Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Vrasësi i turistëve çekë, “i pabesë” edhe në gjyqin për vrasjen e 13-vjeçarit

$
0
0

Ministria e Drejtësisë po inspekton vendimin e Apelit në Shkodër, që e “mbrojti” se tregoi vrasësit e të miturit. Gjyqtarët analizuan edhe fuqinë fizike të Sokol Mjacajt

Sokol Çobo / Ardi Hoti

Sokol MjacajVrasësi i dy turistëve njihej si një person i pabesë, ashtu siç edhe ekzekutoi çekët pak ditë më parë, duke i qëlluar me plumb pas koke. Megjithëse vetëm 20-vjeçar, Sokol Mjacaj e kishte filluar herët aktivitetin kriminal, madje me pasoja të rënda, kur më 11 shtator të vitit 2011 ai bashkëpunoi me disa persona të tjerë për të vrarë barbarisht një 13-vjeçar. Në polici, prokurori apo gjykatë u tregua dinak, duke ndryshuar shpeshherë dëshmitë, duke përfituar edhe nga mosha e vogël, në atë kohë 15 vjeç. Ai arriti të bindte fillimisht familjarët e viktimës se autor ishin dy vëllezërit Besnik dhe Edmond Kodra. Më pas, filloi të ndryshojë dëshmitë në prokurori, duke hequr përgjegjësinë nga vetja dhe në fund këmbënguli në gjykatë, megjithëse provat në vendngjarje, apo edhe deklarimet e dy bashkëfajtorëve të tjerë flisnin se Sokoli ishte organizatori i asaj vrasje. Në fund, si në shumicën e proceseve gjyqësore në Shqipëri, Mjacaj arriti të ulte ndjeshëm vitet e burgut, pavarësisht se pasojat ishin të rënda. Shteti reagoi për këto vendime, por vetëm pas një tjetër ngjarje të rëndë, ku kësaj herë viktima ishin mysafirët e Shqipërisë, ata të cilët ishin mrekulluar nga bukuritë e Alpeve, ku nuk ngurruan të promovojnë vendin tonë edhe te bashkatdhetarët e tyre, ku në shenjë simbolike “ngritën” flamurin shqiptar në Facebook. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka nisur me shpejtësi një grup inspektimi për Gjykatën e Rrethit dhe Apelit të Shkodrës. Inspektimi duhet të konsistojë në verifikimin e vendimeve ndaj Sokol Mjacajt. Do të verifikohen të gjitha provat e paraqitura në seancat gjyqësore, kërkesat e bëra dhe procedurat e ndjekura. Ministria nuk mund të hetojë dot dhënien e vendimit, por procedurat e ndjekura. Në “lupën” e inspektorëve do të jenë kryesisht gjyqtarët e Apelit të Shkodrës, ata të cilët i ulën ndjeshëm vitet e burgut 20-vjeçarit dhe mund të parandalonin vrasjen në pabesi të dy turistëve çekë në Dukagjin të Shkodrës.

gjykata e apelit shkoder-1 gjykata e larte-1

Vrasja e 13-vjeçarit

Ministria do të verifikojë vendimin e Apelit të Shkodrës të datës 4 janar 2013, me trup gjykues Musa Halili, Fuat Vjerdha dhe Luan Dervishi. Ata morën në shqyrtim çështjen ndaj Sokol Mjacajt nga fshati Lotar në Shkodër, ku ai akuzohej së bashku me Besnik dhe Edmond Kodrën, për vrasje e kryer në rrethana të cilësuara në bashkëpunim. Para Apelit, Gjykata e Shkodrës, me vendimin nr.704 të datës 28 dhjetor 2011, ka vendosur deklarimin fajtor të Besnik Kodrës dhe dënimin me burgim të përjetshëm. Edmond Kodra u dënua nga shkalla e parë më 11 vite burg, ndërsa Sokol Mjacaj u dënua me 10 vite burg. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se në orët e vona të datës 11 shtator 2010, policia është njoftuar se është vrarë Agim Leta, 13 vjeç në fshatin Pjoll të Komunës Shalë. Viktimës në trup i janë gjetur shenja dhune dhe ekspertët konstatuan se kishte plagë në të dy anët e ballit, ekimoza në fytyrë, gojë, qafë, në gjoks, në hundë. Shkaku i vdekjes ishte bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes dhe nga asfiksia mekanike nga shtrëngimi me lak dhe duar si dhe të shtypjes së barkut. Fakti se në ekspertim është përcaktuar mbytja me lak e të ndjerit qëndron, mbasi viktima ka pasur një zinxhir në qafë me trashësi të tillë që gjatë shtrëngimeve në fyt lë shenjat e një laku. Fillimisht është pyetur babai i Sokol Mjacajt, Fran Mjacaj, i cili ka thënë se djali i tij Sokoli e di se ku është viktima dhe mbi këtë bazë kanë filluar kërkimet për gjetjen e tij. Sokoli ka thënë se ku ndodhej viktima dhe më pas edhe autorët Besnik dhe Edmond Kodra, duke treguar shpjegime të hollësishme për mënyrën e kryerjes së kësaj vrasjeje. Në vendim thuhet se Edmond Kodra i ka telefonuar disa herë Sokol Mjacajt dhe kanë lënë takim. Më pas, mes autorëve dhe viktimës kanë filluar debatet, duke i kërkuar viktimës të sillte një sasi lëndë narkotike, i cili ka refuzuar, duke deklaruar se nuk ka pasur. Gjatë debatit, vëllezërit Besnik e Edmond e kanë goditur viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, fytyrë e trup me grushte dhe pastaj i kanë vënë duart në qafë. Apeli thotë se fajësia e Sokol Mjacajt qëndron se me porosinë e Edmondit ai e ka çuar viktimën në vendngjarje. Më vonë, Sokoli ka përdorur dy telefona që ka pasur viktima.

