Publikohen pamjet e vrasjes së Elton Çiços në një lokal pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë mbrëmjen e djeshme. Sipas asaj shihet në video, një person me kapele të bardhë në kokë, ka qëlluar në drejtim ë viktimës, i cili ndodhej i ulur në një tavolinë së bashku me disa njerëz të tjerë.
Kamerat e sigurisë së lokalit kanë fokusuar momentin e vrasjes të publikuar nga ‘ABCnews’, ku autori shfaqet duke ecur nxitimthi drejt shënjestrës së tij.
Ngre pistoletën, e qëllon me dy plumba pistolete në kokë dhe kthehet duke ikur me vrap. Personat që ishin në tavolinë me Elton Çiçën largohen të tmerruar. Klientët krijojnë kaos dhe njëri nga personat që ishte ulur në tavolinë me 36-vjeçarin, përplaset me vrasësin në ikje e sipër. Gjithçka ka ndodhur për 10 sekonda dhe përveç viktimës nuk pati të plagosur të tjerë.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe ka shoqëruar disa persona, mes të cilëve do të merret në pyetje edhe Ervis Imeri, një nga të dyshuarit e grabitjes së prindërve të viktimës, ngjarje e ndodhur në Tepelenë në mars 2015.
Elton Çiço, 36-vjeçari i ekzekutuar me dy plumba në kokë mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, është djali i çiftit të të moshuarve Antoneta dhe Naim Çiço të dhunuar dhe grabitur më 31 mars të vitit 2015 në Tepelenë.
Mendohet se nga kjo ngjarje e kanë zanafillën disa ngjarje të tjera kriminale me synim hakmarrjen që ka përfunduar me dy të vrarë, një të gjymtuar rëndë dhe një sasi tritoli, fatmirësisht të pashpërthyer në një automjet.
2 maj 2016 (gazeta-Shqip.com)