëm të majta ka shpërthyer një histeri kolektive kundër një vajze 20-vjeçare, që me guxim të madh nxori cullak para publikut kreun sicilist të Bashkisë së Dibrës, Xhelili, i cili shiste vendet e punës kundrejt seksit. Në këtë fushatë, Rama me Fugën nga njëra anë, ka ndërsyer ultësisht mediat e kontrolluara prej tij për të demonizuar vajzën e guximshme dibrane, nga ana tjetër, njëlloj si në rastin e Riformatos, përpiqen ta paraqesin si një kurth të organizuar nga armiku, madje duke përmendur pashmangshmërisht dhe emrin tim”, thotë Berisha. Ish-kryeministri ka përmendur sërish një mesazh nga qytetari dixhital; Përshëndetje doktor. Ajo vajza ka rastis fatkeqe, se po t’i kishte ndodhur kjo histori me Ramën ai do të ia bënte burrin ministër”.