Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Pensioni social: Nga 6750 lekë mund të zbresë në 200 lekë

$
0
0

pagesaFormula e llogaritjes për ata që kanë tokë, shtëpi me qira, kursime në bankë. Pagesat, nga 1 janari

Shuma – Shuma e pensionit social për ata që plotësojnë kriteret, sipas vendimit të qeverisë, është 6750 lekë në muaj.

Të ardhurat – Të ardhurat që llogariten janë nga: toka bujqësore; aksionet në një biznes; pasuritë e paluajtshme; depozitat bankare.

Diferenca – Pensioni social i pjesshëm llogaritet si diferencë midis pensionit social të plotë dhe të ardhurave mujore individuale.

Zamir Alushi

Instituti i Sigurimeve Shoqërore nis shpërndarjen e pensioneve sociale të pjesshme. Pagesa për përfituesit nuk do të jetë e plotë në çdo rast (6750 lekë në muaj, sipas përcaktimit të qeverisë), por mund të llogaritet edhe në mënyrë të pjesshme, në bazë të të ardhurave që mund të ketë i moshuari. Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, ka firmosur dje një udhëzim për llogaritjen e pensionit social, sipas të cilit “të ardhura nga burime të tjera” në kuptimin ligjor, do të konsiderohen, të ardhurat individuale të shtetasit që aplikon për pension social, të realizuara nga: toka bujqësore; aksionet ose bashkëpronësia në një biznes; pasuritë e paluajtshme; depozitat bankare.

Sa është përfitimi?

Masa mujore e pensionit social të pjesshëm llogaritet si diferencë midis pensionit social të plotë dhe të ardhurave mujore individuale të deklaruara, të vlerësuara dhe të pranuara. Pensioni social i pjesshëm, që nga llogaritjet rezulton të jetë më pak se 200 lekë në muaj, sipas udhëzimit nuk paguhet. Për personat, të cilëve iu ka lindur e drejta nga data 1 janar 2015 deri më 30 qershor 2015 dhe nuk kanë paraqitur akoma kërkesën për pensionin social apo dokumentacioni nuk është përpunuar, sipas udhëzimit të Klosit, pagesat përfshijnë periudhën nga data 1 janar 2015. Për rastet e tjera, e drejta e përfitimit të pagesës fillon nga data e paraqitjes së kërkesës.

Toka bujqësore

Përllogaritja e të ardhurave individuale mujore për efekt të përcaktimit të masës së pensionit social, kryhet nga inspektori i përpunues pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Të ardhurat nga toka bujqësore, që siguron familja në përbërje të së cilës është aplikuesi, përpjesëtohen sipas numrit të anëtarëve. Sipas udhëzimit, të ardhurat që sigurohen nga bimët e arave, vreshtat, ullishtat, pemëtaria etj., llogariten sipas kategorive të tokës, bazuar në koeficientët e përcaktuar në vendimin e qeverisë të vitit 2005, “Për përcaktimin e kritereve të procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike”. Specialisti përpunues që llogarit masën e pensionit social duhet t’i referohet sipërfaqes së tokës, e cila është e përcaktuar në aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës, ose certifikatën e pronësisë. Ndërsa, kategorizimi vërtetohet me dokument të lëshuar nga Seksioni i Administrimit dhe i Mbrojtjes së Tokës, pranë qarkut. Të ardhurat në lekë/m² në vit, sipas kategorisë së tokës janë: Kategoria I, 15 lekë/m², kategoria II, 13 lekë/m², kategoria III, 12 lekë/m², kategoria IV, 11 lekë/m², kategoria V, 9.5 lekë/m², kategoria VI, 8.6 lekë/m², kategoria VII, 7.7 lekë/m², kategoria VIII, 5 lekë/m², kategoria IX dhe kategoria X, 3 lekë/m². Nga kategoritë e tokës, për efekt të llogaritjes së të ardhurave, përjashtohet sipërfaqja e tokës në proces shkripëzimi. Për llogaritjen e të ardhurave individuale mujore të personit që aplikon, të ardhurat vjetore nga toka bujqësore, pjesëtohet me numrin e familjarëve, sipas certifikatës familjare dhe të ardhurat vjetore për çdo person, kthehen në të ardhura mujore, duke u pjesëtuar me 12 muaj. Shtetasit që kanë ndryshuar vendbanimin, pas datës 1 gusht 1991 dhe që kanë ruajtur pronësinë mbi tokën, duhet të paraqesin vërtetimin për tokën bujqësore të marrë në pronësi apo në përdorim nga bashkitë dhe Seksionet e Mbrojtjes dhe Administrimit të Tokës së rrethit nga kanë ardhur. Në rast se nuk e zotërojnë më pronësinë mbi tokën, duhet të paraqesin aktin noterial që provon tjetërsimin e saj.

