Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka bërë thirrje nga foltorja e Parlamentit që reforma në drejtësi të votohet sa më parë për të ndaluar abuzimin me pushtetin. Në rast të kundërt, nismëtarët e këtij procesi, të dorëzohen dhe ikin.
Pa praninë e opozitës në sallë, Braçe e cilësoi të turpshëm vendimin e Gjykatës së Lartë për mbylljen e dosjes së ’21 janarit’. Sipas tij, vendimi është dhënë nga një trupë gjyqtarësh të korruptuar.
“Nuk mund të bëj sikur nuk ka ndodhur gjë të hënën. Bëhet fjalë për shqyrtimin e çështjes së 21 janarit, krimit shtetëror të 21 janarit, – u shpreh deputeti socialist. – Është vendimi që përmbyll një kalvar të gjatë shqyrtimi në institucionet e drejtësisë, apo dhe gjykimi pot ë doni, por vetëm gjykim nuk është bërë të vrasjeve shtetërore të 21 Janarit. E kam thënë dhe atë ditë ata gjyqtarë nuk janë as të lartë as të ulët. Ata nuk janë gjyqtarë. Unë nuk mund ta pranoj, jo si deputet, as si jurist, por nuk mund ta pranoj as si qytetar që kjo kastë gjyqtarësh e korruptuar të imponojë shoqërisë shqiptare vendimin e saj sipas të cilit 4 qytetarë në mes të bulevardit janë vrarë pa dashje”.
Braçe shtoi se vrasjet janë një krim shtetëror dhe me urdhër dhe pohon se ky është një rast i mirë për të shkrirë Gjykatën e faktit, të Apelit dhe atë të Lartë.
“Nuk mund të ketë vrasje pa dashje dhe plumbin ta marrësh në gjoks, në ballë. Nuk mund të ketë vrasje pa dashje e një strukturë të armatosur shtetërore siç është garda e Republikës. Nuk mund të ketë vrasje pa dashje kur jepet urdhër për të qëlluar, për me tepër në turmë. Këta nuk mund t’i imponojnë askujt në këtë vend alibinë e tyre. Është e rëndë shumë e rëndë. Dhe nëse ka një rast që mund të legjitimojë shkrirjen e Gjykatës së faktit të Tiranës, Apelit dhe Gjykatës së Lartë është ky. Është e turpshme që janë vrarë 4 njerëz në mes të bulevardit dhe gjykata të vendosë që asnjëri të mos jetë në burg. Është e turpshme”, – deklaroi ai.
28 prill 2016 (gazeta-Shqip.com)