Policia e Tiranës ka vënë në pranga personin që shoqëronte 36-vjeçarin Elton Çiça në tavolinën e lokalit ku ky i fundit u ekzekutuar me dy plumba mbrëmjen e së dielës në ish-Bllok. Burime nga polica e kryeqytetit bëjnë me dije se është arrestuar shtetasi Redjan Rraja, 31 vjeç, banues në Krujë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
“Më datë 01.05.2016, rreth orës 22:10, në rrugën ”Gjin Bue Shpata”, në ambientet e lokal ”Bar Kafe Deniro”, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Elton Çiça, 36 vjeç, banues në Tepelenë, i cili ka humbur jetën gjatë trasportimit për në spital.
Shtetasi Elton Çiça, ka qenë në shoqërinë e shtetasve: A. T., S. K. dhe shtetasi Redjan Rraja, 31 vjeç, banues në Krujë, i cili u arrestua për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, parashikuar nga Neni 301 i Kodit Penal.
Në momentet që këta shtetas kanë qenë duke qëndruar, në lokal ka hyrë një shtetas i cili është afruar drejtë shtetasit Elton Çiça, duke e qëlluar tre herë me armë zjarri.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarje”, sqaron policia e Tiranës.
3 maj 2016 (gazeta-Shqip.com)