Të ardhura nga bizneset

Për të shmangur rrezikun e abuzimit nga personat që kanë aktivitete biznesi, udhëzimi kërkon që të llogariten edhe të ardhura që personi mund t’i ketë nga veprimtaria ekonomike, si aksioner i vetëm ose bashkëpronar në një aktivitet ekonomik. Këto të ardhura vlerësohen bazuar në vërtetimin e lëshuar nga drejtoritë rajonale të tatimeve, ku përcaktohet statusi i aksionerit ose i bashkëpronarit, si dhe deklarata vjetore e pranuar e fitimit. Gjithashtu, merret për bazë deklarimi për shumën e fitimit vjetor, të evidentuar nga vetë kërkuesi. E ardhura mujore llogaritet bazuar në deklarimin e fitimit vjetor, të krahasuar me vërtetimin e lëshuar nga tatimet, të pjesëtuar me 12 muaj.

Pasuritë e paluajtshme

Sigurimet shoqërore llogarisin edhe të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme individuale ose në bashkëpronësi me persona të tjerë, të dhëna për qëllime të nxjerrjes së të ardhurave (dhënie me qira ose në përdorim të personave të tjerë për një aktivitet ekonomik fitimprurës, i cili nuk është në emër të kërkuesit të pensionit social). Këto të ardhura vlerësohen bazuar në vërtetimin e lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe në deklarimin e kërkuesit për shumën e së ardhurës vjetore individuale nga qiradhënia ose aktiviteti ekonomik që ushtrohet. Po ashtu, kërkohet kontrata e dhënies me qira ose në përdorim të pasurisë së paluajtshme. Në rastet kur kërkuesi ka në pronësi apo në bashkëpronësi më shumë se një banesë, duhet të saktësojë në deklarimet ose dokumentet që dorëzon, faktin nëse ka ose jo prona të dhëna me qira dhe cilat prej tyre. Llogaritja e së ardhurës mujore bazohet në të ardhurat e pronës së deklaruar, përpjesëtuar sipas pjesës takuese të secilit bashkëpronar, sipas përcaktimeve në kontratën e qiradhënies.

Depozita

Një lloj tjetër të ardhurash që llogariten nga sigurimet shoqërore janë depozitat bankare në emër të kërkuesit. Bazë për llogaritjen e të ardhurave mujore nga depozitat bankare është shuma vjetore sipas deklarimit të kërkuesit dhe vërtetimet nga bankat (nëse ka). Shuma mujore e të ardhurave llogaritet duke pjesëtuar shumën e të ardhurave vjetore neto (të ardhurat nga interesi pasi zbritet tatimi) pjesëtuar me 12 muaj.

 

 

 

Shembull.

Llogaritja e të ardhurave nga toka

Supozojmë se familja e aplikuesit për të përfituar pension social përbëhet nga 5 persona dhe ka në pronësi 10.000 m² (1 ha) tokë të kategorisë IV. Kategoria IV e ka koeficientin e të ardhurave nga toka 11 lekë për m² në vit. E ardhura që siguron si familje llogaritet 110.000 lekë në vit (10.000 m 2 x 11 lekë/m²). E ardhura individuale: 110.000 lekë: 5 persona: 12 muaj = 1.833 lekë në muaj.

 

Kriteret

Përfitues edhe të moshuarit e azileve që s’kanë pension

Të ardhurat individuale për shtetasin që aplikon për të përfituar pension social do të llogariten mujore dhe do të rivlerësohen një herë në vit, bazuar në deklaratën e re për gjendjen social-ekonomike të përfituesit, e cila verifikohet nga Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore dhe krahasohet me deklarimet e verifikimet e mëparshme. Pensionin social e përfitojnë edhe shtetasit, që janë vendosur në institucionet rezidenciale (siç janë shtëpitë e të moshuarve), të cilët plotësojnë kriteret ligjore (nuk plotësojnë vitet e kontributeve për pension, kanë mbushur moshën dhe nuk kanë të ardhura). Për shtetasit që plotësojnë kushtet dhe janë të vendosur në azil, njoftohet Shërbimi Social Shtetëror.

 

Ky shkrim Pensioni social: Nga 6750 lekë mund të zbresë në 200 lekë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>