Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur për mediat menjëherë pasi përfundoi mbledhja e grupit. Basha bëri me dije temat dhe vendimet që u morën gjatë kësaj mbledhje. Sipas tij, në mbledhjen e grupit të PD-së u konfirmua emërimi i drejtuesve dhe sekretarëve të rinj. Veç kësaj ai sqaroi se është diskutuar edhe për përfshirjen në masën 35 për qind të të rinjve në listat zgjedhore.
“U mor vendimi për konfirmimin nga kryesia të emërimit të drejtuesve dhe sekretarëve të rinj. Gjithashtu PD mori vendim të miratojë ngritjen e degës së PD-së në Londër, pas disa kërkesave të anëtarëve dhe demokratëve që jetojnë. Ne diskutuam për 35 përqindëshin e të rinjve për listën e ardhshme zgjedhore”, tha Basha.
Gjithashtu ai deklaroi se partia e tij ka përgatitur programin elektoral një vit përpara, në mënyrë që të jetë transparent me qytetarët dhe t’u japë atyre mundësinë për të diskutuar.
“PD ka përfunduar programin një vit para zgjedhjeve duke shënuar kështu një tjetër standard demokratik europian karshi qytetarëve shqiptarë. Zgjidhjet nuk lihen për ditën e fundit se pastaj thuhen gjëra të pavërteta, siç dolën rrenat e rilindjes për 300 mijë vende pune dhe shëndetësi falas.
Çdo qytetar do të ketë mundësi të diskutojë me përfaqësuesit e PD-së për programin dhe mënyrën për ta nxjerr vendin nga kriza, ashtu siç i ka hije një populli europian për të zgjedhur mes të vërtetës dhe rrenës”, theksoi kreu demokrat.
28 prill 2016 (gazeta-Shqip.com)