 

Sokoli i pafuqishëm!

Në vendimin e Apelit, që është bërë objekt inspektimi thuhet se Sokol Mjacaj nuk ka bashkëpunuar në vrasje, por u ka krijuar kushte dy të pandehurve të tjerë për ta kryer atë dhe duhet të përgjigjet për moskallëzim krimi. “Fajësia për vrasjen në bashkëpunim e të pandehurve Besnik e Edmond është provuar me shpjegimet e hollësishme që ka dhënë i pandehuri Sokol, si dhe me faktin se këta të pandehur janë munduar të krijojnë alibi në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në këtë vrasje” thuhet në vendimin e Apelit të Shkodrës, e cila shton se “Sokoli gjatë bisedave të përgjuara me babain e tij i ka thënë se këtë vrasje e kanë kryer besniku dhe Edmondi, duke i shpjeguar sesi ka ndodhur. Fakti se ai ka hezituar të tregojë fillimisht, me pretendimin se familjarët e viktimës do ta vrisnin, ka bërë që ai të heshtë deri sa ka marrë siguri prej tyre dhe më pas ka treguar vendin, mënyrën e kryerjes së veprës dhe autorët. Në kushtet e mësipërme gjykata ka vlerësuar drejt dhe me objektivitet provat të cilat në harmoni me njëra-tjetrën e kanë çuar në konkluzion të drejtë se këtë vrasje me mbytje e kanë kryer Besniku dhe Edmondi”.

Madje, Apeli e mbron edhe pas dëshmisë së Besnikut dhe Edmondit, që pretendonin se vrasjen e ka kryer pikërisht Sokoli. “I pandehuri Sokol s’mund ta realizonte i vetëm vrasjen e viktimës, për vetë faktin se forcat fizike të tyre ishin thuajse të barabarta. Po kështu nga vetë shumëllojshmëria e plagëve bën të arrihet në konkluzionin se kanë vepruar ndaj viktimës më shumë se një person”, thuhet në vendim. Në fund, Apeli thotë se për sa i përket masës së dënimit për Edmondin vendimi është i drejtë, ndërsa për Besnikun ky kolegj çmon se lloji i dënimit duhet ndryshuar nga burgim i përjetshëm me 25 vite burg mbasi kjo masë dënimi çmohet si e nevojshme për edukimin e tij, për vetë moshën që ka. Ndërkohë, për Sokolin, rrëzohet akuza e vrasjes duke e dënuar përfundimisht me dy vite e gjashtë muaj burg.

 

Gjykata e Lartë

Çështja në ngarkim të tre personave që masakruan 13-vjeçarin ka kaluar edhe në Gjykatën e Lartë. Rekursi nuk u pranua dhe aktet kanë kaluar vetëm në dhomë këshillimi më datë 26 shkurt 2015. Trupi gjykues përbëhet nga Aleksandër Musja, kryesues, dhe Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi, Tom Ndreca dhe Artan Zeneli anëtarë. Prokuroria pretendonte se është alogjike të deklarohet fajtor për moskallëzim krimi Mjacaj në një kohë kur vetë ai bashkëpunuar në vrasje. Madje, edhe avokatët e dy vëllezërve kanë pretenduar fajësinë e Sokolit, i cili ka qenë organizatori i vrasjes, pasi ai i ka marrë në telefon dhe i ka çuar tek vendi i fshehtë.

Dënimi i dytë për Mjacajn

Më datë 9 mars 2015, me trup gjykues Mariana Rraboshta kryesuese dhe anëtarë Astrit Kalaja dhe Luan Dervishi, Apeli i Shkodrës shqyrtoi çështjen ndaj Sokol Mjacajt. Ai akuzohej për vjedhje kësaj here dhe Gjykata e Shkodrës, më datë 24 dhjetor 2014, vendosi deklarimin fajtor të tij dhe dënimin me 1 vit e 6 muaj burg. Por, me gjykim të shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 1 vit burg. Vetë Sokoli apeloi vendimin me argumentin se dënimi ishte shumë i madh, duke parë moshën dhe anën familjare, si dhe nuk ishte njohur me vendimit dhe shpjegimet do t’i jepte në seancë gjyqësore. Por, gjatë shqyrtimit i pandehuri kërkoi heqjen dorë nga ankimi.

 

Letra

 

Familjarët e 13-vjeçarit u ankuan në KLD dhe prokurori

Institucionet e drejtësisë kanë pasur dijeni për vendimet e shpallura ndaj Sokol Mjacajt, në lidhje me gjykimin e tij të mëparshëm për vrasjen e 13-vjeçarit, Agim Lera. Mësohet se prindërit e fëmijës së vrarë janë ankuar përmes një letre pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, menjëherë pasi Gjykata e Apelit të Shkodrës u tregua tolerante ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e fëmijës, ku edhe u ndryshua kualifikimi për Sokol Mjacajn, nga “për vrasje në rrethana cilësuese”, në “moskallëzim krimi”. Të njëjtën letër, prindërit e fëmijës së vrarë, në vitin 2013 ia kanë dërguar edhe Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që përpjekjet e tyre për të marrë drejtësi nuk janë përfillur as nga Gjykata e Lartë, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Shkodrës.

Ky shkrim Vrasësi i turistëve çekë, “i pabesë” edhe në gjyqin për vrasjen e 13-vjeçarit u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>