Policia e Tiranë ka shoqëruar Ervis Imerin si të dyshuar lidhur me vrasjen e 36-vjeçarit Elton Çiço mbrëmjen e djeshme në kryeqytet. Ervis Imeri është personi i dyshuar si i përfshirë në grabitjen dhe dhunimin e prindërve të viktimës, Elton Çiço një vit më parë në Tepelenë.
Pas kësaj ngjarjeje Ervis Imerit iu bë një atentat me eksploziv, por pa pasoja për jetën e tij, pasi arriti të pikste në kohë lëndën plasëse, ndërsa pak kohë më vonë iu bë atentat me eksploziv vëllait të tij, Elton Imeriu i cili mbeti i gjymtuar rëndë nga shpërthimi i tritolit në makinën e tij.
Ndërkohë, sot kanë dalë detaje të reja për vrasjen e 36-vjeçari Elton Çiço, brenda një lokali pranë shkollës ‘Emin Duraku’. Pamjet e dala nga kamerat e sigurisë së lokalit tregojnë qartë vrasësin të veshur me xhinse blu, bluzë sportive dhe kapele të bardhë në kokë i cili drejtohet në tavolinën ku ishte ulur viktima Çiço së bashku me 5 persona të tjerë.
Nga dëshmitarët në vendngjarje mësohet se autori i është drejtuyar në emër viktimës, më pas ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar 2 herë në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend. Mësohet se autorin e prisnin jashtë lokalit 2 persona të tjerë, me të cilët është larguar menjëherë nga vendngjarja. Ndërkohë, burime jo zyrtare bëjnë me dije se viktimës i është gjetur një pistoletë në çantën që mbante me vete.
2 maj 2016 (gazeta-Shqip.com)